Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, prezantoi të premten para Komisionit të Ekonomisë paketën fiskale, e cila do të shoqërojë projektbuxhetin e vitit 2015.

Paketa fiskale 2015, sipas ministrit, mbulon nevoja të domosdoshme të ekonomisë së vendit, në mbështetje të investimeve publike dhe të reformave të rëndësishme, që po ndërmerren, sidomos në sektorin e energjetikës dhe në të tjerë sektorë gjatë vitit 2015.

"Kjo reformë ka në thelb edhe biznesin, sepse është e programuar që marrëdhëniet e biznesit me administratën fiskale të kenë përmirësime, siç kanë patur në vitin 2014. Por, pa lënë në harresë edhe konsumatorët e thjeshtë. Paketa fiskale qe pritet të gjenerojë 16 miliardë lekë, do mbështetet me performancë nga organet fiskale, në një bashkëpunim edhe me vetë biznesin në të gjithë vendin", tha Cani.

Ai theksoi se paketa fiskale ka në përbërjen e saj 14 masa, 3 prej tyre sjellin gjenerim të ardhurash dhe 11 të tjera sjellin lehtësim për biznesin, individët, konsumatorët.
Synimet kryesore të paketës fiskale 2015, tha ai, janë zgjerimi i bazës tatimpaguese, mbrojtja e konsumatorit, reforma të thella në disa sektorë të ekonomisë, lehtësim biznesit. Ai vuri në dukje se kjo paketë adreson kërkesa shumëvjeçare të biznesit duke patur përparësi biznesin prodhues, në sektorë si ata të naftës, kromit, bujqësisë që kanë prioritet në ekonominë shqiptare.

"Përmes masave të ndërmarra synojmë që prodhimi i tokës dhe nëntokës shqiptare të mos dalë si lëndë e parë jashtë, por të përpunohet në një shkallë të caktuar, në mënyrë që ekonomia të gjenerojë sa më shumë të ardhura, në kushtet kur përpunimi punëson një masë të madhe individësh", u shpreh ministri Cani. Ai deklaroi se dikasteri i tij kishte bërë optimumin e mundshëm për të pasqyruar kërkesat e biznesit në këtë paketë.

Ministri Cani renditi të gjitha masat e marra në këtë paketë. Sipas tij, në sektorin e sigurimeve, hiqet tvsh-ja e produkteve të jo-jetës prej 20%, dhe vendoset taksë mbi primin 3 %. Efekti në nivel neto llogaritet 280 milionë lekë më pak. Masa, tha ai, synon përmirësime cilësore në veprimtarinë e tyre, sipas standarteve europiane. Në sektorin e hidrokarbureve, për të ndihmuar rafineritë vendase, që nafta bruto të përpunohet sa më shumë në industritë vendase zerohet taksa doganore. Në industrinë e përpunimit të kromit, ulet masa e rentës minerare për industritë që përpunojnë ferrokromin me 1/3, qe të nxitet prodhimi. Tatimi mbi të ardhurat personale, ndryshon normën e taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë leke për vitin 2015. Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale. Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që rritet me 10 lek/ litri për naftën dhe benzinën. Efektet në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë leke nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë leke nga TVSH-ja për vitin 2015.

ATSH