Firma amerikane e teknologjisë Amazon ka planifikuar të investojë rreth 18 miliardë dollarë, në Gjermani vitin e ardhshëm, për të zgjeruar aktivitetin në inteligjencën artificiale (AI), shërbimet cloud, internetin satelitor dhe median, raportoi Reuters.

Nga kjo shumë, 4.8 miliardë euro do të shkojnë për zgjerimin e infrastrukturës cloud dhe inteligjencës artificiale të Amazon Web Services (AWS) në Frankfurt. Plani përfshin gjithashtu projekte të reja logjistike që pritet të krijojnë mbi 3,000 vende pune, zhvillimin e rrjetit satelitor Amazon Leo, prodhime të reja për platformën Prime Video dhe hapjen e një laboratori të dytë kërkimor për robotikën dhe inteligjencën artificiale në Berlin.

Investimi u njoftua gjatë samitit “Invest in Germany” në Berlin dhe vjen në një kohë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po rrisin investimet në infrastrukturën digjitale për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për shërbimet e AI-së.

Sipas Amazon, kompania ka investuar më shumë se 100 miliardë euro në Gjermani që nga viti 2010. Angazhimi i ri vjen pas një investimi prej 10 miliardë eurosh të shpallur në qershor 2024, nga të cilat 8.8 miliardë euro ishin parashikuar për qendrat e të dhënave të AWS-së.