Cannabis delenda est!

Cannabis delenda est!
Duhet shkatërruar Hashashi! Ose më mirë, duhet të çrrënjosen nga harta në Google e Shqipërisë njollat e gjelbëra, ku paraqiten, për turp të zotit, platancione, dukshëm të rregullta e të punuara, me bimë narkotike, që gjithë bota i ka shpallur “non grata”. Në historinë e lashtësisë përmendet një senator romak, Katoni Sr., që ka jetuar në vitet 234-149 para Krishtit, i cili kujtohet vetëm për një fakt: në fund të çdo fjalimi në Senatin e Romës, pavarësisht se për çfarë çështjeje debatohej, thërriste: Megjithatë, duhet të shkatërrohet Kartagjena! (Cartago delenda est!) Senatori ishte kaq i fiksuar me rrezikun që i kanosej vendit të tij nga rivali më i madh jugor, saqë e kishte kthyer këtë britmë në moton e jetës së tij. Mund të thuhet se kishte plotësisht të drejtë!

Ashtu si Kartagjena për Romën, Hashashi, me përmasat që ka marrë, është kthyer tek ne viti nga vit në armikun numër një të ekonomisë, edukimit, rendit, shoqërisë, politikës, thjesht, të shqiptarëve. Ende deri më sot nuk ka dalë një Katon që ta thotë këtë përditë, por mjaftojnë dy-tri raste kur jemi përgojuar nga media franceze e holandeze, me pamje të pabesueshme të bimëve-pyll në mes të Evropës, tri-katër raste të regjistrimeve video nga Guardia di Finanza dhe një rast kur helikopteri italian është qëlluar më armë në Lazarat, që të kuptohet se sirenat kanë nisur të bien me kohë, por fatkeqësisht ato vijnë nga larg.

Këto ditë, ka patur lajme se Prokuroria e Përgjithshme po bëhet gati për një aksion në shkallë të gjerë kundër “Cartagena-s”, as në Afrikë e as në Kolumbi, por në vendin tonë – Lazaratit, këtij bastioni që ka thyer çdo qeveri, polici, e parti me shumën gjigande të parave që nxjerr nga kultivimi dhe tregtimi i cannabisit. Sipas burimeve, që javën e ardhshme pritet të nisin arrestimet e para në qytezën e konsideruar si “republika e hashashit” në Shqipëri. Situata duket se është marrë në dorë nga një “Task Force” e krijuar mes Prokurorisë e ministrisë së Brendshme, si dhe të “Guardia di Finanza” të Italisë, që mbështet Policinë shqiptare në luftën kundër prodhimit dhe tregtimit të bimëve narkotike. Ishte pikërisht “Guardia di Finanza” që dy muaj më parë do të deklaronte në Tiranë se “xhiroja vjetore e hashashit të prodhuar e tregtuar nga Lazarati arrin në 4.5 miliardë euro” - shifër kjo e përafërt më gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.

“Task Force” e ngritur për të goditur kultivimin dhe tregtimit e hashashit nga Lazarati tashmë ka një dosje me të dhëna të plota, ku përfshihen: Pamje filmike, fotografike, përgjime telefonike e persona të arrestuar në momentet e trafikimeve. Ndër personat që rrezikojnë përballjen me ligjin janë dhe kryepleqtë e fshatrave, kryekomunarët e deri të pronarët e parcelave, punëtorët po dhe drejtues të policisë që kanë favorizuar kultivimin e kësaj bime.

Problemi është që, të gjitha këto prova kanë ekzistuar edhe më parë. A ka ndryshuar diçka këtë herë, që të na bëjë të besojmë se me Lazaratin do të ndodhë ajo, që ndodhi me lumin e Lanës dhe parkun Rinia në kryeqytet në vitin 2001? Pra, një pastrim total dhe kthim në normalitet i familjeve, që janë transformuar tashmë në keqbërës të pastër?
Operacioni i shtetit për çrrënjosjen e hashashit është një proces i shumanshëm dhe tepër i vështirë. Ndërhyrja në fshatin e superarmatosur nuk mund të bëhet thjesht nga forca policie, që do të përballeshin me luftë guerrilje, kur keqbërësit kanë në dispozicion edhe mitralozë 12.7 mm dhe bomba. Në Meksikë e në Kolumbi, janë forcat speciale të ushtrisë ato, që e kryejnë përballjen me grupet më të armatosura. Kjo do të kërkonte një bashkëpunim të rrallë ndërinstitucional për të zbatuar urdhër-arrestet e Prokurorisë e Gjykatës, por do të kishte edhe një ndeshje fizike, me pasoja.

Nga ana tjetër, në rast se mbyllet “karteli Lazarat”, me çfarë do të zëvendësohej ekonomia e familjeve, në ditët që vijnë? Asnjë kulturë bujqësore nuk zëvendëson dot fitimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, edhe duke zbritur hisen e korrupsionit. Më e keqja është që kultura e paligjshmërisë ka zënë tashmë vend edhe në mentalitetin e disa brezave, jo vetëm në Lazarat, që nuk duan më të punojnë, as në punë të ndershme dhe as në emigracion, që paraqet vështirësitë e veta.

Por, në rast se nuk do të vihet dorë as tani mbi Lazaratin (Lazaratët!), do të krijohet bindja nga qytetarët dhe keqbërësit se “as këta të rinjtë nuk e kanë seriozisht” me vendosjen e rendit dhe shtetit ligjor. Kusht i padiskutueshëm ky, që Shqipëria të pranohet të bëjë pjesë në familjen e madhe evropiane.
Një rrethanë e fuqishme rënduese mbetet grumbullimi në vite i një pushteti ekonomik dhe politik nga prodhuesit e tregtarët e drogës së lehtë në vend. Nga ky virus mund të jetë infektuar edhe ndonjë përfaqësues i së majtës, tashmë në pushtet, që do të ushtronte influencën e vet pranë pushtetarëve të rinj për të pranuar një realitet “përballë të cilit nuk ke se ç’bën”, “kështu bëhet në gjithë botën”, “vende të ndryshme kanë bërë prokopi me këtë lloj ekonomie”, etj.

Pikërisht kjo është fryma që shkatërron mentalitetin politik që nga koka. Mendime të tilla nuk vijnë nga ata që kanë frikë të ndeshen me krimin. Më tepër, vijnë nga ata që e kanë parë si mjet fitimi këtë krim, që u afrohet në mënyrë të natyrshme njerëzve që duhet ta kontrollojnë e ta bëjnë zap, duke iu ofruar shifra marramendëse për çdo tolerim, për çdo lirim nga burgu, për çdo anulim të një veprimi të vendosur në nivel qeveritar anti-krim.

Por, sa kohë që anti-shteti të demonstrojë kaq fuqishëm forcën e vet, nuk mund të bëhet fjalë për një situatë normale të shtetit shqiptar. Kjo është një sfidë, të cilën ai duhet ta marrë seriozisht parasysh, krahas çdo mase reformash në fusha të tjera të jetës. Dhe, sa më shpejt dhe sa më bindshëm të bëhet një gjë e tillë, ndryshe nga më parë, aq më i sigurtë do të ndihet çdo shqiptar se nuk gaboi kur dha votën për një grup djemsh e vajzash që vendosën ta hiqnin Shqipërinë njëherë e mirë nga harta e Kartagjenave të botës. Dhe, ja arritën! 

Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim