Çarmatimi, firmosin 9 deputetë:
Dorëzimi i armëve deri në dhjeto

Çarmatimi, firmosin 9 deputetë:<br />Dorëzimi i armëve deri në dhjeto
Afati për dorëzimin vullnetar të armëve nuk do të përfundojë në 30 prill siç kishte parashikuar ligji i amnistisë i miratuar nga Kuvendi në fund të dhjetorit.

Ky afat pritet të zgjatet deri në 31 dhjetor të këtij viti me kërkesë të 9 deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Spartak Braho, Ylli Shehu, Flamur Çelaj, Pirro Lutaj, Arben Çuko, Xhemal Qefalia, Pjerin Nderu, Paulin Stërkaj dhe Anduel Xhindi kanë firmosur një projektligj për ndryshimin e ligjit të amnistisë me qëllim zgjatjen e afatit.

Kërkesa do të shqyrtohet dhe me gjasë do të miratohet sot nga Komisioni i Sigurisë për tu kaluar në seancën e së enjtes, për sa kohë është mbështetur me firmë nga deputetë të LSI-së dhe të PS-së, dhe kur opozita mungon në Kuvend.


Në relacionin shoqërues, deputetët thonë se shkak për këtë çështje është bërë ritmi i lartë i qytetarëve që kanë filluar të dorëzojnë armët vullnetarisht.   

Relacioni
“Projektligji "Për një ndryshim në ligjin nr. 141/2016 "Për dhënie amnistie" ka si qëllim ndryshimin e afatit të parashikuar për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit të çdo lloji.

Konkretisht, propozohet që të amnistohen nga ndjekja penale të gjithë personat që vullnetarisht deri më datë 31 dhjetor 2017 deklarojnë ose njoftojnë pranë Policisë se Shtetit, në Komisariatin/Stacionin e Policisë më të afërt për dorëzimin e armëve të zjarrit të çdo lloji, që trajtohen sipas parashikimeve të paragrafit të dytë, të tretë dhe të katërt, të nenit 278, të Kodit Penal.

Shtyrja e këtij afati, e rrjedhimisht përfitimi nga amnistia për personat që dorëzojnë vullnetarisht armët, diktohet nga një sërë faktorësh, ndër të cilët, në mënyrë të përmbledhur mund të përmendim: Interesi i lartë i shtetasve për të dorëzuar armët e çdo lloji, duke përfshirë këtu edhe municione të ndryshme luftarake.

Vetëm në 2 muaj janë dorëzuar 1.300 armë, 1.350 granata, mina, predha, 50 kg tritol dhe mbi 410.000 municione të ndryshme luftarake; Rritja e sigurisë publike dhe parandalimin jo vetëm të veprës penale armëmbajtje pa leje, por edhe krime të tjera që mund të verifikohen si pasoje e përdorimit të mundshëm të këtyre armëve; Domosdoshmëria e ofrimit të mundësive ndaj asaj pjese të popullsisë e cila ka në posedim lloje të ndryshme armësh, duke i dorëzuar për të evituar përballjen me dispozitat ligjore sipas legjislacionit në fuqi për armët e rezultuara të humbura nga depot ushtarake”,-thuhet në relacionin e përgatitur nga deputetët.

Argumenti
“Të gjithë jemi dëshmitarë të veprave penale, ku si mjet krimi përdoren armët e zjarrit apo municionet e tyre, sidomos në krimet brenda familjes apo edhe vepra të tjera penale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Minimizimi i pranisë së armëve është domosdoshmëri për të reduktuar kryerjen veprave penale të realizuara me to. E drejta e policisë për t'i ndërmarrë këto aksione buron nga detyrat funksionale të vetë policisë, ku më e rëndësishmja është sigurimi i rendit dhe sigurisë publike (e sanksionuar në ligjin organik për Policinë e Shtetit).

Në gjithë këto vite Policia e Shtetit është ndjerë shpesh e pafuqishme për të parandaluar krimet brenda familjes, sidomos krimet për kryerjen e të cilëve janë përdorur armët e zjarrit dhe municionet e tyre të mbajtura pa lejen e organeve kompetente. Në interes të qetësisë dhe rendit publik u vlerësua e nevojshme shtyrja e afatit, e si rrjedhojë e përfitimit të amnistisë nga ndjekja penale, për dorëzimin vullnetar të armëve të llojeve të ndryshme”,-argumentojnë nëntë deputetët firmëtarë. 



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Plagoset me armë zjarri një person në aksin Postribë-Prekal (EMRI)

Shkodër/ Plagoset me armë zjarri një person në aksin Postribë-Prekal (EMRI)