Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtësisht me Italinë sa i takon krimit të organizuar dhe mes dy shërbimeve policore të Shqipërisë dhe palës italiane do bashkëpunohet edhe për fuqizimin e kontingjentit Italian të Guardia di Financa, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike.

Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi të Drejtorit të Policisë së Shtetit Drejtues Haki Çako me një delegacion të lartë të Guardia di Financa të kryesuar nga Gjeneral Brigade Stefano Screpanti dhe  i shoqëruar nga Kolonel Joselito Minuto i Guardia di Financa, Nënkolonel Luca De Paolis Guardia di Finanza si edhe dhe Drejtori i Interforcës në Shqipëri Dr. Michele Grillo.

Delegacioni do të inspektojë kontingjentin e Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë, që operon në Shqipëri prej disa vitesh.

Në takimin e sotëm të Drejtorit të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki ÇAKO me Gjeneralin e Brigadës së Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza u fol për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston ndërmjet dy shërbimeve policore të Shqipërisë dhe të Italisë, i cili karakterizohet nga veprimtari konkrete prej shumë vitesh.
 
Këto veprimtari në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e mbuluar nga Guardia di Finanza duke përfshirë veprimtarinë e përbashkët në hapësirën detare, por edhe në misionet e përbashkëta ajrore si monitorimi i territorit me avionë të posaçëm janë shprehje e një bashkëpunimi të ngushtë.
 
Nga ana e palës italiane u shpreh gatishmëria për një përforcim të kontingjentit prezent në Shqipëri në shenjë të forcimit të aktiviteteve të përbashkëta për parandalimin dhe goditjen  e fenomeneve të paligjshme.
 
Drejtori i Policisë së Shtetit falënderoi palën italiane për përkushtimin dhe gadishmërinë e konsoliduar tashmë ndërmjet dy shërbimeve policore duke e vënë theksin në faktin se niveli i bashkëpunimit i arrirë kohët e fundit mund të thuhet se është më i miri i arritur ndër vite.
 
“Konkretisht, shkëmbimi në kohë reale i informacionit ndërmjet dy vendeve dhe shkalla e operativitetit është mjaft e lartë dhe këtë nivel jo vetëm që do ta ruajmë por do ta rrisim akoma më shumë “- u shpreh ÇAKO .
 
Delegacioni i Guardia di Finanza do të vijojë vizitat inspektuese në kontingjentin e Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)