TIRANË – Komuniteti çam në Shqipëri propozon ndërhyrjen në tekstet shkollore të historisë për të pasqyruar, të vërtetën, sipas tyre të çështjes came.
Instituti i Studimeve për Camërinë gjatë paradites së sotme organizoi një konferencë me temë “Historia, gjeografia, gjuha, kultura dhe traditat e Çamërisë në tekstet dhe programet parauniversitarë, universitarë dhe akademikë”. Profesorët shtruan një sërë problematikash, por çështja më urgjente ishte informimi i brezave të rinj në lidhje me çështjen çame. Përfshirja e historikut dhe shtrirjes së këtij territori të mohuar padrejtësisht prej 100 vjetësh në botimet shkencore në nivel parauniversitar dhe akademikë paraqitet si problematika më serioze.

PROPOZIMI
Të pranishmëve në konferencë diskutuan mundësinë e rishikimit dhe rivlerësimit të teksteve mësimore, pasi sikurse u shprehën drejtuesit e panelit, nëpër shkollat tona vihet re një handikap i madh lidhur me pasqyrimin e çështjes çame dhe të të gjithë aspekteve që e formësojnë atë. U diskutua dhe për mundësinë që krijojnë arkivat e shteteve si Anglia, Franca dhe Italia për një tablo më të qartë dhe më të plotë të krahinës së Çamërisë, pasi AQSH është shumë i varfër në këtë drejtim. Megjithëse, bëhen përpjekje të pafundme për ta ngritur dhe trajtuar këtë çështje, megjithë presionin në nivel politik, vetë profesorët shprehen se shpeshherë ua paraqesin studentëve këtë çështje madhore për ta trajtuar në mënyrë që vetë ata të thellojnë studimet.

Gjithashtu ekspertët e institutit propozuan edhe përfshirjen e krahinës së Çamërisë si zë në fjalorin enciklopedik duke përfshirë këtu si, emrat e vendeve, të personaliteteve dhe ngjarjeve që përfaqësojnë Çamërinë.

(aq/shqiptarja.com)