Çelet panairi i punës
6 mijë vende të reja

Çelet panairi i punës<br />6 mijë vende të reja
TIRANE- Nëse jeni i papunë dhe jeni diplomuar në infermieri, jeni të aftë në disa zanate apo në biznesin fason, një vend të tillë mund ta gjeni në Panairin e Punës, i cili është çelur dje. Ky panair do të ofrojë 8 mijë vende pune në 80 kompani të ndryshme në të gjithë vendin. Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj të cilët hapën këtë panair, theksuan se të gjithë ata që punësojnë shtresat në nevojë qeveria do të ofrojë shumë lehtësira.
 
Panairi
Plot 80 kompani private të cilat operojnë në vendin tonë kanë ngritur stendat në Panairin e Punës të çelur dje në Tiranë. Për të gjitha ato biznese të cilat do të punësojnë persona të cilët i përkasin shtresave në nevojë, qeveria do të ofrojë një serë lehtësirash. Ky fakt është pohuar nga Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. “Ne kemi kaluar një VKM për nxitjen e punësimit, për personat me aftësi të kufizuar e cila i bashkohet paketës, të cilat ne do i përdorim për të ndarë fondin e punësimit prej 2.7 milionë dollarësh.

Fondi është trefishuar këtë vit, është një lajmë i mirë dhe kemi rritur me 300 % fondin e punësimit. Ne do të shpërblejmë për një vit sigurimet e plota shëndetësore dhe 4 paga të gjitha ato kompani që do të punësojnë gra dhe vajza, ata që do të mundësojnë të rinj dhe nga grupe të marxhinalizuara të romë ose egjiptianë dhe ata që do të punësojnë persona me aftësi të kufizuara”, tha Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale. Sipas tij, të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i njerëzve të siguruar dhe i vendeve të reja të punës, nga tetori e deri dje është 25 mijë persona. “Kemi  mbi 5 zyra punësimi kanë arritur t’u shërbejnë më shumë se 6300 punëkërkuesve , për të siguruar 5500 vende pune vetëm nga ndërmjetësimi i këtyre zyrave”, tha Veliaj.
 
Punësimi
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se ekonomia është drejt rritjes dhe se deri tani janë hapur 25 mijë vende të reja pune. “Ka filluar rimëkëmbja ekonomike të gjitha shifrat dhe të dhënat na thonë që ekonomia shqiptare është në rritje të stabilizuar dhe cilësore. Brenda muajve të fundit janë regjistruar 25 mijë vende të reja pune”, tha Arben Ahmetaj, Ministër i Ekonomisë. Por edhe pse ka mijëra vende të lira pune, ekziston mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës. Bizneset janë të prirur drejt punëve të zanatit, ndërsa një pjesë e punëdhënësve kanë mbaruar universitetin dhe nuk janë të interesuar për këto vende pune.

Dje, shumë të rinj kanë aplikuar për një vend punë në sektorë të ndryshëm si në bankë, inxhinier, industri fason etj, por rezultoi që shumë prej tyre të ishin juristë, ekonomistë, ku vendet për këto profesione ishin të limituara. Ndërkohë të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari deri në 30 prill, në sistemin e zyrave të punësimit janë shpallur 10.757 vende të reja pune gjithsej. Sektorët ekonomikë që kanë publikuar më shumë vende të lira punë në këtë periudhë janë: industria përpunuese, tregtia, teknologji, transport-telekomunikacioni, hoteleri-turizëm, sektori i ndërtimit, i bankave etj.

Shkrimi u publikua sot 1 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Barcelona do të rrisë taksën turistike

Barcelona do të rrisë taksën turistike