Ish-ministri Saimir Tahiri është kthyer në kryefjalën e politikës prej ditësh, teksa sot është kërkuar nga Prokuroria dhe arrestimi i tij. Në lidhje me këtë, ka reaguar dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili shkruan se drejtësia nuk mund të jetë larje hesapesh mes politikanëve, por është vendi ku të vërtetat dalin me prova dhe jo me llafe.

Ish-ministri i LSI shkruan në “Facebook” se nuk na duhet një Kadri Hazbi, teksa shton se Rama po sugjeron se ‘është ai që ka vendosur burgosjen e Saimirit’ dhe nëse është kështu duhet ndalur kjo poshtëri.

Postimi i plotë i Manjanit:
Nuk na duhet një Kadri Hazbi... Edi Rama na sugjeron se “është Ai që ka vendosur burgosjen e Sajmirit”. Nëse vërtetë është kështu duhet ndalur kjo poshtërsi! Është e ngjashme me gjyqin politik të Kadri Hazbiut!

Akuza, arresti, kontrolli i banesës apo edhe gjykimi e dënimi/pafajësia, në shoqërinë demokratike janë çështje ekskluzive të drejtësisë, jo të qeverisë!

Drejtësia nuk mund të jetë larje hesapesh ndërmjet politikanësh! Ajo i shërben publikut për të vendosur sundimin e ligjit për të gjithë njësoj. Drejtësia është vendi ku të vërtetat dalin me prova jo me llafe! Publikut i intereson të dijë se si u kanabizua i gjithë vendi? Kush urdhëroi zbatimin e ketij projekti? Kush u mor me te? Kush perfitoi dhe sa?

Dua të besoj se Prokuroria e ndihmuar dhe nga institucione te huaja, po e trajton kështu këtë çështje! Dua të besoj se ajo që sugjeron Rama, se është Ai që po ja fut Sajmirit, është gënjeshtër e një keqbërësi të kapur në flagrancë!

Arsye për ta besuar këtë ka plot, por kryesorja është se grupi kriminal u arrestua nga Italianet dhe droga e sekuestruar mbreme u bë pa dijenine e policisë që do Rama.

Ai është kapur në flagrancë nga opinioni publik, si drejtues i operacionit të kanabizimit për të blerë zgjedhjet! Mbetet që ta zërë në flagrancë edhe drejtësia me fakte e prova! Ndërkohë shpresoj shumë që Sajmiri të mos jetë Kadri Hazbiu. Është kohë tjetër kjo që jetojmë...

d.c./shqiptarja.com