E para, një kredi e shkurtit 2008, dhënë nga Alpha Bank për “rrugën e kombit”, segmenti Rrëshen-Kalimash, me vlerë 230 milionë euro, nuk ka nisur të paguhet. Pagesa e parë për këtë kredi është caktuar më 4 prill të vitit 2014 dhe pagesa e fundit duhet të kryhet më 4 prill të 2023-it. Kredia është një nga dy kreditë, e marra për të financuar projektin infrastrukturor më për zemër të Berishës, që u krye me një çmim tepër të lartë financiar.
E dyta, më 30 prill po të vitit të ardhshëm, pra 26 ditë më pas, duhet të fillojë pagesa e kredisë prej 222.7 milionë dollarësh, marrë nga Banka Islamike për Zhvillim për ndërtimin e segmentit tjetër rrugor, po ashtu të preferuar nga Berisha, për lidhjen e re të Tiranës me Elbasanin.
Edhe kjo kredi nuk është shlyer për asnjë qindarkë dhe do të vijojë të shlyhet deri në vitin 2031. E treta, më 5 janar të vitit të ardhshëm duhet të nisë pagesa e kredisë së marrë nga Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë prej 38.7 milionë eurosh, të marrë për ndërtimin e termocentralit të Vlorës, që do të vazhdojë deri në vitin 2023.
E katërta, më 11 prill 2015, Shqipëria duhet të shtrëngohet mirë, për të gjetur 300 milionë euro, që do t’i paguajë të gjitha njëherësh, brenda po asaj dite, në një dorë të vetme. Me këtë kusht është shitur eurobondi pesëvjeçar, i hedhur në tregun financiar botëror dhe i shpallur si një fitore e madhe nga qeveria Berisha.
Këto janë vetëm disa nga kreditë e mëdha që duhet të paguhen nga qeveria e ardhshme shqiptare, e cila duket se do të ketë nëpër këmbë, menjëherë pas marrjes së mandatit qeverisës, gjyle të rënda për t’i hequr zvarrë dhe që do ta pengonin në çdo hap dikasterin e Financave për të ndërmarrë reforma të qenësishme për të ndryshuar situatën e pagesave nga shteti në shumë sektorë, të lënë pas dore.
Sa do të jetë në gjendje ajo ta kryejë një gjë të tillë? Kjo është tjetër çështje. Paratë duhet të gjenden me çdo kusht, por sa do të ndikonin ato mbi një borxh që edhe aktualisht është mbytës për çdo lëvizje financiare për të zgjidhur çështje të mbetura pezull, si kompensimi i pronarëve, i të burgosurve politikë, por edhe për të paguar ato qindra milionë euro që shteti u ka borxh firmave private që kanë ndërtuar rrugët?
Dyshja Berisha-Bode ka vepruar në mënyrë tepër spontane dhe pa largpamësi në menaxhimin e parave publike. Thjesht, politika e mbajtjes së pushtetit kërkonte që të ndërtohej një rrugë, të sigurohej energjia elektrike edhe për ata që nuk dinin se ku binte arka e pagesës dhe paratë për to do të merreshin me çfarëdo çmimi.
Berisha vetë ka insistuar më parë që të hiqej dorë nga kreditë e buta, për të kaluar në kreditimin e shtrenjtë tregtar dhe rezultati është ky që shihet. 230 milionë euro të “rrugës së kombit” do të paguhen në nëntë vjet, ndërkohë që më parë kreditimi i butë nga institucionet ndërkombëtare kishte terma nga 25 deri në 30 vjet maturimi. Eurobondi do të paguhet në një ditë. Po kështu, do të paguajmë edhe kredinë e marrë për një TEC, që sot e kësaj dite ka mbetur në mëshirë të shiut e ndryshkut, pasi qeveria nuk ka qenë e aftë ta verë në funksionim.
Qeveria aktuale, nga ana tjetër, ka të nënshkruara më shumë se 860 milionë euro kredi, të cilat ende nuk janë disbursuar. Të dhënat janë marrë nga ministria e Financave dhe tregojnë se me këtë shumë financimi i deficitit buxhetor është i garantuar deri në fillim të vitit 2016. Po më pas?
Dyshja Berisha-Bode e ka shteruar që prej disa vitesh mundësinë e të grumbulluarit të të ardhurave të mjaftueshme buxhetore për të përballuar borxhet e mëdha që ka marrë.
Shifrat e Financave për herë të parë kanë pranuar rënie faktike, që duhet të jetë shumë më e madhe se ajo që raportohet. Në këto kushte, e vetmja mundësi rrugëdaljeje, madje edhe për qeveri me politika të tjera fiskale, do të ishte vijimi i shitjes së pronave të mëdha publike, siç u tentua me privatizimin e Albpetrolit për shembull.
Në rast se një qeveri e re do të rikthejë në vendin e duhur Fondin Monetar Ndërkombëtar, praktikisht të larguar nga qeveria Berisha prej Shqipërisë, ky institucion do të kërkonte marrjen e masave, si ato që kërkon nga çdo vend me probleme financiare dhe që do ta kthenin çdo qeveri, madje edhe atë të votuar në mënyrë plebishitare, menjëherë në antipopullore.
Ndoshta një nga arsyet djallëzore të marrjes agresive të borxheve prej qeverisë Berisha ka qenë edhe kjo. Në momentin e mitingjeve e premtimeve elektorale, nuk mund të pritet që ndonjë parti apo koalicion të dalë me tezën e rregullimit të financave publike, të paktën jo me shprehjen qartësisht të politikave që do të ndjekë.
Por, përtej propagandës, sfida më e madhe për qeverinë e ardhshme shqiptare mbetet rikthimi i ritmeve të rritjes, duke kthyer edhe borxhet njëkohësisht. Trashëgimia është katastrofike, por një qeveri me vota të shumicës dërmuese mund të marrë masa drastike, të vetmet të afta që mund të japin një zgjidhje pozitive të situatës së krijuar nga “plangprishësit” e parasë së shqiptarëve.
Politikanët duhet t’i nisin nga vetja kufizimet, në mënyrë që të bëhen të besueshëm e të pranueshëm edhe për pjesën tjetër të popullsisë. Por, gjithnjë duke synuar të gjejnë brenda ekonomisë shqiptare mundësitë e financimit e të kapërcimit të situatës së vështirë të krijuar, jo me “çeqe të bardhë” apo premtime të parealizueshme.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)