TIRANE- Për t’u shkëputur përfundimisht nga shtetasi gjerman Werner Mehlber, gruaja e Gjin Gjonit, Elona Çaushi i është drejtuar me një kërkesë njësisë bashkiake nr.9, ku ka kërkuar ndryshimin e mbiemrit. Në dokumentin që gazeta “Shqiptarja.com” zotëron, rezulton se Elona Çaushi në datën 2 shtator 2010 ka mundur ta ndryshojë mbiemrin nga nga Elona Shpëtim Mehlber është bërë në Elona Shpëtim Çaushi. Dokumenti është firmosur nga kryetari i minibashkisë së asaj kohe Armond Halebi.

Gjatë ditës së djeshme çifti i bashkëshortëve Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë reaguar nëpërmjet një njoftimi për media, ku janë shprehur se: “E konsiderojmë një fushatë denigruese me qëllime politike organizuar nga formate të caktuara të saj që më pa të drejtë kanë bërë objekt familjen tonë, për fat të keq duke vënë në lëvizje institucionet më të rëndësishme të shtetit, si ILDKP. Të gjitha deklarimet e dhëna nga një pjesë e shtypit janë akuza te montuara me keqdashje në dhoma të errta të një pjese të politikës dhe të grupeve të interesit që qëndrojnë pas tyre. Këtë vërteton edhe fakti që deri në momentin e realizimit të kësaj deklarate nga ILDKP, nuk është depozituar asnjë kallzim penal as në prokurorinë e Tiranës, as në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kjo fushatë koincidon jo rastësisht edhe me diskutimin e djeshëm në Kuvend të ashtuquajtur ligji i ri për institucionin e Kontrollit te Pasurive (ILDKP) ku parashikohen edhe heqjet e kompetencave të Presidentit të Republikës, në lidhje me këtë institucion”. Sipas gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi,me qëllim keqdashës është realizuar një bashkim mekanik të dy deklaratave të veçanta, të pasurisë , të hartuara nga të dy së bashku, pasi martesa midis tyre ka ndodhur më datë 30.12.2011 dhe kjo është datë e deklarimit të përbashkët.

“Nëpërmjet goditjes sime, e cila është inicuar nga një fushatë paraprake e një pjese të shtypit të shkruar dhe atij audioviziv, për një periudhë kohore dy-javore, kërkohet të uzurpohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të atakohet vetë Presidenti i Republikës për të nënshtruar, denigruar dhe intimiduar”-shprehet Gjin Gjoni.

Shkrimi u publikua sot 25 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)