Zgjerohen përgjimet parandaluese, ndërsa ripërcaktohen procedurat, autoritetet dhe arsyet e gjurmimit. Nëse ligji aktual parashikon vetëm përgjimin e telekomunikimeve, ndryshimet e propozuara nga ekspertët parashikojnë video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike, dëgjimin e bisedave mes personave si dhe regjistrimin e fshehtë të bisedave në mjediset private dhe publike. Pra, për herë të parë, në kuadër të përgjimeve parandaluese, institucionet që kanë të drejtë të gjurmojnë, mund të vendosin pajisje përgjimi në mjedise private dhe publike, për regjistrimin e bisedave të të dyshuarave për korrupsion dhe vepra të tjera penale, në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Objekt përgjimi do të jenë sinjalet e individëve, shkrimet, fotografitë, të dhënat audio-vizuale ose lloj tjetër informacioni, bisedat telefonike, sjelljet dhe bisedat e kryera në vendet private dhe publike. Sipas propozuesve, ky parashikim është në përputhje me deklaratën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përcakton të drejtave e individëve që duhet të mbrohen në çdo shtet nënshkrues.

Kush do përgjohet
Do të përgjohet të dyshuarit për përfshirje në afera korruptive, për llogari të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë Antikorrupsion. Pra, në shënjestër do të jenë zyrtarët e lartë. Po ashtu, objekt përgjimi do të jenë jakat e bardha të dyshuar si të përfshirë në veprimtari të paligjshme, personat e përfshirë në veprimtari që cënojnë sigurinë e organeve qeveritare, sigurisë së zyrtarëve më të lartë të shtetit, të qytetarëve dhe interesin kombëtar përmes; terrorizmit dhe formave të tjera të dhunës së organizuar; organizimit dhe aktiviteteve ekstremiste të grupeve dhe individëve; bandave të armatosura dhe organizatave kriminale etj.

Si do kryhet përgjimi
Drafti parashikon që proceset teknike të përgjimit, për llogari të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, realizohen nëpërmjet seksionit të tyre të përgjimeve, të atashuar në strukturën Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH. Për llogari të institucioneve të tjera, procesi teknik i përgjimit kryhet nga punonjësit e autorizuar prej tyre. Realizimi i përgjimit nga Sektori i Përgjimeve ne SHISH bëhet nëpërmjet sistemeve te instaluara për këtë qellim. Sistemi i përgjimit kurdoherë duhet të jetë i përbërë nga dy pjesë, të cilat nuk mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com