Ndonëse kanë kaluar shumë vite, ende e mbaj mend habinë që ma pati shkaktuar në vitin 1992, në 500-vjetorin e zbulimit të Amerikës, njohuria se Kristofor Kolumbo, po aq sa si hero i eksplorimit, siç e mësonim në shkollë të kish qenë, pothuajse konsiderohej edhe si – thënë shkurt e shqip - zuzar e lakmitar, madje edhe si njeri që ia ka hapur rrugën gjenocidit – një term ky sigurisht i krijuar në shekujt pas tij – të indigjenëve të kontinentit të ri.

Dhe, më e çuditshmja ishte se në ndonjë epokë kohore kishte dominuar njëri vlerësim për të, në tjetrën tjetri, diametralisht i kundërt me të parin. Historianët kishin një shpjegim të bindshëm për këtë dukuri: njerëzit, ndër të cilët përkasin edhe historianët apo jo, shpesh në të kaluarën i projektojnë edhe preokupimet e dëshirat e synimet e së tashmes.


Nëse ka ndodhur kështu me Kolumbon, pse të mos ndodh kështu edhe me Skënderbeun!

Nuk është fare e çuditshme, prandaj, pse në kohën e sotme janë hapur debate rreth figurës më të shquar në historinë e shqiptarëve dhe deri vonë i pakontestueshëm si heroi kryesor kombëtar i shqiptarëve. Së pari, kjo duhet të jetë manifestim i lirisë së shprehjes, të jetësuar në Shqipërinë post-komuniste dhe në Kosovën e çliruar. Së dyti, të dyja shoqëritë shqiptare, secila në mënyrën e vet, kaluan në periudha mjaft traumatike pas tronditjes globale – rënies së bllokut lindor dhe ende janë larg të jenë shoqëri stabile, me identitet të ri të formësuar.

Në qoftë se përpjekjet për demitizimin e figurës së Skënderbeut nga ata që identitetin kombëtar synojnë ta zëvendësojnë me identitetin fetar edhe nuk duhet të merren aq seriozisht, çështja fiton rëndësi tjetër kur një Fatos Lubonja, motivet e të cilit s’mund të jenë tjera pos për të thënë të vërtetën, deklaron se luftërat e Skënderbeut s’janë bërë për të çliruar atdheun, por motivet e tij “kanë qenë fetare ose pronash”, apo “ka qenë edhe Vatikani dhe Venediku që po pushtonte territore...”

Por, në qoftë se motivet e Skënderbeut kanë qenë vërtet personale, apo se në luftëra ka qenë i shtyrë nga Venediku e Vatikani, si mund të shpjegohet fakti se atij populli nuk iu nda për pothuajse 25 vjet në lufta, i djegur e i pjekur nga ekspeditat ndëshkuese të mizërisë së ushtrisë turke?

Fan Noli, i cili në shqyrtimet e tij historike, si sot historianët modernë, pos rolit të prijësit, merr në konsideratë edhe faktorët socio-ekonomikë dhe motivet e të cilit nuk kanë qenë për të shkruar një mit të ri për Skënderbeun, po një histori të vërtetë, thotë përafërsisht kështu: ata ishin fshatarë të lirë deri sa të tjerët ishin bujkrobër, flisnin shqip në një det gjuhësh sllave, turke e greke dhe ishin të krishterë katolikë në mesin e turqve myslimanë dhe ortodoksëve.

Cila është e vërteta – u mbetet historianëve të thonë. Por, jam i sigurt se diskursi i Lubonjës ka një shtysë të brendshme – ngopjen e tij me atë lloj nacionalizimi stalinist të kultivuar nga diktatura e Enver Hoxhës, me qëllim të mbajtjes së kohezionit shoqëror rreth pushtetit të uzurpuar nga një parti, një klikë dhe një prijës.

Jehona e largët e këtij lloj nacionalizimi gjallon edhe sot në Kosovë dhe, se strukturat udhëheqëse të luftës kanë luftuar për pushtet e jo për liri ne bindemi përditë, deri sa Kosovën e kanë shndërruar në pre lufte, e jo në një vend të çliruar. Por, tërë të vërtetën për këtë u mbetet ta thonë historianët. Pasi të kenë çliruar historinë nga çfarëdo roli tjetër të saj, kombëtar e politik, dhe t’i shërbejë të vërtetës dhe vetëm të vërtetës.