Aleksander Ceferin ndryshon mendje dhe rikthehet në garën për një tjetër mandat në krye të UEFA-s. Presidenti slloven, i cili në vitin 2024 kishte deklaruar se nuk do të kandidonte më përtej mandatit që përfundon në vitin 2027, tashmë ka vendosur të kërkojë një mandat të ri.

Vendimi i kësaj të enjte ngre një pyetje: si është e mundur të kërkojë mandatin e katërt, kur rregullat e UEFA-s parashikojnë maksimumi tre mandate?

Përgjigjja qëndron te mënyra se si UEFA i numëron mandatet. Në vitin 2017, me iniciativën e vetë Ceferinit, UEFA miratoi reforma të qeverisjes që vendosën kufirin prej tre mandatesh katërvjeçare për presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Ceferin u zgjodh për herë të parë në shtator 2016, kur mori drejtimin e UEFA-s pas largimit të Michel Platini. Ai më pas u rizgjodh në vitin 2019 dhe përsëri në vitin 2023. UEFA e konfirmon zyrtarisht se ai është zgjedhur president në vitin 2016 dhe është rizgjedhur për një mandat katërvjeçar në vitin 2023.

Por në vitin 2024 u ndryshua statuti. Një dispozitë përcakton se mandatet e nisura ose të kryera përpara 1 korrikut 2017 nuk merren parasysh për kufirin e mandateve.

Kjo do të thotë se mandati i parë i Čeferinit, ai i periudhës 2016–2019, nuk llogaritet për kufirin tre-mandatësh.

Në 2024 Ceferin tha se nuk do të kandidonte për një mandat të 4, pasi ka nevojë të kalonte më shumë kohë me familjen. Dy vjet më vonë, qëndrimi ka ndryshuar. Ky hap i sotëm do të thotë se Ceferin nuk do të kandidojë për presidencën e FIFA-s, pavarësisht se emri i tij ishte përmendur si një nga kandidatët e mundshëm për pasardhësin e Gianni Infantinos. Vendimi i tij tregon se prioriteti mbetet vazhdimi në krye të UEFA-s.