/ATSH/- Programi aktual italo-shqiptar i Bashkëpunimit për Zhvillim që përfshin Programin e Konvertimit të Borxhit (IADSA, Italian-Albanian Debt for Development Swap Agreement), synon të mbështesë iniciativat e zhvillimit social të propozuara nga autoritetet publike shqiptare përkatëse.

Në një njoftim për shtyp të ambasadës italiane në Tiranë, bëhet e ditur se, do të jenë të pranueshme projektet e formuluar në linjë me prioritetet strategjike të identifikuar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të Qeverisë shqiptare, me strategjitë sektoriale dhe ato ndërsektoriale si dhe me Planin e Veprimit Kombëtar për Implementimin e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit të Shqipërisë.

Këto projekte kanë të bëjnë me aspektet dhe sektorët prioritarë të mëposhtëm: arsimimin gjithëpërfshirës dhe cilësor, të mësuarit profesional dhe gjatë gjithë jetës shëndetësinë publike, përfshirjen sociale, gjenerimin e punësimit, zhvillimin e qëndrueshëm territorial dhe kohezionin social.

Projektet përzgjidhen përmes "Thirrjeve për Propozime", të cilat publikohen në mënyrë periodike në faqen e internetit të IADSA-s në të cilat kanë të drejtë të konkurojnë institucionet publike shqiptare. Për zbatimin e projekteve janë të pranueshme edhe bashkëpunime në formë partnership-i me OJF shqiptare dhe italiane, entet lokale italiane si dhe me Organizma Ndërkombëtare.

Në përgjigje të dy thirrjeve të para për periudhën 2013-2014, IADSA ka financuar 25 projekte me një vlerë totale prej 9 milionë eurosh. Thirrja e Tretë do të publikohet më 27 janar dhe duke marrë parasysh zgjedhjet e ardhshme administrative të cilat do të mbahen në Shqipëri në qershor, do të jetë e hapur vetëm për institucionet qendrore shqiptare. Afati i fundit për prezantimin e projekteve do të jetë ora 12.00 e datës 30 mars 2015.

Në konferencën që do të çelet nesër parashikohet të shpallet Thirrja e Tretë për përzgjedhjen e projekteve. Aktiviteti do të mbahet në Tiranë, pranë Pallatit të Kongreseve dhe pritet të marrin fjalën, ministri shqiptar i Financave, Shkëlqim Cani, ambasadori italian, Massimo Gaiani, dhe Zëvendëskryeministri , Niko Peleshi. Konferenca do të drejtohet nga Drejtori i Zyrës së Kooperacionit të Ambasadës Italiane,  Andrea Senatori.