Çelësi

Çelësi
Kur hidrauliku erdhi dhe pa tubat e banjos, ai tha se ato ishin të bllokuara dhe prandaj uji tërhiqej me zor. Atë ditë s`mund të punonte, pasi veglat ia kishte huajtur një shoku për pak kohë, ndërsa do të gjente rastin më të parë, pasi për mjekun kishte respekt, madje i vinte zor që nuk mund ta kryente këtë punë siç dëshironte.

Gruaja e mjekut vështroi anës murit dhe rrudhi buzët me një pakënaqësi të hapur dhe ai duke vënë re fytyrën e saj të menduar asesi nuk e mendoi se ajo duhej të sillej pikërisht ashtu, ndërsa po pinte më këmbë një gotë raki nga një zor i imponuar për të mos e fyer atë grua ; u kujtua se duhej të linte numrin e telefonit, nxori një letër të zhubrosur dhe me një laps të shkurtër e shkroi numrin duke e mbështetur letrën mbi lavatriçen që rrinte e heshtur në koridor.

Gruaja nuk e preku letrën dhe ashtu me fytyrë të vërejtur  në refleksin e një mundimi të dikurshëm e luti për gotën e dytë, shtriqi krahët sikur të mos i kishte mjaftuar gjumi i natës dhe hapi derën e dhomës së gjumit, po ndërkohë hidrauliku kishte dalë në koridorin e jashtë dhe po zbriste shkallët. Duke i zbritur ato me hap të ngadaltë atij po i sillej ndërmend pamja e asaj gruaje, fytyra e saj e bukur po e përhumbur në një qetësi që vinte pas një lufte shpirtërore dhe sidomos mjeku i njohur që e kishte takuar disa herë dhe disa herë i qe lutur të vinte e të shihte ato të flamosura tuba  se nuk duroheshin gratë.

Mjekun e njihte edhe kishte respekt, po gruaja e tij sesi iu duk, sikur ai t`i kishte ndonjë faj. Hidrauliku mendoi se ia behu një punë e mirë, mjeku kishte para dhe në atë çast u ndërmend se sa hajvan ishte treguar që kishte huajtur veglat e punës. Asnjëherë nuk jepen të shkretat, ckërmitej me vete, ndërsa kishte dalë në sheshin e madh para pallatit dhe ktheu kokën edhe një herë për të fiksuar katin ku banonte mjeku. Ishte një pallat i ri, ndërtuar me shijen e arkitekturës më të fundit;kuptohet jo kushdo mund të blinte hyrje aty, vetëm pasanikët.

Ndërsa iu kujtua shtëpia e tij e thjeshtë në periferi, e në atë çast i hodhi sërish sytë për të parë katin e tretë, aty ku banonte mjeku dhe iu duk se një perde lëvizi. Mos vallë ajo gruaja po e ndiqte me sy, e pezmatuar me të drejtë;qëndroi dhe pa sërish, po në heshtjen e dritareve të katit të tretë asgjë nuk lëvizte.

Ishte një mbrëmje kur hidrauliku po shetiste nëpër një rrugë kot më kot, pa asnjë kacidhe në xhep. Ai sërish po mendonte për veglat e huajtura shokut, për shokun që kishte mbyllur telefonin dhe s`dihej ku ishte. Kishte dëgjuar kalimthi se kishte shkuar në një brigadë punëtorësh në Sarandë dhe në ato çaste po ndjente në vetvete peshën e një gabimi të pafalshëm. Bëj nder e gjej qeder, mërmëriste me vete, kur ndjeu se dikush e kapi për krahu. Ishte mjeku.

Kur gjërat vijnë e mblidhen për ters nganjëherë bëhen aq të bezdisshme sa sikur të duash t`i rregullosh kaq përpikmërisht në kahun e tyre, nuk mundesh, çfarë duhej t`i thoshte tani mjekut të nderuar, të thoshte se duhej të gjente një hidraulik tjetër, vallë nuk e dinte mjeku këtë, por edhe s`mund t`ia thoshte këtë edhe për faktin se ajo punë ishte me leverdi, mjeku paguante aq sa ai do t`i kërkonte. Ustai pa vegla është si një ulok pa paterica, mendoi, ndërsa mjeku e tërhoqi nga krahu sikur ta kishte zënë në faj.

Dhe vëtetë ai ishte në faj, në faj të vetvetes. Mjeku një mesoburrë thatim, me një trup të lehtë, fytyrë imcake dhe një tufë flokësh që i binin mbi ballin e pjerrët e ftoi për kafe. Në fillim deshi ta refuzonte, do të ndjehej si mbi gjëmba për punën e mosbërë, po mjeku nuk i foli fare për tubat, ai tha se atë mbrëmje kishte nevojë ta shoqëronte një njeri, dhe se njeri më të përshtatshëm se ai nuk mund të gjente, pasi edhe e njihte mirë dhe do rrinin diku. Fjalët e tij ishin të sinqerta dhe ai nuk po kuptonte pse kishte gjetur pikërisht atë, një mjek i sojmë të pinte me një punëtor, kur mjeku mund të thërriste ndonjë shok të sërës së vet, ndërsa po mendonte se në ato çaste nuk mund të kundërshtonte për asgjë. Fundja nuk kishte pse tregohej shpërfillës as të sajonte ndonjë punë kur nuk kishte, mjeku po e ftonte dhe duhej të shkonte pas tij.

Ishte vonë, ndoshta ora dhjetë, kur ata sapo kishin dalë nga klubi dhe u gjendën para pallatit të lartë, kur mjeku çuditërisht  tha se duhejtë ktheheshin sërish në klub. Ai pa nga dritaret e shtëpisë së tij dritat e ndezura, të trija dritaret llamburinin dhe atij iu duk se ato llamburisnin më fort. Kthehemi, tha mjeku, nuk qenkan shuar…Hidrauliku që duhej të shkonte në periferi dhe autobuzët urbanë mbase kishin orarin e fundit pikërisht tani, deshi ta thoshte enkas  këtë, po unuk e tha . Ierdhi zor, apo mbase iu dhimbs ai njeri, po nuk po kuptonte përse duhej të pinte prapë, i cili me atë trup të hollë s`dihej ku e çonte rakinë, sidoqoftë duhej të zbatonte urdhërin e tij sepse ishte fajtor. U rikthyen në lokalin ku kishin qenë, i cili ishte boshatisur.

Mjeku nxori një shuk parashë dhe i vuri mbi tavolinë. Këto do t`i pimë, tha. Hidrauliku heshti dhe i pa paratë ku përziheshin ca kartmonedha euro. Kur erdhi kamarieri ai ia zgjati shukun e parave atij duke i thënë se lokali për atë natë ishte i bllokiuar. Kamarieri nuk i mori paratë, vetëm shkëputi një fije prej tyre me lutjen e mjekut dhe solli pas pak dy pjata me mëlçi të ngrohta dhe gotat e rakisë. Ai e ckërmiti një cope, ndërsaedhe pjatën e vet ia zgjati hidraulikut.

-E që ta dijsh ti, mik vëllai, në të gjithë qytetin shuhen dritat vetëm dritat e shtëpisë sime rrinë ndezur…, mërmëriste mjeku, ndërsa thithte me një etje të ngopur pikat e rakisë. Vonë ata u ngritën. Ishte ora afër dymbëdhjetës, ndërsa mjeku tani ishte në një gjendje jo të mirë. Ai nuk kishte ngrënë, madje pjata e tij rrinte aty. Mjeku po fliste për ca punë të ngutshme që kishte bërë atë ditë. Veçse sqarimet e tij vinin të ndërprera, aq sa ai nuk po merrte vesh se për çfarë po fliste, veçse miratonte me zë fjalët e tij. I shkreti e kishte humbur toruan për shkak të asaj të flamosure raki. Rakia ka hedhur poshtë burrat më të mirë të kësaj bote, rakia dhe kurvnia, mendonte hidrauliku me vete, ndërsa shkonte ndërmend sërish  shokun e tij, veglat e huazuara, dhe po ta kishte kryer atë punë, me siguri nuk do ndodhej sonte këtu.

Kur u gjendën para pallatit ai vuri re se dritat ishin fikur.
-Qenkan fikur tha mjeku, u duk se këtë fjalë e  mërmëriti me një gëzim të papërshkuar. Pse duhej të fliste ashtu ai këtë s`kishte për ta kuptuar kurrë, ashtu siç nuk mund të kuptonte sesi një njeri kaq i nderuar mund të katandisej ne këtë gjendje, po mirë që ishte natë dhe njerëz kishte rrallë ose aspak që ata të shihnin këtë njeri kaq të nderuar në këtë gjendje. Për atë nuk kishte rëndësi, fundja një hidraulik ishte dhe nuk banonte në zonën e zotërinjve të fisëm.

Mjeku qëndroi befas dhe turfulloi. Mbase për të shprazur pakëz efektin trullosës të rakisë, trufulloi si një kalë që ka ngrënë shumë tërshërë. I erdhi të qeshte me këtë qëndrim dhe vuri re se mjeku mbase u bë më esëll, i erdhi mirë për këtë, tani do ndaheshin ndërsa ai do shpëtonte nga ky siklet ankthi dhe padurimi për tu ndarë. Por turfullimi i tij nuk solli ndonjë gjë që të merrte për mirë. Ai turfullim ishte mbase përpjekja e fundit për të dalë nga një kujtim i lig. E ngaqë s`doli dot, befas mjekut iu varën këmbët nën peshën e një dobësie të papritu dhe ai ra në tokë.

Hidrauliku i fuqishëm e ngriti, po çuditërisht, trupi i tij ishte i rëndë, megjithatë ai e pati fuqinë e duhur  ta ngrinte mjekun i cili në ato çaste nuk kuptonte, kurrësesi, asgjë. O zot, ç`më gjeti, psherëtiu hidrauliku me vete, po sikur të vdesë, larg, qoftë, hajde ec nëpër hetuesira dhe gjyqe, hajde përballoje këtë të keqe, po sikur të bënin atë fajtor, ?Hidrauliku u dodh. Për pijanecin, mos kij mëshirë, lere aty ku e lë rakia, kishte dëgjuar dikur, ndërsa tani po mendonte se çfarë duhej të bënte. Vendosi që ta çonte në shtëpi. Nuk mund ta linte në mes të rrugës, nuk shkonte, shtëpia ishte afër.

Ai e ngriti në këmbë, e hodhi mbi kurriz dhe me hap të ngadaltë mori për nga rruga ku gjendej pallati. Kur arriti tejk dera e hyrjes kapi dorezën dhe kuptoi se dera ishte mbyllur. Futi duart nëpër xhepat e xhaketës së mjekut dhe çelsat i gjeti lehtësisht. Dera u hap. Ai ndezi dritën e koridorit ndërsa iu duk se dëgjoi zërin e mjekut që e porosiste të mos e ndizte dritën. Pastaj u nis me të andej nga ishte guzhina apo ndonjë dhomë tjetër. Vuri re një divan. E shtriu mjekun aty.

Fytyra e tij ishte e qetë. Le të flerë, mendoi, fundja nesër do i dalë rakia, do mendojë për këtë turp dhe s`do pijë më. Mjeku tha diçka nëpër gjumë iu duk se dëgjoi fjalën dritë. I erdhi për të qeshur, do ishte mirë edhe ai të shtrihej tek divani tjetër. Ndjehej i lodhur, tani ishte ora një e natës dhe nuk kishte ku shkonte, po a mund të rrinte në një shtëpi të panjohur. Kjo nuk shkonte. Po si mund të dilte, dera duhej mbyllur, çelsat merreshin me vete. Sikur ta linte hapur, a shkonte, mjeku ishte njeri i pasur dhe shtëpitë e pasura i gjuanin hajdutët.

Jep një pare hyj në valle, jep pesë dhe s`del dot, mendoi e në ato çaste i erdhi një mendim. Të shkonte të zgjonte të shoqen e mjekut, po ku flinte ajo?Po nëse do ta zgjonte, ajo sigurisht do lemerisej, ishte mesi I natës do vinin komshijtë dhe do ta merrnin për hajdut, ose për përdhunues. Ai kishte grua, fëmjë, të nesërmen televizori do thoshte emrin e tij. Hidrauliku po mendonte se çfarë duhej të bënte ndërsa mjeku gërhiste me sforca, kur u dëgjua se thiri për ujë. U ngrit dhe hapi frigoriferin. Çfarë nuk kishte aty. Dhe të gjitha të paprekura. I ngriti kokën dhe i dha ujë. Mjeku mërmëriti:Oh, nëna ime, pastaj vaisi kokën dhe e zuri sërish gjumi kllapitës.

Ai u ngrit dhe hapi një derë. Dhoma shërbente si paradhomë për një drerë tjetër. Sa dhoma duhej të kishte kjo shtëpi?Ndoshta katër, ndoshta pesë. Në dhomën tjetër ndezi dritën. Ambienti ishte i tejheshtur, si i vdekur. Rafte të mëdha me rrobe, tesha fjetje, sirtarë dhe komo. Çfarë të shihte. U kthye mbrapsht. Tani nuk po i kujtohej dhoma ku shtriu mjekun. Koridori i gjatë dhe errësira p o e hutonte. Me tahmin u gjend diku. Vuri re një derë. Ndezi dritën.

Aty pa një krevat martesor  dhe të shoqen e mjekut shtrirë mbi krevat. Ishte ndehur gjysmëlakuriq mbi tesha dhe flinte e qetë. U tmerrua kur dora e saj lëvizi po sërish ra në qetësi. Një buzëqeshje e lehtë nga ato që faniten në gjumë iu nder mbi buzë po shpejt buzëqeshja iu shua. Ç`të bënte. U kthye mbrapsht, fiku dritën dhe doli me çap të lehtë. Tani po mendonte se duhej të ikte. Donte edhe një orë të gdhinte po si mund të ikte?Kujt do ia linte çelsat?Të zgjonte të shoqen mund ta lemeriste, të ikte si mund ta linte derën hapur. Vendosi të rrinte.

Edhe një orë dhe kur të zgjohej e shoqja ai do ia shpjegont të gjitha. Fundja nuk ishte një maskara. Kur gdhiu plotësisht ai po mendonte që ta zgjonte të shoqen e mjekut. Po a s`do ishte më mirë që ajo të zgjohej vetë?Vendosi të priste edhe ca. Mjeku  gërvishtej në ëndrra në  gjumin e një qetësie të thellë. Në banjo u dëgjua ardhja e ujit që vërshëlleu nëpër tubat gjysmë të zëna. Uji përpëlitej  me sforco. Me siguri uji do ta zgjojë dhe ajo si grua do ngrihet shpejt për të vënë lavatriçen apo larë diçka tjetër. Dhe vërtet në koridor u ndien hapa. Atij iu bë se ato ishin hapa…Pas pak u bë qetësi. Uji pasi kishte mbushur tubat nuk ndihej më. U ngrit dhe hapi derën. Koridori qetësohej në një gjysmëerrësirë. Përkuli dorezën e dhomës së gjumit.

Dëgjoi një zë:
-Gjithë natën përjashta dhe tani vjen në krevat. Këput qafën, mor hajvan…
Një zë i guximshëm, ulëritës, tmerrues. Një send i fortë e goditi në dorë. Ai mbylli derën me shpejtësi, hapi derën e jashtme dhe i la çelsat mbi lavatriçe. E shoqja ishte zgjuar dhe nuk kishte rrezik për derën e hapur. Vuri re se në shpinën e dorës lëkura qe gërvishtur dhe rridhte një fije e hollë gjaku. Mirë që shpëtova, tha, ndërsa doli me shpejtësi në sheshin e pallatit duke i rënë anës së kundërt…. Sikur mjeku të mos e mbante mend këtë ndodhi do qe një kryevepër, por edhe nëse kujtohej pike për pike, me siguri do shprehte  mirënjohje, se derën nuk ia la hapur dhe çelsat nuk ia mori me vete…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?