Reforma në drejtësi ishte ‘çelësi i artë’ i negociatave me BE, tha deputeti Fatmir Xhafaj në Kuvend. ai tha se është reforma më e vështirë, ndërsa pranoi edhe defektet e saj pasi “asgjë s’është perfekte.”
“Ta themi pa hezitim, pa reformën në drejtësi, Shqipëria nuk do t’i kishte hapur negociatat me BE. Sot askush s’mund ta mohojë se reforma në drejtësi u bë çelësi i artë i hapjes së negociatave me BE. Këtë duhet ta njhin nihilistët dhe kritizerët. Reforma në drejtësi ishte reforma më e vështirë që ka ndërmarrë ndonjëherë shteti shqiptar. Mbetet prova se Shqipëria është dhe duhet të mbetet e gatshme të përballet me sfidat më të vështira në ndërtimin e shtetit demokratik. Natyrisht, askush s’mund të thotë se gjithçka është perfekte”, tha Xhafaj.
Më tej, Xhafaj tha se reforma në drejtësi dhe BE janë një lloj garancie e anasjelltë për njëra-tjetrën. Ai theksoi rolin dhe misionin e Kuvendit në forcimin e rolit të tij kushtetues ndaj institucioneve.
“Pa suksesin e reformës në drejtësi nuk ka anëtarësim në BE, por pa BE nuk mund të mbahet e sigurt dhe e qëndrueshme reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi mbetet testi më i madh i besueshmërisë europiane. Roli i Kuvendit bëhet më i rëndësishëm se kurrë, Kuvendi ka një mision të madh: të forcojë kontrollin parlamentar, të rrisë kontrollin demokratik, të garantojë cilësinë e reformave dhe të mbajë gjallë besimin publik te procesi. Sa më i fortë të jetë Kuvendi, aq më të forta bëhen institucionet demokratike. BE nuk na vlerëson vetëm për nurmin dhe cilësinë e ligjeve që miratojmë. Është gjë shumë pozitive dakordësia për këtë rezolutë të përbashkët. Negociatat mund t’i hapë një qeveri, kapitujt mund t’i negociojë një shumicë, por në BE hyn një Shqipëri”, tha Xhafaj.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvendi në seancë maratonë për integrimin! PD: Bllokuat procesin me mbrojtjen për Ballukun! PS: Anëtarësimi brenda 2030, objektiv i arritshëm











