Festivali i KëngësRTSH mbërrin në edicionin e tij të 64-ët. Ai do të çelet nesër, më 17 dhjetor në orën 21:00 në Pallatin e Kongresve për të vijuar deri më 20 dhjetor.

Sot janë zbuluar zyrtarisht emrat e 28 artistëve pjesëmarrës, të përzgjedhur nga Komisioni i Festivalit nën drejtimin artistik të Elhaida Danit.

Në këtë edicion spikasin emra të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të rëndësishme dhe talente të reja.

Mes tyre janë emra, si Fifi dhe Tiri Gjoci, Alis, Vedat Ademi, si edhe artistë si Evi Reçi, Erik Lloshi, Kamela Islamaj dhe grupi 2 Farm.

Festivali sjell edhe zëra të rinj, ndërsa surprizë e këtij viti është pjesëmarrja e aktorit Erand Sojli si këngëtar.

Dy netët e para të festivalit do të jenë konkurruese, nata e tretë i kushtohet Nostalgjisë, ndërsa nata e katërt do të jetë Finalja e Madhe.

Festivali i Këngës në RTSH është ngjarja më e rëndësishme muzikore në Shqipëri, fituesi i të cilit përfaqëson Shqipërinë në garën evropiane të Këngës në “Eurovision”.

Vitin e kaluar, vendi ynë u përfaqësua në këtë garë me “Shkodra elektronike” dhe këngën “Zjerm”.