Radiotelevizioni Shqiptar po përballet me një situatë të rënduar financiare. Një faturë e kripur, prej gati 8 milionë eurosh, apo 766 milionë lekësh, është krijuar nga proceset gjyqësore apo kontratat e papaguara ndaj të tretëve.

“Largimet nga puna kanë sjellë 228 mln detyrime me 84 çështje gjyqësore, një pjesë të likuiduara.  160 milion nga vendime të tjera gjyqësore administrative dhe pagesa të prapambetura 378 milion.”, tha drejtuesi i Këshillit Mbikqyrës të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli.

Pagesat e prapambetura vunë në pikëpyetje dhe marrëdhëniet me kontraktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë

“Rrezikonim të humbisnim transmetimet sportive, Eurovizionin, të gjitha të drejtat televizive... Me EBU kemi filluar të paguajmë këstet në gusht dhe mbarojnë në nëntor. Marrëdhënia është rikthyer në normalitet.”, tha drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili.

Sipas Petrit Becit, anëtar i Këshillit Drejtues dhe dikur ish-drejtor i RTSH-së, kriza ka nisur vite më parë.

“Kriza ka nisur që në vitin 2021, për shkak të keqmenaxhimit dhe largimit të profesionistëve. Duhet reformë reale. RTSH ka nevojë për mbështetje nga EBU dhe për riorganizim të brendshëm.”, - tha Beci.

Auditimi i brendshëm është ende në proces, ndërkohë që drejtori i Auditit vuri në dukje mungesën e një strukture funksionale dhe të një rregulloreje të brendshme, ndërsa niveli i menaxhimit të riskut cilësohet i pakënaqshëm.

“Sistemi i kontrollit është i dobët. Stafi nuk ka pasur përgatitjen e nevojshme. Po përgatitet raporti përfundimtar dhe do të ketë masa konkrete.”

Nuk mjaftojnë këto problematika, por RTSH-së i nevojiten para edhe për arkivin, që është dëmtuar seriozisht, apo dhe rinovimin e teknologjisë.

“Digjitalizimi i arkivit historik është gjithashtu një problem serioz. Vetëm 70% e materialeve audio janë të dixhitalizuara, ndërsa sistemet teknike janë të amortizuara dhe jashtë funksioni. Rrezikojmë humbjen e materialeve historike. Infrastruktura teknologjike është jashtë standardeve. Ka dekada pa investime”, tha Vasili.

Ajo bëri me dije se për procesin e digjitalizimit po bisedohet për bashkëpunim me institutin Italian “Luce”.

Këtë herë pozita dhe opozita, nuk kishin dallime, përballë gjendjes katastrofike ku ndodhet RTSH-ja. Pavarësisht se kë palët bëjnë përgjegjës për situatën, ato ishin dakort se institucioni ka nevojë për një reformë të thellë.