Çelet tenderi për Lumin e Tiranës
6 gushti, afati për Bulevardin e Ri

Çelet tenderi për Lumin e Tiranës<br />6 gushti, afati për Bulevardin e Ri
TIRANE - Data 6 gusht është afati i fundit për dorëzimin e ofertave për kompanitë konsulente që vijojnë garën për mbikqyrjen e punimeve për zgjerimin e Bulevardit të kryeqytetit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës. Njoftimi është bërë nga Bashkia e Tiranës, që së shpejti pritet të hapë dritën jeshile për nisjen e punimeve.

Pas hapjes së tenderit për zgjatimin e Bulevardit të Tiranës në Muajin Qershor, nga 15 kompani pjesëmarrëse nga e gjithë bota, 7 prej tyre janë përzgjedhur për të vijuar garën. Në fillim të muajit Korrik, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha bëri me dije se pas vlerësimit të dokumenteve të paraqitura kompanitë e përzgjedhura, brenda 30 ditëve duhet të paraqesin ofertën financiare, për të vijuar më pas me përzgjedhjen e fituesit.

Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61 milion euro, për zbatimin e projekti të studios arkitekturore “Grimshaë Architects”, për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Projekti do të financohen nga marrëveshja e financimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit.

Hapet tenderi ndërkombëtar për rehabilitimin e lumit të Tiranës
Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin ndërkombëtar për “Rehabilitimin e lumit të Tiranës dhe punimet respektive civile”. Dorëzimi i aplikimeve të parakualifikimit përfundon në datën 2 gusht, për të gjithë aplikantët e interesuar. Punimet për zbatimin e projektit të bulevardit verior dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës do të financohen nga marrëveshja e huasë, ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 Prill 2013, me vlerë 55.000.000.00 euro. Bashkia e Tiranës, me Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 21 maj 2013 është përcaktuar si “autoritetit kontraktor”, për projektin e mësipërm.

Në bazë të studimit të realizuar nga studio arkitekturore “Grimshaw Architects” do të mundësojë ndërhyrjen në sistemin e shtratit të lumit të Tiranës përgjatë 8 km, do të ndërtohen dhe sistemohen skarpatet e lumit. Përgjatë lumit të Tiranës do të krijohen zona rekreative. Zbatimi i këtij objekti përfshin ndërtimin e disa urave mbi këtë lum i cili do të bëjë lidhjen midis pjesës jugore me atë veriore, duke krijuar njëkohësisht mundësinë e zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të tyre.

Aktualisht, lumi i Tiranës është një zonë e lënë pas dore dhe në disa vende është kthyer në vend grumbullimi të mbetjeve të ndryshme urbane. Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km2.

Ky është tenderi i dytë ndërkombëtar për projektet strategjike që hapen nga Bashkia e Tiranës, pas atij për ndërtimin e bulevardit të ri. Ndërkohë që priten ofertat financiare, interesi i kompanive prestigjoze nga Gjermania, Austria, Itali, Kina, Kuvajti, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe por edhe nga Shqipëria, ka qenë mjaft i madh për ndërtimin e bulevardit të ri.

Në fazën e parë të punimeve për bulevardin që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, godina e re e Bashkisë dhe institucione të tjera publike, qendra biznesi etj.

Ky projekt, përveç se dyfishon gjatësinë e bulevardit kryesor të Tiranës, do të krijojë një rrugë për një qasje të re të madhe, për shtimin e hapësirave të gjelbra në qytet, duke u bërë në këtë mënyrë projekti më i rëndësishëm në Tiranë në 80 vitet e fundit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.07.2013, i përditësuar.
 
Redaskia Online
(b.m/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Këto janë katër shenjat më pa fat të Shtatorit!

Këto janë katër shenjat më pa fat të Shtatorit!