TIRANE - Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi deklaron se Ligji për "Nëpunësin Civil" ka nevojë për ndryshime, pasi në formën që është ligji është i pazbatueshëm.
 
Në një prononcim për median Celiashi tha se pas 1 tetorit do të ndërhyhet në ligj dhe se  do të kërkohet konsensusi i opozitës për ndryshimet.

“Ky ligj në momentin që hyn në fuqi është i pazbatueshëm. Ne duam ta bëjmë objekt te diskutimit patjetër këtë çështje pasi ky është një ligj që ka kaluar me konsensusin e të gjithë spektrit politik. Është një ligj që ka gjetur pëlqimin edhe nga institucione ndërkombëtare, por ka çështje që ne mendojmë që nga pikëpamja juridike të rishikohen, me qëllim që ligji të bëhet i zbatueshëm.

Askush nuk kërkon që të hiqen ato garanci që ky ligj i sanksionon në momentin kur ai hyn në fuqi për gjithë korpusin e shërbimit civil dhe nënpunësit civil . Mendoj se ka argumenta juridike. Shpresoj që ta debatojmë këtë çështje duke gjetur konsensus me të gjitha palët. Ne nuk jemi ulur për ta diskutuar. Ndoshta duke u ulur do të kuptojmë që është një çështje e thjeshtë që këtu s’ka qëllime politike për të bërë lëvizje në administratë etj. Ka nevojë për rregullime që ligji të bëhet i aplikueshëm në 1 tetor.

Opinioni ynë,  bindja jonë juridike është që në 1 tetor ky ligj, pra atë çka ky ligj përfaqëson, ky është një ligj kuadër nuk është ligj i aplikueshëm drejtpërsëdrejti. Ai kërkon që të shoqërohet me akte nënligjore që duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave që ky ligj të bëhet i zbatueshëm. sepse mund të ndodhi që në 1 tetor 2, 3 apo 4 tetor apo për një periudhe kohe të caktuar do të duhen të zhvillohen procedura të caktuara në këtë ligj por ato nuk mund të zhvillohen për sa kohë nuk kemi akte nënligjore të miratuara. Ligji obligon Këshillin e Ministrave që të fillojë miratimin e akteve nën ligjore nga data 1 tetor, jo tani”- nënvizoi Celibashi.

Duke u ndalur tek ligji për statusin e nëpunësit civil, Celibashi tha se “dhe nëse ne do të ishim marrë që ditën që jemi konstituuar si qeveri nuk kishim të drejtë ligjore. Detyrimi për të miratuar aktet nënligjore të kësaj qeverie fillon nga data 1 tetor. Kjo është një çështje që ka të bëjë me zbatueshmërinë e këtij ligji. Dhe kemi konkluduar që ky ligj nuk është i zbatueshëm të paktën për një periudhe të caktuar kohore. Sa kohë që qeveria do miratojë aktet nënligjore, ligji ka thënë që brenda një periudhe tremujore, dhe jo më vonë se 6 muaj këto akte nënligjore do hyjnë në fuqi. Edhe nëse ne do kemi vullnetin maksimal, dhe e kemi vullnetin maksimal për ta bere këtë, por edhe nëse do të kishim kohë në dispozicion praktikisht është e pamundur edhe në aspektin fizik, dita ka 24 orë, java ka 7 ditë”.

Celibashi tha se do të rishikohen dhe 14 pr/ligje të miratuara nga qeveria e mëparshme.

“Ne si Këshill i Ministrave, si qeveri, po konsiderojmë se cilat janë ato projektligje të cilat janë në axhendën ose që janë dërguar për t’u shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe meritojnë të rikonsiderohen, parë kjo në frymën e programit dhe projektit të ri politik që ka kjo qeveri. Për ato për të cilat nuk ka nevojë të marrin dhe një rikonsiderim tjetër nga kjo qeveri, ne do të kërkojmë që të vazhdojë procedura parlamentare normalisht. Mund të rikthehen projektligjet. Ekziston mundësia dhe është e përcaktuar në rregullore kjo e drejte dhe procedurat për tërheqjen e tyre për sa kohë ato s’janë votuar nga Këshilli i Ministrave. Në mos gaboj duhet të jenë 14 projektligje, por ndërkohë jemi duke komunikuar me administratën e Kuvendit për t’i parë të gjitha ato që nuk janë futur në axhendën e punimeve të Kuvendit”, tha Celibashi.

Redaksia Online
(e.s/sg/shqiptarja.com)