Një ditë pasi Shqipëria çeli negociatat për grup-kapitullin e parë për negociatat me B, me konferencën ndërqeveritare të Luksemburgut, kryeministri Edi Rama e ka kujtuar me një postim aspak të zakontë.

Ai e ka nisur ditën e 16 tetorit duke e quajtur një “krenari të paharrueshme” me postimin në rrjetin social Facebook, teksa thekson se “Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Europën e Bashkuar”.

Ai shprehu bindjen se në fund, “Shqipëria 2030 do e ngrejë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Brukselit në BE”.

“MIRËMËNGJES dhe me krenarinë e një dite të paharrueshme, ku Shqipëria u ul plot dinjitet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim me Europën e Bashkuar, me të gjithë forcën e të vërtetave të arritjeve të mundimshme të këtyre viteve, të cilat morën të gjithë vlerësimin e merituar më në fund, si edhe me bindjen më të fortë se kurrë se Shqipëria 2030 do të ngrejë flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Familjes së Europës së Bashkuar në Bruksel, ju uroj të gjithëve një ditë të re të gëzuar”, shkruan Rama. 

Shqipëria çeli më 15 tetor 2024 negociatat për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian. Konferenca e dytë ndërqeveritare u mbajt në Luksemburg, ku vetë përfaqësuesit e Brukselit bënë thirrje për përshpejtim të procesit. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama e konsideroi në ditë historike, por pa kursyer edhe këtë kritikat ndaj BE-së për zvarritjen e procesit.

Kryeministri Edi Rama gjatë çeljes së grup-kapitujve në Luksemburg