Celularët, klientët
edhe me 3 karta SIM

TIRANE- Në raportin vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare del se shqiptarët janë gjithnjë e më të fiksuar pas celularit. Telefoni fiks përdoret vetëm nga 12 për qind e familjeve. Por, njëkohësisht, internet tani përdorin 161 mjë familje në vend. Përdorimi i telefonisë fikse dhe i internetit, edhe pse ka pësuar një rritje krahasur me një vit më parë, sërish mbetet i ulët krahasuar me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas raportit, gara mes kompanive celulare është bërë e më ashpër, për shkak se tarifat kanë pësuar ulje mesatare prej 30 përqindësh.
NDRYSHIMET
Në vitin 2011 u regjistrua rekordi i radhës i pajtimtarëve të telefonisë mobile, me afro 5.2 milionë. Norma vjetore e rritjes së numrit të përdoruesve ishte 15 për qind, apo gati 700 mijë më shumë, shumë më lartë se sa rritja në 2010-n, që ishte afro 9 për qind. Përdoruesit me parapagim mbajnë peshën më të madhe, me gati 90 për qind, në raport me pajtimtarët me kontratë. Në vitin 2011 thirrjet dalëse të përdoruesve celularë dhe numri i SMS-ve u rritën respektivisht me 17 për qind dhe 35 për qind, sikurse me rritje rezultoi terminimi i thirrjeve hyrëse me rrjetet e tjera, me 12 për qind.
Nisur nga ofertat, thirrjet brenda rrjetit vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe, me 94 për qind të thirrjeve dalëse, duke vazhduar tendencën e viteve të fundit dhe përdorimin e madh të paketave me tarifa shumë më të ulëta brenda grupit. Sipas AKEP-it, thirrjet hyrëse ndërkombëtare përbëjnë mbi 70 për qind të thirrjeve hyrëse nga rrjete të tjera, peshë e cila nuk ka ndryshuar.
TREGU
AMC zotëron akoma pjesë tregu më të madhe për numër pajtimtarësh me 37 për qind, ndërsa “Vodafone” ka pjesë më të mëdha tregu për thirrje dalëse dhe SMS, me 51 dhe 74 për qind. Sa u takon dy kompanive të tjera, “Eagle Mobile” zë 21 për qind të tregut, kurse “Plus” 8 për qind.
Në vitin 2011 ka vijuar tendenca e rritjes së përdorimit mesatar të thirrjeve telefonike që ka filluar në vitin 2009-n. Konsumi mesatar i thirrjeve është rritur me 4-5 për qind, ndërsa përdorimi i SMS-ve është rritur me 21 për qind. Në vitin 2011, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 83 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 94 minuta thirrje hyrëse, duke rezultuar me 177 minuta komunikim në muaj dhe ka dërguar gati 12 SMS, po në muaj.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi

Ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, Dervishi: Sigurojmë standardet më të larta evropiane, sfidë zbatimi