Çene:Si më larguan nga inventari 
i ikonave në sekuestro të Thimios
Ja si i trajtoi ministria ikonat/FOTO

Çene:Si më larguan nga inventari <br />i ikonave në sekuestro të Thimios<br />Ja si i trajtoi ministria ikonat/FOTO
TIRANE - Restauratori Ardian Çene, rrëfen se çfarë ka ndodhur para dy vjetësh, kur koleksionistit Gjergj Thimjo i sekuestruan rreth 1077 objekte si ikona kishtare e piktura bronzi që i përkasin kryesisht periudhës së mesjetës. “Unë kam qenë tek ikonat kur u sekuestruan. Na thirrën si specialistë bashkë me një grup pune për të dokumentuar ikonat”, thotë ai, duke u shprehur më pas se e larguan nga inventari dhe nuk ka hedhur firmën për to. Ikonat u sekuestruan në operacionin kundër trafikimit të veprave të artit në vitin 2013. Pas kësaj, koleksionisti Gjergji Thimjo u dënua dhe sot vuan dënimin nën akuzën e vjedhjes së veprave të artit.

Ndërsa ikonat qëndruan dy vjet në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke u kthyer në një shqetësim për institucionin, që nuk kishte të drejtë veprimi mbi to. Shqetësimi i drejtorit të GKA-së, mori një përgjigje të gabuar. Policia i merr ikonat dhe i hedh të stivosura pa ambalazhuar për t’i transportuar në furgona “si dru zjarri”, siç u shpreh restauratori Frederik Stamati në reagimin e tij për “Shqiptarja.com” drejt MHK. Ministria e Kulturës e mbulon me heshtje këtë papërgjeshmëri ndaj veprave të Trashëgimisë. Ndërsa gazeta “Shqiptarja.com” vijon të kërkojë shpjegime për situatën e krijuar me ikonat e sekuestruara, si dhe për keqtrajtimin e tyre, duke intervistuar disa nga specialistët e trashëgimisë që kanë dijeni me çështjen. Një nga këta është edhe restauratori i njohur Ardian Çene.

Nga intervistat rezulton se mungesa e përgjegjshmërisë nuk është vetëm për ikonat, por edhe mw gjerw. Sapo mësojmë nga grupi restaurator që ka nisur punën me afreskun e Onufrit të dëmtuar në 2013-n, se restaurimi i tij me largimin e specialistëve është ndërprerë.
 
Zoti Cene, para se t’ju pyes për mënyrën sesi u transportuan ikonat e sekuestruara të Gjergji Thimjos, dimë që ju keni qenë në grupin e restaurimit të afreskut të Onufrit të dhunuar në kishën e Shën e Premtes në Elbasan në janar të 2013-s. Në ç’fazë kanë arritur restaurimet e tij?
-Lajmi për restaurimin e Onufrit u bë shumë i madh. U bë gati një shou i madh mediatik restaurimi i tij. Por puna për restaurimin e tij është ndërprerë. Ndoshta bëhet ndonjë veprim i vogël mbi atë vepër, nuk e di. Por ne ishim një grup i madh specialistësh që bëmë projektin dhe ndërhyrjen në laborator. Ne punuam me këtë vepër disa muaj, sa arritëm të bashkonin figurat e ndërprera. Arritëm dhe projektin që duhej të realizohej, qe ishte faza e rivënies që do të bëhej po nga ne.
 
Nga cilët restauratorë përbëhej grupi?
-Nga unë, Edlira Caushi, Andi Spahia, Gentian Vokopola. Pra ishte ky grup specialistësh që hartoi dhe projektoi vendosjen e pjesëve të dëmtuara, por kjo punë u la në mes, sepse u hoqën dy specialistë Andi Spahia dhe unë. Gati 9 specialistë të trashëgimisë janë larguar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe kam mësuar se punonjësja e bibliotekës që ishte më parë, merr rrogën si restauratore. Edhe ata të trashëgimisë që bënin namim për shkatërrimin e veprave të trashëgimisë kanë heshtur.
  
Edhe Edlira Caushin e larguan?
 -Edlira iku vetë, por të gjithë ata që do të merreshin me restaurimin ishin specialistë. Unë vetë kam bërë shkollën e restaurimit të monumenteve në Institutin e Romës. Me restaurimin e afreskut të Onufrit ndodhi kështu. Në momentin që në KTR pritej fondi prej 9 milionë lekësh, ministria e asaj kohe bëri një justifikim se priteshin specialistë nga jashtë. Ishte diçka që u fry kot kjo punë. Ndërsa ministrja aktuale largoi edhe specialistët që kishte. Institucionet dhe specialistët nuk kanë më zë të lirë dhe mbeti pezull puna e restaurimit. Se di kush mund të merret tani me të, sepse nga IMK-ja kanë ikur 9 specialistë, njëri ka shkuar tek Galeria e Arteve, një ka shkuar në Kosovë, njëri është pa punë. Na kanë larguar edhe mua edhe Andi Spahinë. Edlira Caushi iku, etj. Ju mund t’i shihni tek faqja e IMK-së se cilët janë specialistë atje.
 
Në fakt rezulton se dy-tre vitet e fundit trashëgimia ikonografike nuk po mbrohet dhe po keqtrajtohet, siç del edhe nga intervista juaj. Të kthehemi tek ikonat dhe mënyra e transportit të tyre në stiva nga furgonat e policisë. A keni dijeni ju se si është raportuar gjendja fizike e tyre dhe si është bërë inventarizimi i tyre pas sekuestrimit?
 -Unë kam qenë tek ikonat kur u sekuestruan. Na thirrën si specialistë bashkë me një grup pune për të dokumentuar ikonat. Ne u merrnin masat, përcaktonin përkatësinë e tyre dhe pastaj më hoqën nga ajo punë. Unë nuk kam firmosur, edhe pse kur nisëm nga puna na kërkohej nga ministrja ta bënim këtë regjistrim duke punuar ditë e natë pa pushim. Për ato ka firmosur grupi tjetër. Hoqën nga ky grup pune Andi Spahiun dhe mua dhe futën dy të tjerë. Ndoshta jo me qëllim, por kështu ka ndodhur.
 
Po transporti i tyre si është parë nga ju?
 -Mendimi i parë kur i pashë të transportoheshin në atë gjendje, ishte për çfarë i sekuestruan. I sekuestruan si vepra arti për t’i mbrojtur, apo si dru zjarri, se gjendja e transportit të tyre më duket e papranueshme. Dhe unë nuk kam si të vihem në dijeni nëse ka një dokument të tillë, por teknikisht di që policia nuk mund t’i lëvizte ato pa një dokument të Ministrisë së Kulturës apo të specialistëve të Institutit të Monumenteve. Një organ i rendit nuk mund të vepronte pa këtë deklaratë, sepse ato janë vepra të Trashëgimisë Kulturore. Nuk mundej Policia pa një deklaratë të IMK-së, t’i merrte, t’i transportonte ato pikërisht në një institucion vartës të Ministrisë....!
 
Si mund të maten dëmet që janë bërë gjatë transportit?
-Dëmet nisin që nga fakti që ato nuk janë trajtuar nga ana e konsolidimit, te pelikulit. Gjatë rrugës dëmtimet ju vijnë në gjitha mënyrat, që disa ikonave iu rrëzohen pjesë nga imazhi, pësojnë gërvishtje, thyerje, krisje. Ato duhet të lëvizeshin me shoqërimin e specialistëve dhe restauratorëve që e njohin këtë procedurë dhe rreziqet që mund të kenë. Ikonat u transportuan të ekspozuara nga të gjitha rreziqet  e mundshme. A mund të ketë dëm më të madh se transporti në atë mënyrë...!

Restauratori Ardian Çene

Transporti i ikonave nga policia e shtetit

Afresku i dëmtuar i Onufrit
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin