TIRANE - Kryeministri ka hequr nga censusi kapitullin për papunësinë, në një kohë që shifrat e papunësisë në vend janë tronditëse. Këtë denoncim e ka bërë deputetja e PS-së për Tiranën Eglantina Gjermeni, e cila në një deklaratë për mediat pasi bëri një pasqyrë të detajuar se çfarë po ndodh në njësitë e kryeqytetit ka denoncuar edhe këtë fakt në një kohë që siç analizoi ajo Tirana është një nga qytetet e vendit që po njeh rritje të papunësisë.

“Ndërkohë në të gjithë Tiranën është rritur papunësia dhe krimi po rritet në nivele kritike. Problemet e qytetit sa vijnë e shtohen si pasojë mospërfilljes kriminale të pushtetit. Me dy mandate të vjedhur, qeveria qendrore dhe lokale vazhdon të mbetet e shurdhër përpara problemeve dhe nevojave të qytetarëve”, është shprehur ndër të tjera deputetja socialiste.

DEKLARATA E PLOTE E GJERMENIT
"Partia Socialiste kërkon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik mbi disa probleme tepër shqetësuese, të cilat po shfaqen gjithmonë e më alarmante, ndërsa nuk marrin asnjë përgjigje apo reagim nga ana e shtetit. Në Minibashkinë 9 në Tiranë, është hequr pagesa për invalidët për muajin Dhjetor, 868 invalidëve të punës, si edhe mbi 500 personave me aftësi të kufizuara (paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër), një detyrim shtetëror i sanksionuar me ligj.

Në njësinë 7, banorët kanë më shumë se tre ditë pa ujë, drita apo lidhje telefonike. Ky problem thuhet se vjen nga instalimet e reja të ujësjellësit në këtë zonë.
Po kështu edhe në njësinë Nr. 5, sidomos në zonën e Selitës, mungon energjia elektrike prej 10 ditësh, e po ashtu edhe uji, duke i lënë këta qytetarë në mëshirën e dimrit dhe temperaturave të ulëta të këtyre ditëve. Në njësinë Nr. 6 mungon po ashtu energjia elektrike, prej shumë kohësh, ndërsa shërbimi është prerë edhe për ata qytetarë që paguajnë. E gjithë njësia po vuan nga papërgjegjshmëria e shtetit, nga paaftësia e tij për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, si edhe nga indiferenca e kryebashkiakut të vjedhjeve të mëdha të këtyre viteve.

Ndërkohë në të gjithë Tiranën është rritur papunësia dhe krimi po rritet në nivele kritike. Problemet e qytetit sa vijnë e shtohen si pasojë mospërfilljes kriminale të pushtetit. Me dy mandate të vjedhur, qeveria qendrore dhe lokale vazhdon të mbetet e shurdhër përpara problemeve dhe nevojave të qytetarëve.
Gjendja aktuale në kryeqytetin e vendit, përveç se është e papranueshme në çdo vend normal, është edhe një pasqyrë e mjerë e realitetit të shqiptarëve që kanë kryeministër Sali Berishën.

Kryeministri që urdhëroi heqjen nga Censusi të kapitullit të papunësisë, për të fshehur se papunësia në vend prek më shumë se 1 milion të papunë, për tu hedhur hi syve shqiptarëve për një realitet që e jetojnë përditë. Ky është një tjetër skandal madhor që i duhet faturuar këtij pushteti të korruptuar.
Ndërkohë, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët po lihen edhe ata pa ndihmën e shtetit, viktima të papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë të kësaj qeverie që tashmë nuk habitin më askënd.

Ja përse Shqipëria ka nevojë për një rilindje. Nga fitorja e 23 Qershorit Partia Socialiste do të verë në jetë programin e saj për një rilindje Shqiptare. Shtresat në nevojë do të trajtohen sipas nevojave dhe nuk do të lihen në harresë apo më keq akoma, në skajin e mbijetesës, siç po bën qeveria e Sali Berishës.
Krimi dhe kriza ekonomike do të marrin përgjigjen e shtetit dhe nuk do të fshihen më kulisave të korrupsionit të pushtetit. Qytetarët do të qeverisen prej përfaqësuesve të tyre të denjë dhe jo prej një klike piratësh episodikë, të cilët janë aty veçse për të grabitur Shqipërinë e shqiptarët.
Shqipëria ka nevojë për një rilindje dhe që nga 23 Qershori kjo rilindje do të fillojë me Partinë Socialiste, për t’i dhënë fund kapitullit kriminal të papërgjegjshmërisë qeveritare dhe për të filluar, siç duhet, kapitullin e Shqipërisë Europiane".

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)