Policia e Fierit ka identifikuar pronarin e automjetit tip “Volkswagen”, i cili u gjet i përmbysur ditën e djeshme në një kanal të mbushur me ujë në zonën e Kallmit, në rrugën dytësore që të çon drejt inceneratorit. Megjithatë, ende nuk dihet se kush ishte personi që drejtonte automjetin në momentin e aksidentit, pasi drejtuesi është larguar nga vendngjarja.
Automjeti është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Sipas burimeve nga Policia e Fierit, pronari i automjetit është një qytetar fierak, por ende nuk është përcaktuar nëse në momentin e aksidentit makina drejtohej prej tij apo ishte në përdorim të një personi tjetër.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e personit që ka qenë në timon, si dhe për të zbuluar arsyet se përse automjeti ndodhej në atë zonë gjatë orëve të natës, mes së shtunës dhe së dielës.
Nga këqyrja paraprake e automjetit nuk janë konstatuar sende apo elemente të kundërligjshme. Megjithatë, policia po verifikon edhe mundësinë që automjeti të jetë vjedhur ose t'i jetë dhënë në përdorim një personi tjetër, pa përjashtuar as pista të tjera hetimore.
Pritet që hetimet të zbardhin dinamikën e plotë të ngjarjes, identitetin e drejtuesit dhe arsyet që çuan në përfundimin e automjetit në kanalin me ujë dhe largimin e personit që ndodhej në timon.






Komente
Komento