Kapela mortore e Giorgio Armani-t, mjeshtrit të padiskutueshëm të stilit italian, është hapur që në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm në Teatrin Armani, në Via Bergognone 59, Milano.

Por që nga ora 7:00, qindra qytetarë kishin mbërritur për të qëndruar në radhë e për t’i bërë nderimet e fundit ikonës së modës.

Kapela do të jetë e hapur për vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme dhe nesër (7 shtator) deri në orën 18:00.

Via Bergognone është mbushur me admirues, turistë dhe qytetarë, që kanë ardhur për të nderuar “Mbretin George”.

Dy radhë janë krijuar për hyrje: njëra e rezervuar për punonjësit e Giorgio Armani-t, dhe tjetra për publikun e gjerë.

Mbreti i modës, 91-vjeç ndërroi jetë më 4 shtator. Lajmi tronditi të gjithë, pasi Armani kishte punuar deri në ditët e fundit. Vetëm pak ditë më parë kishte njoftuar blerjen e “La Capannina”, një hap që e përshkroi si “një gjest afektiv, një rikthim tek rrënjët”.

Pikërisht aty, në vitet ’60, ai kishte njohur Sergio Galeottin, që do të bëhej partneri i tij i jetës dhe i punës. Madje, pak ditë para ndarjes nga jeta, kishte miratuar vetë të gjitha veshjet e koleksionit të 50-vjetorit, i cili do të prezantohej në javën e modës këtë muaj.

Fjalët e fundit që la në rrjetet sociale ishin: “Shenja që shpresoj të lë pas është ajo e përkushtimit, respektit dhe vëmendjes për njerëzit dhe realitetin. Prej aty nis gjithçka”.