Për herë të parë në bashkinë e Cërrikut u mbajt Panairi i Gjelit të Detit, traditë kjo për Peqinin. Qëllimi është zhvillimi i ekonomisë lokale, pasi në këtë zonë të shumta janë familjet fermere që mbarështojnë gjelat e detit për ti shitur në fundvit.

“E kemi organizuar për të promovuar vlerat e këtij shpendi, ka vlera ekonomike për banorët e zonës sonë”, tha Fatmir Ozuni, drejtor i Bujqësisë së Elbasanit.

“Dihet që qarku i Elbasanit ka 160 mijë gjela që mbarështohen me qëllim shitjen. Është shtuar numri i krerëve krahasuar me vitin e kaluar”, u shpreh Dhimo Kote, Zv Ministër i Bujqësisë.

Pavarësisht se shifrat zyrtare flasin për një rritje të krerëve me shpend në qarkun e Elbasanit, fermerët ankohen se rritja e çmimit të produkteve ushqimore për shpendë i penalizon. Aktualisht 1 kg peshë  e gjallë shitet me 100-110 lekë, por ta ky çmim nuk është i kënaqshëm dhe fitimprurës.

“Nga 280 lek për kg që e merrnim misrin, tani ka shkuar me 600 lek/kg. I fundit vit që rrisim gjela deti se me çmimet që janë rritur s’kemi leverdi”, tha një fermer.