Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi në fillim të seancës plenare kërkoi nga kryetari i Kuvendit mbledhjen e Këshillit të Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Bardhi thotë se Kuvendi është kthyer në mburojë të zyrtarëve të korruptuar.
Bardhi tha se ndryshimet që ka prezantuar PS në nenin 242 të Kodit të procedurës Penale, janë antikushtetuese dhe për të mbrojtur veten nga ligji.
“Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Futja me urgjencë në rend dite e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e justifikuat shtyrjen me kohën që kërkoi avokati mbrojtës. Na thatë, pasi skadoi 3 javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zv.kryeministre nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetes. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se pezullimi nga detyra nuk hyn në çështjen e imunitetit. Pas Gjykatës Kushtetuese nxorët një tjetër justifikim: do të presim të zbardhet vendimi. Jeni bërë pengesë për hetimin. Nuk duhet të bëhemi hipokritë kur ky Kuvend ka dështuar të përmbushë funksionin kushtetues në interes të qytetarëve. Deri në atë moment, ky Kuvend nuk mund të funksionojë normalisht, as sikur kjo çështje nuk është këtu. Jemi i vetmi vend në botë që miratoni ligj për të mbrojtur veten. Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE e quajti test kritik për luftën kundër korrupsionit. Ose do ta luftojmë korrupsionin, ose do ta ktheni në bunker për të mbrojtur korrupsionin. Lejoni që ky Kuvend të përmbushë në kohë misionin kushtetues”, tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ Debate për nismën e PS-së që pengon gjykatat të pezullojë ministrat! Bardhi: Dorëzoni Ballukun! Balla: McAallister s’u erdhi te partia









