Akuzat për Edmond Begon/ Gjiknuri-PD: Procedurë transparente, ish-ministri demokrat firmosi leje në 2009

Akuzat për Edmond Begon/ Gjiknuri-PD: Procedurë transparente, ish-ministri demokrat firmosi leje në 2009

Mondi Bego, Ervin Salianji dhe Damian Gjiknuri

TIRANE-Partia Demokratike ka vijuar akuzat edhe ditën e sotme ndaj qeverisë socialiste për favorizim në tendera dhe leje minerare të biznesmenit Edmond Bego, i cili u ndalua pak ditë më parë në Greqi, por më pas u la i lirë pas verifikimeve. Sipas deputetit të PD, Ervin Salianji, përpos Ballës, Begon e ka favorizuar edhe ministri Damian Gjiknuri. Ai akuzoi se Gjiknuri ka firmosur leje minerare për biznesmenin Edmond Bego, ndërsa prokuroria nuk po e heton.

Damian Gjiknuri, 3 vjet më parë, atëherë kur trafikanti i drogës Bega dhe politikani Balla u bënë miq familjarë, ka firmosur leje minerare pa garë për Edmond Begon. Prokuroria sërish hesht si në rastin e Agron Xhafajt, njofton se ka nisur hetim pasuror, por jo sipas ligjit. Balla hesht dhe Rama hesht që të mbulojnë përfitimet e trafikantit të drogës. Dokumentet implikojnë edhe Gjiknurin për lejet minerare që ka firmosur. Ligji skualifikon në garën për tenderat të dënuarit me formë të prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale. Prokuroria i shërben krimit, nuk po heton nëse ka qenë Balla sekser. Për politikanë si Balla dhe Gjiknuri drejtësia mund të vonojë por nuk do të harrojë.

 Ervin Salianji, deputet i PD-së

DEKLARATA E PLOTË E ERVIN SALIANJIT
Edmond Bego, miku trafikant droge me 5 emra i Taulant Ballës, nuk ka përfituar vetëm para publike në kundërshtim me ligjin – 10 milionë euro dhe 6.4 miliardë lekë në 7 muajt e fundit, por ka përfituar edhe pasuri publike.

Për shumëfishimin e pasurisë së mikut trafikant droge të Taulant Ballës janë përfshirë edhe ministrat e Edi Ramës.

Damian Gjiknuri, 3 vjet më parë, atëherë kur trafikanti i drogës Bega dhe politikani Balla u bënë miq familjarë, ka firmosur leje minerare pa garë për Edmond Begon.

Leja minerare është dhënë në zonën elektorale të Taulant Ballës, në Elbasan, njësoj si shumica e punëve të tjera publike.

Sipas lejes që ka firmosur Damian Gjiknuri, miku trafikant droge i Taulant Ballës, ka të drejtë të shfrytëzojë për 25 vjet pasuritë natyrore në interes të biznesit të tij të ndërtimit, i cili duhet të ishte tani nën sekuestro nga prokuroria.

Prokuroria sërish hesht dhe bën të njëjtën lojë si në rastin e Agron Xhafës.

Njoftoi jozyrtarisht se ka nisur verifikim pasuror, po jo hetim, siç ia kërkon ligji, me shpresën se gjithçka do të harrohet, kur shërbëtorët e mafias dhe të krimit në pushtet të mbyllin dosjen.

Taulant Balla hesht, edhe Edi Rama hesht, që të mbulojnë me harresë përfitimet skandaloze dhe të paligjshme të trafikantit të drogës, pasi ai u bë mik familje me Taulant Ballën dhe që tani implikojnë edhe ministrin Damian Gjiknuri.

Njësoj si për lejen minerare të firmosur nga Damian Gjiknuri, PD ka sjellë fakte dhe dokumenta që provojnë se miku trafikant i Taulant Ballës e ka shumëfishuar pasurinë duke shkelur ligjin për prokurimin publik.

Ligji skualifikon nga gara çdo ofertues, të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale, si Edmond Bego.

Prokuroria, e cila po provon çdo ditë se i shërben krimit të organizuar të lidhur me pushtetin, po ndjek skenarin e Edi Ramës, duke mos nisur hetimet për Taulant Ballën per te provuar nëse ai ka qenë sekseri mes qeverisë dhe mikut trafikant, si dhe për këdo që ka shkelur ligjin duke i dhënë anëtarit të bandës kriminale të Lushnjës miliona euro punë publike dhe leje për shfrytëzim të pasurisë publike.

Për pasuritë e trafikantëve si Bega dhe politikanëve si Balla e Gjiknuri, drejtësia mund të vonojë, por me ligjin tonë antimafia, do të bëjmë që drejtësia të mos harrojë.



Dokumentet e publikuara nga deputeti i PD, Ervin Salianji

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
PD i kundërpërgjigjet Gjiknurit/ Salianji: PD i dha leje minerare kompanisë së Begos, por ai s’ishte pronar në 2009

Partia Demokratike ka reaguar sërish pas përgjigjes së ministrisë së Transporteve lidhur me akuzat për dhënie tenderash për biznesmenin Edmond Bego.

PD tha se kompania e Begos nuk duhet të merrte leje inerte, përsa kohë që Bego ka patur një dënim gjyqësor të formës së prerë.

Më herët, Ministria e drejtuar nga Damian Gjiknuri, sqaroi në një deklaratë për mediat se procedura e ndjekur nga ministria është kryer në transparencë të plotë, dhe se ka qenë qeveria demokrate që i ka dhënë një leje të njëjtë kompanisë së Begos në vitin 2009.

Por është Ervin Salianji, që në emër të PD-së, thotë se në kohën kur kompanisë “Interte expres” iu dha leja, ajo nuk ishte në emër të Edmond Begos.

Deklarata e plotë e Salianjit

Damian Gjiknuri nuk mund të fshihet pas së kaluarës dhe as të mashtrojë qytetarët me teknikalitete, që mbulojnë të vërtetën.

Njoftimi i fituesit nga Ministria e Gjiknurit nuk flet për pjesëmarrës të tjerë në garë, çka do të thotë se leja i është dhënë praktikisht pa garë mikut trafikant droge të Taulant Ballës.

Mashtrimi tjetër i Damian Gjiknurit është se Edmond Bego ka marrë leje minerare në vitin 2009 nga një ish ministër demokrat. Në vitin 2009 “Inerte Expres”nuk ka qenë në pronësi të Edmond Begos. Në vitin 2009, Edmond Bego u arrestua nga Qeveria e Partisë Demokratike si një nga anëtarët më të rrezikshëm të bandës më të pamëshirshme, bandës së Lushnjës.

Është fakt i pandryshueshëm se Damian Gjiknuri ka firmosur një leje minerare për një të dënuar me 21 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

Prandaj është urgjente që prokuroria të hetojë nëse Taulant Balla ka bërë sekserin e mikut trafikant tek Damian Gjiknuri dhe kudo tjetër që ka marrë miliona euro nga paratë publike në kundërshtim me ligjin. Provat në Dokumentat më poshtë, QKB dhe kontrata e shitjes.

Dokumenti i publikuar nga Salianji lidhur me lejen minerare qe PD i dha kompanise "Inerte Expres"
Ora 14:12
Akuzat, Gjiknuri i përgjigjet PD-së: Leja minerare ishte transparente, ja procedura

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar pas pretendimeve nga PD se leja minerare për kompaninë e biznesmenit Edmond Bego është miratuar pa një procedurë gare. Ministria thekson se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit. PD akuzoi se ‘Ligji skualifikon nga gara çdo ofertues, të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale, si Edmond Bego’. Por institucioni i drejtuar nga Gjiknuri sqaroi se subjekti ka plotësuar të gjithë rubrikën e kritereve të parashikuara në ftesën për ofertë.

‘Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë)’ përgjigjet ministrja. Gjithashtu Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbyll reagimin duke thënë se ‘subjekti “Inert Expres” sh.p.k. ka disa vite që ushtron aktivitetin në industrinë minerare. Për dijeninë e deputetit të ri Ervin Salianji, ky subjekt është pajisur në datën 08.09.2009 me leje shfrytëzimi për vendburimin “Kodra e Shulcit” Mamurras, firmosur nga ish-ministri i Partisë Demokratike në atë kohë’.

( Kliko këtu ) për dokumentin e plotë i Agjensisë së Prokurorimit Publik

DEKLARATA E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hedh poshtë si plotësisht të pavërteta dhe të qëllimshme deklarimet e bëra sot nga subjekti politik Partia Demokratike rreth procedurave të miratimit të lejes minerare për shfrytëzim mineralesh dhënë subjektit “Inerte Expres” sh.p.k. Partia Demokratike pretendon se leja minerare në fjalë është miratuar pa një procedurë gare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron median dhe opinionin publik se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit.

Me shkresën Nr.3454/1, prot, datë 4.6.2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik për shpalljen e garës për disa zona minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Konkretisht, Ftesa për Ofertë mban Nr.3454, datë 4.6.2014.

Në vijim të Ftesës për Ofertë të paraqitur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia e Prokurimit Publik, në Buletinin e datës 16 Qershor 2014 ka botuar procedurën e hapur konkuruese për lejet minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Sipas kësaj shpalljeje, afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga subjektet e interesuara për këtë zonë ishte data 11.07.2014, ora 10:00. (Referoju Buletinit Dt.16 Qershor 2014 të APP).

Në datën 11.07.2014, ora 10:00 është zhvilluar procedura e hapjes së ofertave për këtë zonë minerare. Për këtë zonë konkuruese, subjekti “Inerte Expres” sh.p.k. ka depozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar ligjor përfshirë: Vërtetimin e Zyrës Përmbarimore me Nr.2133, datë 3.07.2014; Vërtetimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 8.07.2014 dhe Vërtetimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë datë 8.07.2014. Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë).

Nga shqyrtimi i të gjithë dokumentacionit, subjekti ka plotësuar të gjithë rubrikën e kritereve të parashikuara në Ftesën për Ofertë. Siç mund të shihet, e gjithë procedura e garës është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe në mënyrë transparente.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se subjekti “Inert Expres” sh.p.k. ka disa vite që ushtron aktivitetin në industrinë minerare. Për dijeninë e deputetit të ri Ervin Salianji, ky subjekt është pajisur në datën 08.09.2009 me leje shfrytëzimi për vendburimin “Kodra e Shulcit” Mamurras, firmosur nga ish-ministri i Partisë Demokratike në atë kohë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i bën thirrje Partisë Demokratike që të ndalojë fushatën e spekulimeve të qëllimshme politike por të kërkojë informacion zyrtar pranë institucioneve të shtetit për çdo pretendim.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë