Athina zyrtare vijon të këmbëngulë në lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri i cili pret të gjykohet nga gjykata e Posaçme në Shqipëri, nën akuzën e "korrupsionit aktiv në zgjedhje".

Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis ka reaguar sërish për Fredi Belerit, i cili është në burg pasi u kap duke blerë vota për zgjedhjet e 14 majit. Në një intervistë për për televizionin publik grek ERT, Gerapetritis tha se “paraburgimi i Belerit është i paligjshëm dhe cenon shtetin e së drejtës”.

“Nuk ka sesi të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së zotit Beleri", tha ministri i jashtëm grek, Gerapetritis.

Kjo situatë, sipas Gerapetritis do të rrisë tensionin në marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa ai ka thënë se nëse Beleri shkarkohet nga posti i kryebashkiakut të zgjedhur do të kishte një përkeqësim serioz të marrëdhënieve greko-shqiptare.

"Me mënyrën se si funksionon, pala shqiptare me siguri po qëllon në këmbë", tha ai.

Ministri grek ka thënë se nuk ka sesi të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së Fredi Belerit.

 “Mënyra e trajtimit të çështjes përbën një pengesë serioze në rrugën e përparimit të Shqipërisë drejt familjes europiane dhe tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj”.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Edhe pse i arrestuar, ai mundi të fitojë zgjedhjet kundër kandidatit tjetër të së majtës, Jorgo Goro. Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin për marrjen e detyrës. Arrestimi i tij ka tensionuar jo pak retorikën e fqinjëve grek, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, madje çështjen e kanë ngritur si problematike deri në Bruksel. Nëse shpallet fajtor Fredi Beleri rrezikon të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.