HIMARË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar. GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij për të qenë pjesë e betimit të planifikuar ditën e nesërme. Beleri paraqiti lejen në 3 institucione në SPAK, Drejtorinë e Burgjeve dhe në GJKKO për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në orën 11.00. GJKKO sqaron se lejet jepen vetëm në raste vdekjesh, martesash apo provimesh.

Betimi para këshillit bashkiak është detyrim ligjor, nëse nuk realizohet brenda një afati kohor brenda 6 muajsh mandati tij shuhet. Në lidhje me vendimin e GJKKO-së ka reaguar edhe ministria e Jashtme greke, ku thekson se Shqipëria si vend kandidat në BE, duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
GJKKO refuzon lirimin e Belerit, reagon Greqia: Si vend kandidat në BE, Shqipëria të respektojë shtetin se drejtës

Ministria e Jashtme greke ka reaguar sa i përket refuzimit të kërkesës së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri për dhënien e një leje të posaçme daljeje nga burgu dhe pjesëmarrjes në betim në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti.

‘Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që të jetë pjesëmarrës nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot. Ky refuzim tregon tani, pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e zonës. Si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit.’- thuhet në reagimin e ministrisë së Jashtme greke.