Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka bërë një reagim të gjatë nga qelia lidhur me shqetësimet e tij për formën e trajtimit të çështjes së detit me Greqinë. Në postimin e tij në rrjete sociale, kreu i Partisë së Lirisë, ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence.

Meta shkruan se trajtimi sot i çështjes së detit, cenon interesat e Shqipërisë, një problematikë të cilën ai thotë se e ka ndjekur për 13 vite për shkak të funksioneve shtetërore që ka mbajtur nga ai i ministrit të Jashtëm e deri tek president i Republikës.

Në vitin 2020, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm grek Dentias, vendosën që çështja t’i kalojë Gjykatës së Hagës, teksa Meta shton se ky vendim “bëri nuk progresin e arritur në vitin 2018”. Meta thotë se nëse Shqipëria shkon në Hagë për këtë çështje, atëherë të gjitha dakordësitë e vitit 2018 bien poshtë dhe vija e drejtë bazë rrezikon të hidhet poshtë.

Meta kërkon që çështja e detit të mos trajtohet si tender i fshehtë dhe si tokat e Gjipesë, duke paralajmëruar se pasojat do të ishin të pakthyeshme. Ai i bëri thirrje institucioneve të veprojnë me transparencë, duke kërkuar që ministrja e Jashtme të mbështetet në prag të vizitës së saj në Athinë.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

ÇËSHTJA E DETIT SI INTERES KOMBËTAR, JO SI TENDER SEKRET

Çështja e Detit është jo vetëm shumë herë më e "thellë" se vetë Deti Jon, por edhe aq e shëmtuar fatkeqësisht, në kontrast të plotë me bukurinë përrallore të Jonit.

Këtë çështje, për shkak të detyrave shtetërore, kam qenë i detyruar ta ndjek për gati 13 vjet, prej funksioneve të larta, nga Ministër i Jashtëm në shtator 2009 e si President i Republikës deri në korrik 2022.

Akti i fundit zyrtar që kam bërë si President i Republikës, ishte informimi zyrtar nominal i çdo deputeti të Kuvendit lidhur me ecurinë e kësaj çështjeje gjatë pesë viteve që unë  shërbeva si President i Republikës.

Ky akt synonte, jo vetëm realizimin e një transparence, por edhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e vëmendjes që kërkonte kjo çështje tejet e koklavitur, por kurrë prej meje.

Dihet se falë ankimit të Partisë Socialiste, Gjykata Kushtetuese u investua duke nxjerrë një vendim të posaçëm kushtetues si udhërrëfyesi i vetëm për parimet dhe rrugët e negocimit deri në përcaktimin në detaje të rolit të çdo institucioni shtetëror.

Në respekt të këtyre detyrimeve kushtetuese, kam bashkëpunuar me Qeverinë, duke dhënë edhe autorizimin për krijimin e grupit negociator.

Por çuditërisht, në vitin 2018, pala greke kërkoi të operohej në bazë të vullnetit  politik, çfarë nuk ishte kompetencë e grupit negociator.

Në këto rrethana të reja, si President i Republikës pres në takim Kryeministrin Rama për të ecur drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila tani kishte vetëm një rrugë, autorizimin e Kryeministrit për drejtimin e negociatave.

Për mua kjo ishte plotësisht e logjikshme, duke patur në konsideratë se Kryeministri ishte edhe bartës i vullnetit të shumicës në Kuvend, roli i të cilit ishte dhe mbetet i pashmangshëm në çdo marrëveshje të tillë.

Por dakordësia e këtij takimi jo vetëm që nuk u shoqërua kurrë me një kërkesë për autorizim nga Kryeministri dhe Qeveria, por përkundrazi, u shoqërua me një ndërprerje të njëanshme të komunikimit institucional për këtë çështje, për të vazhduar më tej me dizinformacione ndaj palës greke sikur Presidenti i Republikës bllokonte procesin, aq sa Z. Avramopulos u habit pas takimit me mua për dy histori krejt të ndryshme që dëgjonte për të njëjtën çështje.

Jo vetëm kaq, por Qeveria vazhdonte sjelljet e saj jotransparente dhe Kryeministri, si shejtan-budalla, bënte edhe deklarata publike për këtë çështje, të cilat mund të rëndonin pozitën e shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare.

Aq shumë ishte helmuar pala greke me dizinformacione sa Ministri i Jashtëm atë kohë, Z. Dendias, në Maj 2022, pasi i refuzoi Ministres së Jashtme modifikimin e dakordësisë së 20 Tetorit 2020 që kishte arritur me Kryeministrin Rama, deklaroi se puna për mbylljen e Marrëveshjes së Detit do të fillonte sapo në zyrë të hynte Presidenti i ri i Shqipërisë (pra të ikte Meta).

Sot që unë po shkruaj këto rradhë kanë kaluar tre vjet e gjysmë që nuk jam në zyrën e Presidentit, por jam në një "zyrë" të re edhe për shkak të (mos) Marrëveshjes së Detit.

Meqenëse këtu në "zyrën" e re, u informova nga mediat shqiptare, të cilat ishin informuar nga mediat dhe autoritetet greke, për vizitën e afërme të Ministres së Jashtme të vendit tonë, ku theksohej se temë kryesore do të ishte edhe Çështja e Detit, vetëm në interes të suksesit të kësaj vizite, por edhe mbrojtjes konstruktive e legjitime të interesave sovrane të Shqipërisë, do të doja të ndriçoheshin sa të ishte e mundur disa pyetje dhe disa çështje jetike, për të cilat nuk flitet askund.

Në 20 tetor 2020, Rama-Dendias ranë dakord të shkojnë në Hagë për Detin, si dhe të shkojnë për gjithë çështjen, duke bërë kështu NUL negociatat dhe dakordësitë e vitit 2018.

Kur u mor vendimi nga Kryeministri, nuk kishte dhe ende nuk ka (në dijeninë time) grup negociator.

Pas autorizimit duhet të ngrihet Grupi Negociator për hartimin e Marrëveshjes Speciale të ratifikuar nga dy vendet dhe që i paraqitet Gjykatës Ndërkombëtare.

Kjo Marrëveshje përmban pyetjet për gjykatën, që zakonisht kërkon zgjidhjet për mosdakordësitë.

Vendimi i kryeministrit Rama për të shkuar në Hagë për të gjithë çështjen është jashtë kompetencave të tij kushtetuese dhe ngritja e grupit sot nënkupton legjitiimin e vendimit të tij (fakt i kryer).

Çfarë u arrit në vitin 2018 sipas dijenisë time?

U reflektuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese:

Titulli i Marrëveshjes, parimi i delimitimit, me distanca të barabarta dhe korrektuar për Equitenë, u hoq neni 2 i Marrëveshjes, u vlerësua kufiri në Gjirin e Ftelias.

Përveç këtyre, Greqia njohur vijën e drejtë bazë të Shqipërisë me efekt 40km² dhe si bazë igjore në teks u përfshi Protokolli i Firences i 1925 për kufijtë tokësorë.

U dakordësua teksti i Marrëveshjes, vija me distanca të barabarta, si dhe parimi i Equitesë për shkëmbinjtë në detin territorial dhe ishujt në Shelfin Kontinental dhe ZEE.

Çfarë ndodh nëse shkojmë për të gjithë çështjen në Hagë?

Dakordësitë e 208 bëhn NUL dhe e gjithë çështja konsiderohet mosdakordësi.

Bie përfshirja e Protokollit të Firencës 1925 në draft-marrëveshje.

Bie sipërfaqja 40km², sepse rrezikojmë të na rrëzohet vija e drejtë bazë.

Nëse shkohet për të gjithë çështjen në Hagë, vija e drejtë bazë do të përbëjë mosdakordësi dhe do merret në shqyrtim nga GJND dhe gjasat janë ta rrëzojë. (precedenti Somali- Kenia).

E vetmja mundësi që Greqia të rrëzojë vijën e drejtë bazë të Shqipërisë është një vendim gjykate.

Ndërkohë që Greqia e njohu në negociatat e 2018, sepse nuk kishte mundësi ta kontestonte në rrugë diplomatike.

Kështu do të humbisnim dhe 40km². (Përse?)

Këtë në dijeninë time e konfirmon edhe kompania e Znj. Blair “Omnis Strategy”, që u pagua 3 milion euro dhe dorëzoi raportin final me konkuzionin se “rrezikoni vijën e drejtë bazë në Hagë”.

Ishte pikërisht ky raport dhe konkluzion edhe i "Omnis Strategy" që e detyroi Ministren e Jashtme, Znj. Olta Xhaçka në maj 2022, t'i kërkonte homologut grek Z. Dendias, modifikimin e dakordësisë të 20 tetorit 2020, Rama-Dendias, që u refuzua nga ky i fundit, që mezi priste largimin e Presidentit të Republikës.

Meqënëse po bëhen katër vite që e kemi paguar 3 milion, euro "Omnis Strategy " kur do të njihemi me konkluzionet dhe vlerësimet e saj?

A e ka Presidenti i Republikës këtë raport të plotë? Po Kryetari i Kuvendit?

Po Kryetarët e Grupeve Parlamentare? Po Komisioni i Ligjeve? Po Komisioni i Jashtëm?

A janë në dijeni këto institucione dhe funksionarë  për shkak të detyrës së tyre nëse Greqia ka dorëzuar një draft të Marrëveshjes Speciale për negocim?

Po për përmbajtjen e draft-marrëveshjes të MEPJ?

Për çfarë do shkohet në Hagë?

Për të gjithë çështjen apo vetëm për çfarë nuk është rënë dakord në 2018?

A ka përputhje dhe për çfarë çështjesh midis draftit grek dhe atij shqiptar për Marrëveshjen Speciale?

Ju lutem të gjithëve të mos e trajtori çështjen e Detit si tokat e Gjipesë ose tender sekret, sepse nuk do të ketë më mundësi korrigjimi.

Ndaj në mënyrë transparente, konstruktive dhe profesionale, ndihmojeni edhe Ministren e Jashtme të ketë një vizitë të suksesshme në Athinë.

Edhe një konsultë me negociatorët e 2018, nuk do të ishte humbje kohe.

Po kështu edhe me ish-anëtarët e nderuar të Gjykatës Kushtetuese.

Reagimet e Metës vijë disa ditë përpara takimit të ministres së Jashtme Elisa Spiroplai me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis në Athinë. Ende pa një agjendë konkrete, ky takim është komentuar si një “erë e re” diplomatike mes dy vendeve për të ngritur një tryezë diskutimesh për disa çështje, konkretisht ajo e detit si dhe ajo e pensioneve për të gjithë shqiptarët që për vite kanë punuar në Greqi, vite pune që aktualisht nuk i njihen në Shqipëri.