Burime nga kompania CEZ deklaruan për Shqiptarja.com se klientët nuk duhet të habiten kur t’u vijë fatura, në të cilën do të deklarohen debitorë për shuma, që më parë nuk figuronin në zërin “debi”. Fjala është për “kamata në sistem”, të cilat nuk pasqyrohen në rastin kur pagesat janë bërë pranë arkave të vetë kompanisë, pasi aty nuk të vuloset libreza pa paguar edhe kamatëvonesën.
Por, ka shumë raste, madje të faturave voluminoze të kompanive të caktuara, kur këto pagesa janë kryer nëpërmjet rrugës bankare. Tani, duke nisuar nga janari i vitit 2007, kompania ka hyrë në arkivat e saj për të gjetur kamata pikërisht për vonesa në pagesën e faturave dhe, duke qenë se fjala është për gjashtë vite, mund të përbëjnë edhe një detyrim marramendës.
Në shumë raste, bankat e nivelit të dytë më parë pranonin fatura që u kishte kaluar afati i rregullt i pagesës, por pa faturuar kamatat. Janë pikërisht këto raste, krahas masave të tjera, pas të cilave Dollapi dhe grupi i tij i menaxherëve të rinj të CEZ-it janë kapur për të rritur të ardhurat e një kompanie, e cila, vetëm për vitin e kaluar ka dalë me një humbje prej më shumë se 260 milionë eurosh.
Kjo masë tingëllon absurde, pasi për shumë vite klientët e CEZ-it mund të kenë marrë një faturë “të pastër”, pra pa debi dhe papritur shpallen debitorë dhe jo me shifra të vogla. Kjo mund të krijojë një situatë me përmasa serioze pakënaqësie, e cila mund të menaxhohet nga qeveria në formën e një amnistie, e cila të lehtësojë qytetarët në prag të zgjedhjeve parlamentare, ose do të përdoret për të goditur në mënyrë selektive klientë të caktuar.
CEZ-Shpërndarje, ndërkohë, ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjisë që të rikthejë faturimin aforfe. Ky mendohet si një mjet ndaj abonentëve pa matës deri në momentin e instalimit. Vlerat duket se do të konsistojnë në një shifër mes konsumit më të lartë dhe atij më të ulët, sipas qarqeve. Të gjitha anomalitë me matësit, sipas CEZ-it, do të trajtohen në katër grupe kontratash. E para, kontrata pa matje; e dyta, kontrata me matës me probleme; e treta, kontrata me cenim të sistemit matës dhe e katërta, pa seri matësi në sistemin e faturimit.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)