ELBASAN – CEZ-shpërndarja ka lënë pa energji elektrike rreth 5 mijë banorë të komunës Shushucë, pasi sipas saj, janë debitorë ndaj kompanisë me rreth 80 % të faturave të papaguara, ndërsa banorët e revoltuar kanë tentuar të hyjnë me forcë në zyrat e kësaj kompanie duke kërcënuar se do të bllokojnë të gjitha zyrat.

Nga ana tjetër, ky fakt është i papranueshëm nga banorët pasi pretendojnë se kanë paguar 95% të energjisë elektrike dhe vetëm 40 familje janë debitor ndaj CEZ-it.

“Është e padrejtë, thonë ata, - që kjo kompani të na dënoi kolektivisht sepse kontratat dhe matësat e energjisë elektrike janë lidhur në mënyrë individuale në çdo familje”.

Aktualisht janë pa energji elekrike rreth 600 familje duke përfshirë edhe biznesin, ndërkohë që pranë komunës ndodhet pika turistike e Byshekut, ndër më të frekuentuarat gjatë kësaj periudhe, çka bën që biznesi të mbetet i paralizuar.

Ultimatuti i banorëve shkon më tej se “në rast se Cez nuk merr masa të menjëhershme për zgjidhjen e kësaj situate të shkaktuar”, sipas banoreve nga vetë kompania, atëherë, vazhdojnë ata, - ne do të detyrohemi të gjithë si komunitet të shkojme të bllokojmë të gjitha zyrat qendrore që ka kompania Cez në Elbasan deri sa problemi jonë të marrë fund njëherë e përgjithmonë”.
(gm/shqiptarja.com)