Seksioni i Task-Forcës i ngritur pranë Institucionit të Prefektit të Gjirokastrës, ka diskutuar mesditën e të premtes gjerë e gjatë lidhur me problematikat e lindura nga konsumimi i energjisë elektrike, sidomos në zonat nevralgjike të saj e veçanërisht në fshatin Lazarat.
Nga ana e saj prefektja Zamira Rami ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e kësaj task-force gatishmëri për të përmbushur të gjitha detyrat në përmirësimin e klimës së furnizimit me energji elektrike, përfshirë këtu edhe ndëshkimin e çdot kundravajtësi që kërkon të abuzojë.
Ndërkaq, kreu i CEZ-Shpërndarjes në Rajonin e Gjirokastrës Sokol Feruni, ka vënë në dukje problematikën e lindur në Lazarat, ku faturimet janë pothuajse inegzistente për vetë specifikën që mbart kjo komunë. Sipas tij, kërkohet më tepër angazhim nga strukturat e shtetit për zbatueshmërinë e ligjit dhe përmirësimin e klimës së besimit në këtë zonë.
Sipas Ferunit, në ditët vijuese, në Lazarat do të mësyjnë grupet e monitorimit dhe të task-forcës, për të bërë të mundur fillimisht identifikimin e problemeve dhe më pas procedimin po në terren të elementëve që abuzojnë me ligjin.
"Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, dhe si të tillë, çdokush që konsumon energji elektrike, duhet ta paguajë atë në të kundërt, do të veprojë ligji. Askush nuk do të tolerohet, kushdo individ, apo biznes që do t’i bëjë karshillëk CEZ apo dhe ligjit, pasi nuk do të tolerohet qoftë ky banor i çdo njësie vendore që jeton", është shprehur për "A1 Report" kreu i CEZ-Shpërndarjes Sokol Feruni.
Ndonëse ende nuk janë publikuar të dhënat e reja nga CEZ përsa i përket faturimeve për banorët e fshatit Lazarat, bazuar mbi të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit të kaluar, arkëtimet në fshatin rebel nuk e kalonin masën 10%, një shifër vërtet shqetësuese, ndërkohë që furnizimi me energji elektrike në Lazarat, ka qenë i cunguar javët e fundit sidomos në orët e mesditës dhe të drekës.
Të paktë janë ata familjarë apo biznese që rezultojnë korrektë me pagesat e energjisë elektrike të konsumuar në Lazarat, çka përbën një gropë të zezë për të ardhurat e CEZ-Shpërndarja për Rajonin e Gjirokastrës.
Sipas Ferunit, Lazarati, ka qenë një problem i trashëgueshëm dhe nuk është fenomen i ri i gjetur. Si i tillë, kërkohet më tepër angazhim nga ana e strukturave shtetërore, për rikthimin e normalitetit, në pagesat e faturave të energjisë së konsumuar.
Ndryshe nga Lazarati, zonat e tjera të Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit, kanë tregues mjaft pozitiv në pagesat e energjisë së konsumuar. Përmeti mban rekord me 112% e më pas vjen Tepelena me 106 % dhe më pas Gjirokastra me një tregues më të ulët në raport me dy rrethet e tjera të qarkut.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)