"CEZ", përplasjet mes Bodes 
Rulit dhe Berishës për çekët 

Rulit dhe Berishës për çekët ">
Qeveria “Berisha” ka qenë plotësisht e vetëdijshme për shitjen abuzive të Operatorit të Sistemimit të Shpërndarjes tek kompania çeke CEZ, duke i shkaktuar shtetit shqiptar 415 milionë euro dëm ekonomik.

Shqiptarja.com zbardh dokumente dhe detaje të reja, të përfshirë në dosjen penale të referuar në prokurori për çështjen “CEZ”, nga dëshmitari kyç Romeo Kara.

Pjesë e dokumenteve është edhe një procesverbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave të datës 17 Shtator 2008 (pikërisht vetëm 12 ditë para hapjes se ofertave për privatizimin e OSSH), ku ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ish-ministri i METE, Genc Ruli dhe ish-kryeministri Sali Berisha përfshihen në debate për pasojat e privatizimit të OSSH, për shkak të çështjes së aseteve.

Gjatë kësaj mbledhje, Ridvan Bode (i cili sot mbron privatizimin) paralajmëron Genc Rulin dhe Sali Berishës për risqet e mëdha të privatizimit në dëm të shtetit shqiptar, ndërsa i kërkon llogari Genc Rulit pasi nuk kishte një inventarizim të saktë të aseteve të OSSH.

“Për më tepër që ngrihen pretendime, që pasi ta privatizojmë, pasi të paguajmë paratë, ai që e privatizon, ka të drejtë të bëjë rivlerësimin e pronave, nëse pronat e kanë apo nuk e kanë këtë vlerë, dhe pas kësaj kanë të drejtë që shteti t’ua kthejë në masë 100 % të gjitha ato gabime që mund të bëhen në vlerësimet tona ose të atyre që mund të nxjerrë ai gabim”, thotë Bode.

Dokumenti tregon se privatizimi është kryer pa një inventarizim të aseteve të OSSH, çka u ka shkaktuar miliona euro dëm shqiptarëve. Nga debatet duket se Bode nuk ishte i informuar ende se në lojë kishte hyrë sekseri Nuel Kalaj, i cili pas takimeve me Berishën dhe Rulin, fituesi i privatizimit ishte përcaktuar, ku formalitetet duhet të kryheshin me shpejtësi, madje në mjaft raste pa bazë ligjore ose në shkelje të ligjit.

KE kundra
Gjatë diskutimeve, del në pah se edhe specialistët e Komisionit Evropian ishin pozicionuar kundër privatizimit, për shkak se ndërmarrja shtetërore kishte bilance negative.

“Komisioni Evropian dhe specialistët përkatës ishin shumë të interesuar për këtë lloji procesi. Më kujtohet nga ky lloji diskutimi që është bërë atëherë, shqetësimi kryesor që ngritën specialistët me shumë mirëdashje të Komisionit Evropian, thanë që në këtë situatë që është OSSH-ja, KESH-i në përgjithësi, që ju vetë me shifrat tuaja, është negativ, është një bilanc negativ, nuk ka logjikë që t’i privatizosh, domethënë një ndërmarrje që ka bilanc negativ, del me humbje. Se një sipërmarrje që del me humbje, likuidohet, nuk privatizohet”, ka deklaruar Albert Gajo, ish-zëvendësministër i Integrimit në qeverinë “Berisha”.

Çështja e aseteve
Siç dihet, një nga shkeljet më flagrante të këtij privatizimi, është zhvlerësimi dhe më pas rivlerësimi i aseteve të OSSH sipas interesave të çekëve, është kalimi i aseteve tek OSSH dhe detyrimi për shlyerjen e kredive tek KESH. Pra, gjatë përgatitjes së tenderit dhe gjatë fazës së negocimit me urdhra të ministrave të METE dhe me vendime të Këshillit të Ministrave (VKM nr. 218, dt. 06.03.2009), janë kryer veprime të shumta për sistemin e aseteve, për procese që ligjërisht nuk ishin provuar përpara procedurave të privatizimit. Kjo ka dhënë efekte negative në rënien e vlerës së aksioneve të OSSH nga 8.5 miliardë lekë në 5.9 miliardë lekë.

Manovra
Sipas dokumenteve të tenderit, tashmë pjesë e dosjes në prokurori, ofertat e investitorëve strategjikë do të përgatiteshin duke u bazuar tek bilanci i vitit 2007 të OSSH-së. Duke mos bërë një vlerësim të saktë, të aseteve përpara se të fillonte ky proces, duke mos ndare detyrimet ndërmjet KESH-it dhe OSSH-së, CEZ-i pretendoi se oferta e tij prej 102 milionë euro, ishte mbështetur tek bilanci i vitit 2007. Bazuar në këtë, CEZ-i kërkoi një ndryshim të çmimit me arsyetimin se, asetet e OSSH përgjatë vitit 2008 ishin zhvlerësuar dhe se bilanci i vitit 2007 nuk ishte i saktë. Ndërkaq, verifikohej fare lehtë se nga bilancet e OSSH-së për vitet 2007 dhe bilancin e 2008, se përkundrazi, për vitin 2008 kemi një rritje në vlerë të aseteve në shumën 1,393,971,000 lekë. Pra, kjo mënyrë futjeje në privatizim, krijoi abuzimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë me pronën publike në Shqipëri.
 

Debatet në midhjen e qeverisë në datën 17 Shtator 2008
 
-Sali Berisha: Ky projektvendim (për përcaktimin e aseteve të OSSH) është propozuar nga METE. Jeni dakord, kush ka ndonjë koment?
 
-Ridvan Bode: Për të dhënë komente në këto ndryshime, është pak e vështirë për të thënë nëse është korrekte apo nuk është korrekte. Janë ndryshime që kërkohen për procedurën e privatizimit, megjithatë thelbi i procesit është se ka akoma gjëra të paqarta dhe kemi mjaft probleme që nuk i kemi konsultuar me Gencin. Tani ai po futet në fazën përfundimtare të privatizimit, është problemi i garancive që do të ndryshojmë ne dhe çfarë do të garantojmë, pasi ka tendenca për zgjeruar jo vetëm gamën, por edhe risqet që parashikohen nga procesi i privatizimit. Ka elementë të tjerë që kanë të bëjmë me thelbin e kontratës, ne sot ia faturojmë, domethënë është parashikuar nga ERE që të jetë një çmim diku te 1.8 lekë për kilovat, që duhet prodhuesi i energjisë, KESH t’i faturojë OSSH dhe nuk e dimë nëse është çmim i përshtatshëm apo i papërshtatshëm. Çdo ndryshim i këtij çmimi nesër, sigurisht që do të kërkohet rritja e çmimit me pakicë nga operatori që do të privatizojë OSSH. Nga verifikimet tona del që të paktën ajo kosto që ka llogaritur ERE, nuk eksitojnë interesat e kredive që do të paguajë KESH, pa le elemente të tjera që ne nuk i dimë. Pra, mendoj se ky është një proces jashtëzakonisht delikat dhe duhet që në mënyrë maksimale të ketë impenjim dhe transparencë, në mënyrë që nesër të mos ndodhemi para pagesës së faturave dhe penaliteteve nga ai që do ta privatizojë. Pra, këtu ka një çështje jashtëzakonisht delikate teknike dhe unë do t’i thoja Ministrisë së Ekonomisë që me një grup punë të mund të bëjë verifikimet e nevojshme, të të gjithë këtyre elementëve, që të sigurohemi që atë që ofrojmë për të privatizuar, e kemi maksimalisht në marzh mbrojtjeje të mirë nga pretendimet që do të ketë ai që do ta privatizojë. Për me tepër që ngrihen pretendime, që pasi ta privatizojmë, pasi të paguajmë paratë, ai që e privatizon, ka të drejtë të bëjë rivlerësimin e pronave, nëse pronat e kanë apo nuk e kanë këtë vlerë, dhe pas kësaj kanë të drejtë që shteti t’ua kthejë në masë 100 % të gjitha ato gabime që mund të bëhen në vlerësimet tona ose të atyre që mund të nxjerrë ai gabim.
 
-Genc Ruli: Pa dyshim që probleme të tilla ka prandaj ka një vit e gjysmë që punohet për këtë privatizim. Parimi i kujdesit është ky që të marrim vlerën e duhur, për mallin e duhur, dhe ne sot nuk mund ta themi me saktësi. Ne bëjmë të gjitha bilancet. Ka një vit që u bënë të gjitha inventarizimet, megjithatë KPMG-ja prapë në disa pika kryesore, asetet janë asete të vlerësuara me vite, nuk është mbajtur mirë amortizimi, nuk dihet se kush është vlera reale e tyre sot, a janë funksionale apo nuk janë funksionale, apo janë pjesë të futura në listë dhe në fakt janë hekura për t’u hedhur.
 
-Sali Berisha: Kush e zgjodhi këtë kompani, Genc?
 
-Genc Ruli: Me KPMG e ka bërë gjithnjë KESH-i auditimin dhe ishte një tender që e bëri KESH për të zgjedhur audituesin, por KPMG ka tre vjet që ia bën, që nga viti 2004 në mos gaboj, bilancin e kompanisë e ka bërë gjithnjë KPMG. Megjithatë, Ridvan, meqenëse kompanitë kërkuan që të kishin të drejtë për të bërë disa komente apo kushte në paraqitjen e ofertës së tyre, procesi i negocimit është procesi që merr rëndësi kardinale dhe padyshim do të merret vendim siç vendosëm për AMC. Nga grupin e negocimit kemi përfaqësues të lartë edhe nga Ministria e Financave, edhe nga Ministria e Drejtësisë.
 
-Sali Berisha: Tani, Ridvan, siç e dini, këtë problemin e kredisë, për hir të së vërtetës, erdhën dhe na e sollën në tavolinë BB dhe FMN. Pse e bërë këtë? E bënë, mendoj unë, e bënë që të mund të ketë një proces të suksesshëm, se është delikat, se merr ‘derrin në thes’, imagjinoni ju lukuninë e faturistëve shqiptarë, me inkorrektesën e tyre ekstreme, me ryshfetet që marrin për të ulur këtu pagesën, për të rritur aty, domethënë nuk është se ai që e merr ka një siguri të madhe nga ana e suksesit. ERE e ka përcaktuar të gjithë. ERE ka bërë një punë të mirë.
 
-Ridvan Bode: Me përjashtim të çmimit të shitjes së energjisë së prodhuar në Shqipëri, nëse themi se çmimi i energjisë së prodhuar në Shqipëri është 1.6 lekë kilovati apo 1.5 lekë kilovati, kjo pastaj do të krijojë probleme, se ke një kompani KESH-in, e cila do të transferojë të gjitha detyrimet që ka sot OSSH-ja dhe do të jetë absolutisht nyja qendrore.
 
-Genc Ruli: ERE e ka përcaktuar në vitin 2009 që kjo energji e ka çmimin 1.8 lekë kilovati dhe i del, realisht, sipas të gjithë kalkulimeve që bëmë, me koston historike dhe me koston reale, që kaq të jetë çmimi, pasi çdo rritje që i bëhet këtij çmimi transmetohet si rritje pastaj në tarifën përfundimtare.
 
-Sali Berisha: Dakord, ky e merr me 1.8 lekë dhe sa ua shet qytetarëve?
 
-Genc Ruli: OSSH shton shpenzimet e shpërndarjes në të gjithë rrjetin e saj më të cilin operon dhe deri tek konsumatori del diku afër tek 4, duke përfshirë nënstacionet, rrjetet, deri tek destinacion i konsumatorit.
 
-Ridvan Bode: Unë po them pjesën e prodhimit tonë, sepse ne atë që do të blejmë, do të vazhdojmë të blejmë me çmim tregu dhe do ta emtojmë me çmim tregu, ajo dihet, i vetmi element, i cili mund të japë siguri, në perspektivë që do të mbajë një kosto relativisht më të ulët të çmimeve, në krahasim me rajonin dhe Evropën, është prodhimi i brendshëm dhe në qoftë se ne e lesojmë që tani 1.8 apo 1.6 për një çmim prej 1.2 lekë kilovatin, të jesh i bindur se njerëzit e dinë se kostoja nuk është aq.
 
-Sali Berisha: Ka një koto të llogaritur nga UDAID për këtë, është shumë më e lartë.
 
-Genc Ruli: Po pra kjo është kostoja. Kjo merr parasysh edhe disa shpenzime investimesh dhe mirëmbajtjesh që duhet të bëtë KESH në disa hidrocentrale dhe larjen e kredive që ata kanë marrë për rehabilitimin e hidrocentraleve. Këtë energji që ne po e lëmë në Shqipëri duam që ta lëmë me këtë çmim.
 
-Sali Berisha: Jo, duam ta lemë, por është puna se ai tjetri ia jep konsumatorit me çmim më të lartë.
 
-Genc Ruli: Fitimi i tij është pacaktuar, fitimi i tij është 2 për qind, i është dhënë që tani në kontratë, nuk e rrit dot fitimin ai më këtu. ERE ku ia miraton i thotë se unë të njoh kaq fitim, madje ky është një nga problemet që kemi patur ne, se kishim 10 dhe na kërkonte 10, dhe nuk kishte asnjë vend në rajon që ta kishte fitim 10. Pra, ERE e kalon koston nga njëri tek tjetri. Ne po arritëm që ERE është e bindur se kjo është kostoja reale, kjo është kostoja reale.
 
-Sali Berisha: ERE ka kapacitete të vlerësojë fitimin e saj, pra të kompanisë.
 
-Genc Ruli: Po e ka, sigurisht që do të bazohet tek bilancet, te raportet e kompanisë.
 
-Sali Berisha: Mirë, e vetmja gjë është që kompania do të penalizohen për keqperformancës e saj, dakord, por kompania duhet ta ketë të qartë se ajo mund të raportojë bilance false.
 
-Genc Ruli: Nuk flasim për kompani të tilla në këtë rast, janë kompani të tjera.
 
-Sali Berisha: Edhe kompanitë e mëdha i fshehin bilancet, ç’kusur kam unë në qoftë se ai nuk i kompenson humbjen për paaftësinë e tij.
 
-Genc Ruli: Jo, uljen e humbjeve e ke përcaktuar dhe madje kjo është nja nga kushte që kemi përcaktuar. Pikërisht, ERE kur bën planifikimin e çmimit të energjisë, merr parasysh nivelin e humbjeve, që vë ajo si objektiv dhe duke i vënë një objekt, për shembull do ta ulësh 5 për qind, do të thotë se ti duhet të bësh afërsisht kaq investime, ja merr të gjitha këto elemente parasysh kur i kalkulon koston, i shton edhe fitimin normal, për të cilin është rënë dakord.
 
-Sali Berisha: Dakord, nuk ka gjë për fitimin, e vetmja gjë është kjo, se këtu bëhet një gjë shumë e rëndë në qoftë se ai nuk gjen mekanizmat e plotë të bilancit.
 
-Albert Gajo: Komisioni Evropian dhe specialistët përkatës ishin shumë të interesuar për këtë lloji procesi. Më kujtohet nga ky lloji diskutimi që është bërë atëherë, shqetësimi kryesor që ngritën specialistët me shumë mirëdashje të Komisionit Evropian, thanë që në këtë situatë që është OSSH-ja, KESH-i në përgjithësi, që ju vetë me shifrat tuaja, është negativ, është një bilanc negativ, nuk ka logjikë që t’i privatizosh, domethënë një ndërmarrje që ka bilanc negativ, del me humbje. Se një sipërmarrje që del me humbje, likuidohet, nuk privatizohet. Pra kjo është më e thjeshtë se sa ky diskutim që mundohemi që ta komplikojmë. Në qoftë se bilanci është i certifikuar, i OSSH-së, i audituar dhe me vlerë negative, nuk mund të privatizohet ose do të presësh deri në momentin që ai të ketë një bilanc pozitiv.
 
-Genc Ruli: Po flas për OSSH, e cila nuk rezulton me humbje, pasi është kompani e krijuar këtë vit. Borxhet e OSSH ia kemi kaluar KESH-it. Pra nuk e di nga e ke dëgjuar ti këtë, se në tavolinën e Brukselit nuk kam dëgjuar ndonjëherë të flitet për këtë që thua ti. 

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Lushnjë/ Zjarr në kodrat e ullishteve në fshatin Karbunarë! Era favorizon përhapjen e flakëve

Lushnjë/ Zjarr në kodrat e ullishteve në fshatin Karbunarë! Era favorizon përhapjen e flakëve