CEZ rilidh energjinë: Do të
apelojmë vendimin e Gjykatës 

CEZ rilidh energjinë: Do të<br />apelojmë vendimin e Gjykatës 
TIRANE - Në një njoftim për mediat pas vendimit të Gjykatës së Tiranës CEZ Shpërndarje sqaron se ka nisur të rilidhë energjinë elektrike në ujësjellësat dhe thekson se kjo kompani rezervon të gjitha të drejtat e apelitimit të këtij vendimi të padrejtë.

‘’Në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës së Tiranës, CEZ Shpërndarje informon publikun se ka nisur të kryejë rilidhjen e energjisë elektrike, brenda afateve të arsyeshme, të kompanive të ujësjellësave të ndërprerë për shkak të debive që ato i detyrohen shoqërisë së shpërndarjes së energjisë.

CEZ Shpërndarje dëshiron të theksojë se kompania ka vepruar gjithnjë dhe do të veprojë në vazhdimësi në përputhje me ligjin.

Gjithsesi, CEZ Shpërndarje edhe njëherë po përballet me të tjera veprime të shpronësimit indirekt dhe ndalimit me forcë të ushtrimit ligjor të aktivitetit të shoqërisë.

Ndaj dhe, CEZ Shpërndarje rezervon të gjitha të drejtat e apelimit të këtij vendimi të padrejtë deri në Arbitrazhin Ndërkombëtar‘’, thuhet në njoftimin e CEZ.


MACEK: POLICIA TE LIROJE PUNONJESIT E CEZ
Ora 16:10 Drejtori i përgjithshëm i CEZ Albania, Jaroslav Macek në një konferencë për shtyp ka kërkuar lirimin e të gjithë punonjësve të CEZ Shpërndarje që janë ndaluar sipas tij në mënyrë arbitrare nga Policia e Shtetit, pasi ata kanë qenë duke kryer detyrën në përputhje me detyrën funksionale me ligjin dhe me kontratën.

“Gjatë ditës së djeshme punonjësit tanë janë penguar në mënyrë arbitrare nga ana e strukturave të policisë së komisariateve në disa qytete, për të kryer detyrën e tyre funksionale dhe ligjore. Ata janë kërcënuar se duhet detyrimisht të lidhin energjinë elektrike për ujësjellësat e në disa raste janë shoqëruar në komisariat ku disa prej tyre në mënyrë arbitrare janë arrestuar në kundërshtim të plotë me ligjin. Punonjësit tanë kanë vepruar në përputhje me detyrën e tyre funksionale duke respektuar të gjitha detyrimet ligjore për ndërprerjen e institucioneve debitore. Çdo përpjekje e strukturave të Policisë së Shtetit, për të justifikuar veprimet e tyre të paligjshme me kryerjen e veprave penale nga ana e punonjësve tanë është në kundërshtim të plotë me ligjin. Duam të theksojmë se kompania mbështet plotësisht punonjësit e ndaluar arbitrarisht si dhe familjarët e tyre në të gjitha aspektet, ligjore dhe morale, u shpreh Macek.

Më tej drejtori i përgjithshëm i CEZ Albania i ka bërë thirrje policisë të ndalojë çdo veprim ndaj punonjësve të kësaj kompanie, në të kundërt CEZ do të bëj kallëzim penal për shpërdorim detyre.

“Ju bëjmë thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të ndalojnë si dhe të pushojnë çdo lloj veprimi apo procedure të filluar ndaj punonjësve të CEZ Shpërndarje, të cilat janë ndërmarrë në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim të hapur me ligjin. Ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët kanë kryer veprime në kundershtim me misionin e tyre, CEZ Shpërndarje do të ndërmarrë procedurat ligjore me kallëzim penal ndaj tyre për shpërdorim detyre dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes”, theksoi Macek.

LAKRA: TERROR PSIKOLOGJIK NDAJ PUNONJESVE
Admirin Lakra, drejtori i Divizionit të Shpërndarjes pranë CEZ Shpërndarje gjatë fjalës së tij theksoi se dje ishte një situatë e paprecedentë, ka qenë një terro psikologjik ndaj punonjësve pasi janë arrestuar në kundërshtim me ligjin.

“CEZ në komform legjislacionit dhe kontratës, ka ndërmarrë një aksion për ndërprerjen e energjisë ujësjellësve që kanë qenë debitorë. Situata dje ka qenë e paprecedentë. Kanë qene në terror psikologjik. Në Krujë Durrës Lezhë disa nga punonjës janë arrestuar në kundërshtim me ligjin. Garantoj punonjësit tanë, të cilët kanë zbatuar kontratën nga ana e kompanisë që do të kenë mbështeje ligjore dhe morale. U bëj thirrje policisë të zbatojnë ligjin me rigorozitet pasi të gjithë shkelësit e ligjit do t'i ndjekim penalisht", u shpreh Lakra.

NIKOLLA: NOKA TE LIROJE PUNONJESIT, TE KERKOJE FALJE PUBLIKE
Kolë Nikolla, kryetar i Konfederatës së Sindikatave i bëri apel ministrit të Brendshëm Flamur Nokës që të lirojë nga pranga punonjësit e CEZ Shpërndarje dhe të kërkoj falje publike. Nikolla paralajmëroi të hënën një protestë përpara kësaj ministrie dhe përpara selisë së BE-së.

“Në emër në Konfederatës së Sindikatave në Shqipëri u shpreh pakënaqësinë për ngjarjet e djeshme. I bëjmë apel ministrit të Brendshëm të lirojë nga prangat punonjësit e CEZ që padrejtësisht janë përndjekur nga qeveria dhe Ministria e Rendit, pasi kanë qenë duke bërë detyrën e tyre në përputhje me ligjin.
Do t’i drejtohemi gjithë strukturave ligjore që të hënën me një padi publike për ministrin e Brendshëm, pasi në Lezhë, Krujë, Durrës, Vlorë gjithandej terrorizoi punonjësit e CEZ.

Ne nuk bëjmë avokatin e askujt, as të CEZ, as të qeverisë, një dashuri e zjarrtë mes CEZ dhe qeverisë është kthyer në një tradhti. Kërkojmë që mosmarrëveshjet të zgjidhen sipas ligjit, aspak në interes të instrumenteve të politikës.

Në mbrojte të punëtorëve ashtu siç dje dha një urdhër antiligjor, sot ministri i Brendshëm të japë urdhër ligjor në përmbushje të kushteve të lirojë punonjësit dhe të kërkojë falje publike.

Të hënën do të protestojmë në orën 10-11 përpara Ministrisë së Brendshme dhe Ambasadës Europianë. Në protestë do të jenë të gjithë punonjësit e industrisë shqiptare. Punonjësit janë ndaluar pa të drejtë, kështu nuk ndodh as në Afrikën e Jugut, as në Kili”, u shpreh Nikolla.


DJE CEZ NDERPREU ENERGJINE NE UJESJELLESAT E DISA QYTETEVE
Gjithçka nisi mëngjesin e djeshëm kur kompania çeke CEZ Shpërndarje ndërmori aksionin, e paralajmëruar dy ditë më parë për ndërprerjen e energjisë elektrike në stacionet e pompimit të ujërave të bardha në qytete si Durrësi, Elbasani, Laçi, Saranda, Vlora, Lezha, Kukësi dhe Fieri.

Fillimisht ishin zyrtarët lokalë dhe drejtorët e Drejtorive të Ujësjellësave të qyteteve që e quajtën veprimin "të padrejtë dhe arbitrar". Madje ata deklaroni se kishin paguar pjesën më të madhe të borxhit që i kishin CEZ dhe po vazhdonin të paguanin pjesën tjetër. Më pas reagoi dhe qeveria.

Në mbështetje të tyre u vendos dhe ministri i Brendshëm i cili urdhëroi policinë të ndalonin çdo person që ndërpriste energjinë. Për Tv A1 Report ministri i Brendshëm Flamur Noka tha se: "Do ndalojmë çdo zyrtar i CEZ që bën vetëgjyqësinë dhe e quajti veprimin akt kriminal që cënon sigurinë kombëtare.

Në Sarandë policia ndërhyri duke mos lejuar ndërprerjen e energjisë tek pompa e furnizimit me ujë të pijshëm tek burimet e Vrionit, por u ndërpre energjia në sistemin e pompimit të ujërave të zeza.

Edhe në Fier policia ndërhyri duke mos lejuar stakimin e dritave, madje duke bërë shoqërimin e disa punonjësve të CEZ, që tentuan të stakonin energjinë.

Në mesditë CEZ deklaroi se ishte gati të rilidhte energjinë nëse do të arrihej një marrëveshje me qeverinë e cila konsistonte në kompensimion e borxheve të cilat ujësjellësat i kishin CEZ-it me detyrimet që kjo kompani i kishte KESH-it.

Më pas erdhi dhe reagimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës sipas së cilës: "Borxhi që ka CEZ ndaj KESH është 14 miliardë lekë, ndërsa ai i ujësjellësave ndaj CEZ është 1 miliarë lekë."

Rreth orës 14:00 me ndërhyrjen e policisë energjia u rilidh në të gjitha stacionet të pompimit. Ndërkohë që bordi drejtues i ERE u mblodh për të vendosur procedurat për heqjen e licences ndaj CEZ.

Në reagimin e saj kompania CEZ nënvizonte se është e legjitimuar të kërkonte pagimin e detyrimeve të energjisë elektrike dhe se borxhi që të gjithë institucionet shtetërore dhe entet e tjera publike ndaj CEZ-Shpërndarje i tejkalonin vlerën e 23 miliardë Lekë (165 milion Euro).

Më pas CEZ i dërgon letër Kryeprokurores Ina Rama, ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet të cilës kërkonte informacion mbi shoqërimet, ndalimet dhe pyetjen e punonjësve të CEZ, për shkak të aksionit të sotëm të ndërprerjes së energjisë elektrike në shoqëritë e ujësjellësave. Kompania denoncon dhe ndërhyrjet e policisë në disa qytete. Ndërsa KESH bën me faj CEZ për detyrim të papërmbushur ligjor. LEXONI LAJMIN E PLOTE TE SITUATES SE DJESHME

Redaksia online

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?