Shëndoshja financiare e kompanisë, tha me këtë rast Dollapi, “arrihet me një parim pune shumë të thjeshtë: ndarja e përgjegjësive dhe vlerësimi individual i çdo punonjësi të kësaj kompanie mbi bazën e rezultatit".
Duke pranuar se punonjësit e kompanisë CEZ në rajonin verior kanë probleme dhe vështirësi gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, administratori i përgjithshëm, Sahit Dollapi, theksoi se "e di që jeni trajtuar me një trajtim jodinjitoz financiar, kur eprorët tuaj paguheshin si sheikë. Ashtu siç e di fare mirë që, nga strukturat e kësaj kompanie, ka patur sjellje të padenja ndaj qytetarëve, por, në të njëjtën kohë, edhe sjellje të pandershme edhe ndaj vetë kompanisë, duke e cenuar dhe dëmtuar atë".
Dollapi nënvizoi se drejtori Frano Pjetri dhe ai vetë, nuk do të tolerojnë askënd që abuzon me qytetarin dhe e keqtrajton atë, në çfarëdo lloj forme.
"Trajtojeni qytetarin sikur ai të jetë administrator i CEZ Shpërndarjes. Kur një qytetar faturohet për energji elektrike, ai e ka emrin Sahit Dollapi, kur një qytetar nuk ka energji elektrike për çfarëdo lloj arsye, ai e ka emrin Sahit Dollapi dhe kur një qytetar ankohet, ai e ka emrin Sahit Dollapi", tha kreu i ri i CEZ Shpërndarje, duke garantuar se ai dhe administrata e tij do të jenë tepër serioze në kërkesën e llogarisë për realizimin e detyrave.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)