SHBA - Tetë fëmijë u vranë në orët e para të mëngjesit të së dielës në Shreveport, Louisiana, në një akt tronditës dhune që shënon masakrën më vdekjeprurëse me armë në SHBA në më shumë se dy vjet.
Një baba, i identifikuar si 31-vjeçari Shamar Elkins, vrau shtatë fëmijët e tij dhe një kushëri të tyre , si dhe plagosi rëndë dy gra, përfshirë bashkëshorten e tij, gjatë një sulmi që ndodhi në të paktën dy vende.
Pas të shtënave, të cilat autoritetet i përshkruan si “me natyrë familjare”, autori u largua me një automjet të vjedhur dhe u ndoq nga policia, e cila më pas e qëlloi për vdekje.
Zyra e mjekut ligjor të Caddo Parish identifikoi viktimat si: Jayla Elkins, 3 vjeç; Shayla Elkins, 5; Kayla Pugh, 6; Layla Pugh, 7; Markaydon Pugh, 10; Sariahh Snow, 11; Khedarrion Snow, 6; dhe Braylon Snow, 5.
Gjatë ngjarjes, disa fëmijë u përpoqën të arratiseshin nga dera e pasme, tha përfaqësuesja e shtetit Tammy Phelps gjatë një konference për shtyp. Një djalë 13-vjeçar u hodh nga çatia dhe u plagos, sipas policisë.
Shumë detaje mbi rrethanat dhe motivin e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
“Kjo është një situatë tragjike, ndoshta më e rënda që kemi pasur ndonjëherë në Shreveport”, tha kryebashkiaku Tom Arceneaux.
Ndërsa policia vijon hetimet për të kuptuar çfarë çoi në këtë masakër, ja çfarë dihet deri tani.
Si ndodhi sulmi
Policia iu përgjigj fillimisht raportimeve për të shtëna në komunitetin Cedar Grove të Shreveport, pak pas orës 6 të mëngjesit. Sipas autoriteteve, Elkins fillimisht qëlloi bashkëshorten e tij në një banesë në Harrison Street. Më pas shkoi në një shtëpi tjetër në West 79th Street, ku vrau tetë fëmijët dhe qëlloi një tjetër grua, nënën e njërit prej fëmijëve të vrarë.
Bashkëshortja e tij pësoi “plagë shumë të rënda”, ndërsa gruaja tjetër ka plagë që rrezikojnë jetën.
Kryebashkiaku tha se autori besohet të ketë pasur lidhje me të dyja gratë.
Djali 13-vjeçar që u hodh nga çatia ka “disa kocka të thyera”, por pritet të shërohet. “Jemi shumë mirënjohës që arriti të shpëtojë”, tha policia.
Një fqinj tha se kamera e sigurisë kishte filmuar autorin duke u larguar drejt një dyqani gomash.
I armatosur me një pushkë, Elkins grabiti një automjet dhe u ndoq nga policia deri në një zonë tjetër, ku u qëllua për vdekje.
“Kjo është ngjarja më vdekjeprurëse në SHBA që nga janari 2024”, kur një 23-vjeçar vrau tetë persona në një periferi të Çikagos.
Deri tani këtë vit janë regjistruar të paktën 114 sulme të tilla në SHBA, sipas Gun Violence Archive.
Policia po përpiqet ende të përcaktojë një motiv të plotë, por thekson se ngjarja ka karakter familjar.
Kush ishte autori
Elkins kishte shërbyer për shtatë vjet në Gardën Kombëtare të Louisianës, nga viti 2013 deri në 2020. Ai nuk ishte dërguar kurrë në mision jashtë vendit dhe kishte dalë nga ushtria me gradën ushtar i thjeshtë.
Ai kishte të paktën dy dënime të mëparshme penale. Në vitin 2019 ishte arrestuar për përdorim të paligjshëm të armëve, ndërsa më herët ishte kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Sipas dokumenteve gjyqësore, në një incident ai kishte qëlluar pesë herë ndaj një automjeti pranë një shkolle ku po luanin fëmijë.
Elkins ishte martuar me bashkëshorten e tij, 34-vjeçaren Shaneiqua Pugh, rreth dy vite më parë. Sipas familjarëve, ai ishte nën stres për shkak të marrëdhënies me të dhe kishte folur për “mendime të errëta”. Çifti ishte në proces ndarjeje dhe kishte pasur konflikte para ngjarjes.
Reagimi i autoriteteve
Kryebashkiaku Arceneaux e përshkroi skenën si “të tmerrshme” dhe tha se ngjarja ka tronditur gjithë qytetin.
“Komuniteti ynë po vajton humbjen e paimagjinueshme të fëmijëve të pafajshëm. Nuk ka fjalë që ta shpjegojnë këtë,” tha ai, duke bërë thirrje për solidaritet.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të trajtuar problemet më të thella: dhunën në familje dhe traumën e patrajtuar.
Anëtarja e këshillit bashkiak Tabatha Taylor shpërtheu në lot dhe u bëri thirrje psikologëve të ndihmojnë komunitetin.
“Kjo familje dhe ky komunitet kanë nevojë për ju. Edhe unë kam nevojë për ju – si do ta përballojmë këtë?” tha ajo.
Tetë vrasjet e fëmijëve e kanë dyfishuar numrin e vrasjeve këtë vit në Shreveport dhe në Caddo Parish.
Prokurorja e Përgjithshme e Louisianës, Liz Murrill, tha se disa agjenci po hetojnë ngjarjen.
“Nuk i dimë ende të gjitha detajet, por jam thellësisht e trishtuar nga kjo humbje e pakuptimtë e jetëve,” deklaroi ajo.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson, e quajti ngjarjen “zemërthyerëse”.
Në një vigjilje mbrëmjen e së dielës, banorët u mblodhën për të ndezur qirinj dhe për të vendosur lule e lodra në kujtim të fëmijëve.
“Të bën të përqafosh fëmijët e tu dhe t’u thuash sa shumë i do, sepse nuk e di kurrë,” tha një pjesëmarrëse./ CNN
Komente











