Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zbuluar një nga propozimet më të ndjeshme që sipas tij, i është paraqitur Kievit nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës me Rusinë: lëshimin e territoreve ukrainase në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Deklarata vjen në një moment kur përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund konfliktit mbeten në ngërç, pavarësisht kontakteve të fundit mes përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe ukrainas. Sipas Corriere della Sera, Zelensky tha se propozimi parashikon tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi në këmbim të garancive konkrete të sigurisë, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

Ndërkohë, presidenti ukrainas ka paralajmëruar se Moska po përgatitet të intensifikojë fushatën ushtarake gjatë muajve të dimrit, duke e cilësuar strategjinë e Vladimir Putinit si të rrezikshme për sigurinë e Europës.

"Është një situatë e rrezikshme sepse, sipas mendimit tim, pikërisht gjëra të tilla çojnë në luftëra ose në përshkallëzim", deklaroi Zelensky, duke shtuar se "siguria e vërtetë në Europë përfaqësohet nga BE-ja dhe NATO. Pikë. Nuk ekziston siguri tjetër në Europë"- tha Zelensky.

Në një tjetër zhvillim, kreu i shtetit ukrainas ka bërë të ditur se vendi i tij ka nevojë për dy herë e gjysmë më shumë avionë luftarakë F-16 sesa disponon aktualisht. Ai theksoi se një pjesë e avionëve janë vazhdimisht në mirëmbajtje për shkak të vjetërsisë së tyre, ndërsa kërkoi edhe më shumë municione për të përballuar sulmet me dronë rusë.

Në planin diplomatik, një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet të enjten e ardhshme, kur presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë një takim trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin, në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, në fokus të diskutimeve do të jenë çështja e armëve bërthamore dhe Irani, ndërsa Uashingtoni ka bërë të ditur se Ukraina nuk pritet të jetë temë e bisedimeve trepalëshe.

Paralelisht, administrata amerikane po punon për një shkëmbim të madh të të burgosurve mes Kievit dhe Moskës, i cili mund të përfshijë më shumë se 1 mijë persona nga secila palë. Përfaqësuesit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar kontakte me të dyja palët, ndërsa Zelensky ka konfirmuar se po punohet për marrëveshjen.

Nga ana tjetër, Rusia ka vijuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. Një impiant i kompanisë DTEK në rajonin e Odesës u godit nga forcat ruse, duke lënë rreth 50 mijë familje pa energji elektrike. Ndërsa në valën e fundit të sulmeve, sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 10 civilë u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe fëmijë.

Në frontin diplomatik europian, është përcaktuar edhe formati E5 për përfaqësimin e Europës në negociatat e ardhshme të paqes. Ai përfshin Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilave do t'u bashkohen përfaqësues të Komisionit dhe Këshillit Europian.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar përfshirjen e një ekipi europian në procesin negociator, duke theksuar se Europa duhet të ruajë presionin ndaj Moskës. Ajo njoftoi gjithashtu se Komisioni po përgatit paketën e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Pavarësisht lëvizjeve diplomatike dhe përpjekjeve për një marrëveshje, qëndrimet e Moskës dhe Kievit mbeten larg njëra-tjetrës, ndërsa çështja e territoreve dhe garancive të sigurisë vazhdon të jetë pengesa kryesore për përfundimin e luftës.