Çfarë e bëri Napoleon Bonapartin, aq të suksesshëm?

Çfarë e bëri Napoleon Bonapartin, aq të suksesshëm?

Historia e Napoleon Bonapartit është e pabesueshme. I lindur në një familje modeste fisnikësh në ishullin e Korsikës, ai i ngjiti shpejt shkallët e karrierës për t’u bërë perandori i Francës. Në kulmin e mbretërimit të tij, Napoleoni kishte nën kontroll një pjesë të madhe të Evropës.

Por ai ka pasur një ndikim thelbësor në Francë dhe në të gjithë Evropën, si për shembull përmes Kodit Napoleonik dhe taktikave të tij ushtarake revolucionare. Napoleoni konsiderohet nga shumë studiues si një nga komandantët më të mëdhenj ushtarakë në histori,dhe në përgjithësi, një nga udhëheqësit më të mëdhenj gjithashtu.

Por suksesi i Napoleonit nuk erdhi vetëm nga gjenialiteti i tij ushtarak. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, ai kishte një sërë aftësish dhe tiparesh drejtuese mbresëlënëse,të cilat e ndihmuan të arrinte qëllimet, të mposhte armiqtë, dhe ta shndërronte Francën në një fuqi të vërtetë botërore. Ja cilat janë disa nga ato aftësi dhe tipare:

Zgjuarsia e madhe

Napoleoni ishte shumë i zgjuar. Por përveç kësaj, ai kishte edhe aftësi të tjera mbresëlënëse njohëse. Për shembull,kishte një kujtesë shumë të fortë. Edhe në mesin e betejës, ishte në gjendje të kujtonte çdo detaj dhe statistikë rreth ushtrisë së tij.

Gjatë fushatës ushtarake të vitit 1805, një nga komandantët e tij e harroi vendndodhjen e divizionit të tij. Ndaj me disa të tjerë filloi të shihte hartën për të gjetur se ku ishin. Ndërkohë Napoleoni i hodhi një sy të shpejtë hartës dhe u tha atyre vendndodhjen, ku do të ishin për 3 ditët e ardhshme,si dhe logjistikën e secilës prej njësive brenda divizionit.

Ai ishte shumë i aftë në kryerjen e shumë detyrave. Napoleoni u diktonte njëra pas tjetrës letra sekretarëve të tij, shpesh mbi një sërë temash të ndryshme, pa pasur nevojë të ndalej për ndonjë moment dhe të mendonte. Kështu vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 1807, Napoleoni dërgoi 1715 letra, apo mesatarisht 19 letra në ditë.

Ato kishin të bënin me qëllimet ushtarake, personale, financiare, diplomatike dhe administrative. Edhe gjatë fushatave ushtarake, Napoleoni ishte në gjendje t`i linte mënjanëstreset e tij dhe të diskutonte (me një përqendrim ekstrem) çështje të tjera që do të lindnin aty për aty.

Dija është pushtet

Napoleoni nuk ishte asnjëherë dembel. Pavarësisht inteligjencës së tij të jashtëzakonshme, ai kërkonte gjithmonë të përmirësonte veten, dhe të fitonte më shumë njohuri në përgatitje për veprimin e ardhshëm. Për shembull, përpara një fushate ushtarake, Napoleoni do të studionte me imtësi zonën që do të pushtonte apo vepronte.

Ai do të gjente gjithnjë kohë të mësonte rreth kulturës, gjeografisë dhe historisë së rajonit, madje edhe duke studiuar fushatat e kaluara ushtarake në të njëjtën zonë, një mënyrë për të shmangur gabimet që kishin bërë udhëheqësit e mëparshëm. Prandaj, Napoleoni ka qenë gjithmonë një lexues i thekur.

Që nga rinia e tij, ai do të studionte shumë lëndë si shkenca, filozofia dhe sigurisht historia. Atij i pëlqente veçanërisht të lexonte klasikët, të studionte dhe lexonte mbi komandantët ushtarakë të famshëm të botës antike, si Aleksandri i Madh apo Jul Çezari. Po ashtu Napoleoni ishte një intervistues i aftë. Ai do t’i intervistonte personalisht ushtarët armiq të kapur rob, dhe nuk druhej asnjëherë të bënte pyetje të thella në mendime për të kuptuar më mirë situatat.

Çelësi është të qenit i përgatitur në çdo rast

Në rast se një ushtri nuk është e ushqyer apo e pajisur mirë, atëherë si mund t’i fitojë ajo betejat? Napoleoni e kuptonte shumë mirë këtë, dhe sigurohej gjithmonë që ushtria e tij të ishte e përgatitur për çdo konflikt të ardhshëm. Në fakt, në një rast ai dërgoi 63 letra për këpucë dhe çizme për trupat e tij.

Mjeshtër i propagandës

Napoleoni ishte shumë i aftë në artin e propagandës. Ai dinte të përdorte opinionin popullor të asaj kohe për të fituar një mbështetje të gjerë për veten. Napoleoni e paraqiste veten si bërthama e Revolucionit Francez, duke deklaruar në mënyrë të famshme:“Unë jam Revolucioni!”.

Ai e përdori atë si një justifikim për pushtimet që kreu si përpara publikut francez po ashtu edhe para trupave të tij. Ashtu si përpara pushtimit të Italisë, Napoleoni mbajti një fjalim para trupave të tij, duke i paraqitur ata si “çlirimtarë” që “përhapnin” idealet e ndritura të Revolucionit Francez. Këto shprehje ndihmuan në motivimin e ushtarëve të tij duke i bashkuar ata nën një kauzë apo besim të përbashkët të krijuar nga Revolucioni.

Sharmi i tij personal

Karizma e Napoleonit ishte mbresëlënëse. Ai ishte në gjendje të ngjallte besimin dhe besnikërinë e trupave të tij, ndaj shumica e ushtrisë ishte tërësisht e përkushtuar ndaj tij. Napoleoni e arriti këtë duke treguar të njëjtën besnikëri ndaj tyre, duke i motivuar dhe duke u kujdesur për trupat e tij.

Përveç motivimit të tyre përmes fjalimeve, prania e vetë Napoleonit në fushën e betejës sillte një atmosferë fitoreje për ushtrinë franceze. Ushtarët e dinin se po luftonin për njeriun që e shndërroi vendin e tyre në një fuqi botërore. Po ashtu Napoleoni hante bashkë me ushtarët e tij, bisedonte me ta në kamp, ​​vishej me veshjet tradicionale të gardës së tij perandorake, dhe ndonjëherë përfshihej edhe vetë në beteja.

Si për shembull duke ngarkuar topa në Lodi kundër Austrisë. Për më tepër, Napoleoni dinte se si të kujdesej për njerëzit e tij. Siç u përmend më lart në lidhje me furnizimet dhe këpucët, Napoleoni gjithmonë sigurohej që ushtria e tij të ishte e pajisur siç duhej, duke u kujdesur për mirëqenien e trupave.

Madje ai mësonte përmendësh emrat e ushtarëve, duke i thirrur ata në kamp. Gjithashtu, ai ishpërblente njerëzit e tij, duke krijuar çmimin e famshëm Legjioni i Nderit në vitin 1802. Napoleoni shkonte shpesh tek një komandant, e pyeste se kush ishte ushtari më i guximshëm në divizionin e tij, i hiqte një distinktiv apo fjongo nga palltoja e tij dhe ia jepte ushtarit në fjalë. Ky akt kishte një efekt shumë domethënës në pjesën tjetër të ushtrisë. / Bota.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shkodran: 03/02/2022 21:08

    Thjesht gjeni!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

New York Times: Votoni kundër Trump, ai është një rrezik për demokracinë

New York Times: Votoni kundër Trump, ai është një rrezik për demokracinë