Nigeria quhet “gjiganti i Afrikës”, është vendi i rekordeve, është ekonomia e parë afrikane, është vendi më i populluar i kontinentit, ka 200 milionë banorë, pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë mes myslimanëve (rreth 50%, të përqendruar në veri) dhe të krishterëve (rreth 40%, të përqendruar në jug).

 Një në 6 afrikan është nigerian, pothuajse dy të tretat janë nën moshën 25 vjeç, por jetëgjatësia është modeste, vetëm 55 vjet. Nigeria është gjithashtu një kryeqytet kulturor dhe mbi të gjitha, është prodhuesi më i madh i naftës në Afrikë.

Pse thuhet se është një gjigant me këmbë balte?

Pakti i heshtur mes elitave e ka frenuar për një kohë të gjatë zhvillimin e këtij vendi, pavarësisht se është prodhuesi më i madh afrikan i naftës, Nigeria importon pothuajse të gjithë karburantin e saj arrin të sigurojë më pak se një të dhjetën e nevojave kombëtare për energji sepse mungojnë rafineritë, ndaj eksporton naftë bruto dhe importon produkt të rafinuar. Bëhet fjalë për një gjigant ekonomik të brishtë sepse nuk arrin të ngrejë industrinë dhe siguron 70% të fondeve për buxhetin e shtetit nga nafta, prandaj, kur çmimi luhatet, rritet borxhi dhe shtohet inflacioni.

Diçka po ndryshon me vënien në funksion të mega-rafinerisë Dangote dhe edhe me politikën e reformave të nisur nga presidenti Bola Tinubu, në detyrë që nga viti 2023, pas viteve katastrofike të presidencës Buhari: inflacioni ka rënë dhe PBB-ja është rritur me një mesatare prej 4% në vitin 2025 (ishte nën 3% në 2024), e shtyrë nga zgjerimi i udhëhequr nga shërbimet dhe reformat. Sfida për qeverinë mbetet ajo për të arritur t’i përkthejë treguesit e rritjes në më shumë para në xhepat e qytetarëve: varfëria prek ende 139 milionë nigerianë. Mbetet për t’u mbyllur hendeku historik mes veriut të Nigerisë (më i varfër dhe më centralist ose shtetëror) dhe jugut (pak më i pasur dhe federalist).

Pse Nigeria është një vend i pasigurt?

Janë të shumta kërcënimet që e bëjnë vendin të pasigurt: më e njohura është dhuna e ekstremistëve islamikë: në Verilindje, që nga viti 2009, veprojnë Boko Haram dhe grupet e tij të shkëputura, si Shteti Islamik i Provincës së Afrikës Perëndimore (Isëap), që kanë vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë detyruar miliona të ikin; në Veriperëndim, përgjatë kufirit me Nigerin, veprojnë milicitë e Provincës së Sahelit të Shtetit Islamik (Issp). Në shënjestër nuk janë vetëm të krishterët: dy ditë më parë, për shembull, një bombë shpërtheu në një xhami.

Në Veriperëndim veprojnë edhe banda kriminale të armatosura grabitqarë, shpesh të quajtur “banditë” që kryejnë rrëmbime masive dhe sulme kryesisht për qëllime shantazhi: godasin si komunitetet myslimane ashtu edhe ato të krishtera. Ndonjëherë këto banda veprojnë së bashku me milicitë. Këto grupe i kanë shtrirë operacionet e tyre në Nigerinë qendrore-veriore, duke shfrytëzuar praninë e dobët të shtetit.

Në brezin qendror të vendit përqendrohen shumica e përplasjeve mes barinjve fulani dhe fermerëve yoruba, një konflikt në rritje i acaruar nga ndryshimi klimatik, me barinjtë që shtyhen gjithnjë e më në jug në kërkim të rrugëve të reja të shtegtimit dhe pushtojnë pronat e fermerëve, kryesisht të krishterë. Në të gjithë vendin ka një kriminalitet në rritje të lidhur me rrëmbimet është bërë industria më fitimprurëse në Nigeri, me rreth 30 mijë “banditë” në veprim sidomos në Veriperëndim dhe në qendër të vendit, zona të mbuluara me pyje të keqmenaxhuara, pa rrugë dhe pa prani shtetërore. Bandat dalin nga pylli me motoçikleta, rrëmbejnë shpesh studentë dhe i fshehin në shkurre në pritje të shpërblimit. Qeveritë nigeriane kanë pasur vështirësi t’i frenojnë këto kërcënime: forcat e sigurisë, të keqpaguar dhe të pajisura dobët, janë nën presion në disa fronte dhe shumë komunitete mbeten pa mbrojtje.

Pse Trump është i interesuar për Nigerinë?

Trump nuk ka shkelur kurrë në tokën afrikane. Por gjërat ndryshojnë kur ai sheh mundësinë e ndonjë përfitimi, siç ishte marrëveshja për lëndët e para në Kongo. Kështu, korrikun e kaluar ai i është drejtuar qeverisë së Abuxhës për të transportuar në vend të deportuarit venezuelianë dhe të burgosur nga vende të tjera: “jo”-ja e presidentit Tinubu hapi krizën e parë mes dy liderëve.

Përplasja e dytë ndodhi në nëntor, kur Trump kërcënoi me ndërhyrje duke akuzuar qeverinë lokale për inertësi në përballimin e sulmeve ndaj të krishterëve; autoritetet e Abuxhës kujtuan se Nigeria është një vend sovran dhe përgënjeshtruan fjalët e Shtëpisë së Bardhë, nuk ka asnjë masakër në zhvillim të mijëra të krishterëve në Nigeri. Kjo është një ekzagjerim i rëndë i situatës nigeriane. Të krishterë, myslimanë, kisha dhe xhami goditen në mënyrë të rastësishme, sulmet janë të pandjeshme ndaj fesë. Ajo që vendi ynë i kërkon Amerikës është mbështetje ushtarake për të luftuar këta ekstremistë të dhunshëm në disa shtete të vendit tonë».

Pas ndërhyrjes së Trump-it në Nigeri qëndrojnë mbi të gjitha arsye të politikës së brendshme, komponenti i madh ungjillor i elektoratit të tij ushtron prej kohësh presion në këtë drejtim. Duke filluar nga Charlie Kirk, i vrarë së fundmi. E dinit se në 15 vitet e fundit në Nigeri janë vrarë 125.000 të krishterë dhe janë shkatërruar 19.000 kisha nga myslimanët?, kishte shkruar Kirk në rrjetet sociale./Corriere della Sera