Çfarë është 'SWIFT'?, dhe pasojat katastrofike nëse Rusia largohet nga ky rrjet

Çfarë është 'SWIFT'?, dhe pasojat katastrofike nëse Rusia largohet nga ky rrjet

Foto ilustruese

BE, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara do të largojnë Rusinë nga sistemi SWIFT.

Çfarë është SWIFT dhe pse është i rëndësishëm?

SWIFT është një platformë e sigurt komunikimi që përdoret nga bankat, ndërmjetësuesit e bankave dhe institucionet financiare që dërgojnë dhe pranojnë informacione, të tilla si udhëzime për transferimin e parave jashtë vendit apo për tregtimin e letrave me vlerë.

Megjithatë, përmes kësaj platforme nuk bëhet transferimi dhe ruajtja e parave.

Shembull, nëse një kompani gjermane blen gaz natyror rus, ajo duhet të paguajë për një produkt të tillë. Ajo mund të transferojë para nga një llogari bankare gjermane në llogarinë e një firme ruse në një bankë në Rusi, duke vendosur numrin e llogarisë së pranuesit të parave dhe kodin SWIFT.

Kompania gjermane më pas dërgon një mesazh nga llogaria e saj gjermane përmes sistemit SWIFT në bankën ruse, duke thënë se transferi i parave po ndodh. Më pas, kur fondet arrijnë në mënyrë elektronike, kompania ruse mund t’i tërheqë ato.

Përdorimi i kodeve të standardizuara për udhëzime të SWIFT-it u mundëson bankave që të bëjnë më shpejt pagesat.

Rreth 11,000 institucione financiare në mbi 200 shtete dhe territore përdorin SWIFT-in. Përmes kësaj platforme, gjatë këtij viti janë dërguar mbi 10 miliardë mesazhe, duke ndërmjetësuar pagesat në vlerë prej trilionë dollarësh.

Para SWIFT-it, bankat përdornin sistemin “telex” për të komunikuar informacionet financiare. Ky sistem, ishte i bazuar në qarqe të vjetra telegrafike dhe ishte sistem i ngadaltë, jo lehtë i përdorshëm dhe i pasigurt.

Prandaj, SWIFT-i u krijua më 1973.

Sot, SWIFT-i është një gjigant në industrinë e komunikimit financiar falë lehtësisë së përdorimit, shpejtësisë dhe sigurisë. Ai mund të ndihmojë bankat që të kryejnë pagesa jashtë vendit në më pak se pesë minuta dhe po ashtu ofron edhe gjurmim të transfertave.

“Është lloji më i besueshëm i sistemit të mesazheve të pagesave jashtë vendit dhe kështu që është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Brian O’Toole, ish-këshilltar i lartë në Departamentin amerikan të Thesarit.

Në pronësi të kujt është SWIFT-i?

Me seli në Belgjikë, korporata është në pronësi të bankave anëtare dhe ka një bord të drejtorëve prej 25 anëtarësh. Aktualisht, pjesë e këtij bordi është edhe një shtetas rus. Organizata mbikëqyret nga grupi i bankave qendrore, i njohur me akronimin G10 – Belgjika, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Holanda, Britania, Shtetet e Bashkuara, Zvicra dhe Suedia – dhe po ashtu edhe Banka Qendrore Evropiane.

A e ka larguar SWIFT-i ndonjë shtet nga platforma e tij?

Më 2012, SWIFT kishte larguar bankat iraniane pasi apo ishin futur në listë të sanksioneve nga Bashkimi Evropian, pas presionit nga SHBA-ja.

Megjithatë, Irani ishte gjerësisht i izoluar nga rrjeti global financiar, prandaj ndikimi i largimit nga SWIFT-i nuk ishte aq i madh, tha O’Toole, i cili aktualisht është bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut me seli në Uashington.

“Natyrisht që ua ka vështirësuar punën bankave iraniane që ishin të lidhura me sistemin ndërkombëtar financiar”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

A mundet SHBA-ja ta detyrojë SWIFT-in që ta largojë Rusinë?

SWIFT-i operon sipas ligjeve të Belgjikës dhe ligjeve evropiane dhe jo atyre amerikane, prandaj, “në të vërtetë, nuk duhet të dëgjojë Shtetet e Bashkuara”, tha O’Toole.

Megjithatë, SHBA-ja ka fuqi për të ndikuar te SWIFT-i duke kërcënuar me sanksione ndaj kësaj platforme, siç ka bërë edhe kur dëshironte që të largoheshin bankat iraniane nga kjo platformë, tha O’Toole.

Çka do të ndodhë nëse Rusia largohet nga SWIFT-i?

Rusia është ekonomi më e madhe se Irani dhe është thellësisht e integruar në komunitetit global financiar, prandaj, një largim i mundshëm nga platforma SWIFT do të kishte më shumë ndikim sesa në rastin e Iranit.

Rusia do të përballej me vështirësi të mëdha ekonomike për një periudhë kohore, veçanërisht me pagesat jashtë vendit, derisa të përshtatej me platformat e reja, tha Elina Ribakova, një ekonomiste në Institutin për Financa Ndërkombëtare, institut me seli në Uashington.

Këto pengesa do të mund të bënin që ekonomia ruse të tkurrej dhe rublës – monedha kombëtare ruse – t’i binte vlera në një periudhë të shkurtër kohore, tha ajo.

Megjithatë, pasi eksportet kryesore të Rusisë – nafta dhe gazi – janë kritike për jetesën e Evropës, të dyja palët me gjasë do të kërkonin që të gjenin një zgjidhje të shpejt, tha Ribakova për Radion Evropa e Lirë.

Por, ka gjasa që largimi i mundshëm nga SWIFT-i të mos ketë ndikim të madh sepse Rusia veçse po krijon sistemin e vetë të mesazheve financiare, shtoi ajo.

Më 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, kishte thirrje që Rusia të largohej nga SWIFT-i. Prandaj, Kremlini nisi ndërtimin e një platforme për komunikime financiare, në mënyrë që të përgatitej nëse një gjë e tillë do të ndodhte.

I njohur si Sistemi për Transferin e Mesazheve Financiare, platforma ruse ka të anëtarësuara mbi 400 banka – përfshirë dhjetëra banka nga shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik – dhe deri në fund të vitit 2020, ka realizuar një të pestën e të gjitha komunikimeve financiare brenda Rusisë.

A është e mbrojtur Rusia?

Jo plotësisht. Sistemi rus ka të metat e veta.

Përderisa SWIFT punon 24 orë, Sistemi për Transferin e Mesazheve Financiare mund të dërgojë mesazhe për pagesa vetëm gjatë orarit të punës në ditët e punës, tha Maria Shagina, një bashkëpunëtore në Qendrën për Studime të Evropës Lindore në Universitetin e Cyrihut, përmes një shkrimi të publikuar më herët gjatë këtij viti.

Sistemi rus po ashtu ka kufizime lidhur me madhësinë e mesazheve, tha ajo.

“Teknikisht”, Rusia mund ta bëjë tranzicionin nga platforma SWIFT në sistemin e saj nëse largohet nga SWIFT-i, “gjë që nuk ishte rasti më 2014”, tha Ribakova.

Megjithatë, “ky do të ishte një shok masiv për sistemin” për një periudhë kohore, tha ajo.

Rusia mund të tentojë që ta zgjerojë ndërkombëtarisht Sistemin për Transferin e Mesazheve Financiare, si një zgjidhje të mundshme për transaksionet jashtë vendit, tha O’Toole.

Kina, ekonomia e së cilës është shumë më e madhe se e Rusisë, po ashtu po zhvillon një alternativë për SWIFT-in.

Më 2015, Pekini lansoi Sistemin e Pagesave Ndërbankare për pagesat jashtë vendit, me qëllim që të ndihmojë në përdorimin në aspektin ndërkombëtar të valutës kineze, yuan.

Disa zyrtarë kinezë kanë bërë thirrje që të përdoret sistemi i tyre në vend të SWIFT-it në mënyrë që të mbrohen bankat e shtetit, pas kërcënimeve se mund të largohen nga platforma SWIFT.

Sanksionet ndaj bankave: Më shkatërruese?

Përderisa disa zyrtarë dhe analistë e quajnë SWIFT-in opsion “bërthamor”, O’Toole tha se një cilësim i tillë është ekzagjerim.

Edhe nëse e largojnë nga SWIFT-i, Rusisë do t’i lejohen që të kryente transaksione ndërkombëtare përmes platformave të tjera të komunikimit, ndonëse ato mund të jenë më pak efektive.

“Nëse hiqni SWIFT-in nga të gjitha sistemet bankare ruse, pa bërë asgjë tjetër, e gjitha çfarë do të bëni është që shtyni që ata (bankat ruse) të përdorin platformat konkurruese të SWIFT-it”, tha ai. “Ju nuk po i ndaloni transaksionet. Ju vetëm do t’ua bëni më të vështirë njerëzve që t’i kryejnë këto transaksione”, tha ai.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë duhet të fokusohet në sanksionimin e bankave ruse.

“Çfarë institucione financiare do të ndjekë administrata nëse Rusia e kalon kufirin? Mendoj se këtu pyetja më e rëndësishme ka të bëjë me politikën përkatëse”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara mund të targetojnë institucionet financiare në pronësi shtetërore, të lidhura me elitën ruse, siç janë VEB dhe Fondi rus për Investime Direkte, tha ai.

Sanksionimi i këtyre dy bankave do të kishte “më shumë ndikim” sesa largimi i të gjithë sistemit bankar të Rusisë nga SWIFT-i, tha ai.

VEB vepron si bankë për zhvillim dhe si agjent i pagesave për Qeverinë ruse. Ndërkohë, Fondi rus për Investime Direkte është fondi i pasurisë sovrane të vendit dhe ka qenë i përfshirë ngushtë në projektet e huaja: të tilla si promovimi i vaksinës së koronavirusit, Sputnik V.

Por, nëse do të viheshin në cak bankat kryesore të shitjes me pakicës siç janë Sberbank dhe VTB, kjo do të ishte më e ndërlikuar, tha ai. Sanksionimi i tyre do të rezultonte në “zhvendosje të madhe ekonomike” pasi ato zotërojnë një pjesë masive të tregut dhe qytetarët e zakonshëm do të dëmtoheshin.

A mundet ekonomia ruse ta përballojë trazirat?

Që prej vitit 2014, Rusia ka ngritur mbrojtjen e saj ndaj kërcënimit për sanksione më të mëdha nga SHBA-ja.

Përveç se ka zhvilluar një alternativë për SWIFT-in si dhe alternativa për platformat e pagesave Visa dhe Mastercard, Qeveria ruse po ashtu ka qenë mjaft e kujdesshme me shpenzimet, madje ka pasur edhe teprica buxhetore, që është një gjë e rrallë në demokracitë perëndimore.

Qeveria ruse po ashtu ka krijuar rezervat e saj të monedhës dhe rezervave të arit, që tejkalojnë vlerën prej 620 miliardë dollarë.

Kjo shumë përfshin afërsisht 200 miliardë dollarë të Fondit Kombëtar të Pasurisë, që mund të përdoren në raste emergjente.

Duke përjashtuar sanksionet, rezervat ruse mund të rriten edhe për 20 miliardë dollarë gjatë vitit të ardhshëm, tha Ribakova.

Qeveria ruse “gjithmonë e ka këtë lloj ‘Shpate të Damokleut’ të varur mbi të për më shumë sanksione. Dhe unë mendoj se ky lloj përshkruan të gjitha aspektet e politikës së tyre makroekonomike”, tha ajo.

“Është pjesë e strategjisë së Rusisë dhe ata qëndrojnë pas kësaj strategjie sepse ka funksionuar mirë për ta”, tha Ribakova.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën

Presidentja Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi prioritet strategjik për Kosovën