Çfarë haberi erdhi që 'destabilizoi' Metën e Berishën dhe i nxori nga 'binarët'?!

Çfarë haberi erdhi që 'destabilizoi' Metën e Berishën dhe i nxori nga 'binarët'?!

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Pothuajse në çdo orë të ditës apo të mbrëmjes Ilir Meta dhe Sali Berisha janë prezentë në media, rrjete sociale apo dhe në ekrane, si figura qëndrore e paneleve televizive në emisionet e shumta që tashmë gëlojnë në këtë vend.

Shpeshtimi i daljeve të Berishës dhe të Metës në publik, po lëviz sipas aplitudës së “habereve” që marrin nga kryeqendrat e kancelarive të botës, Uashingtoni dhe Brukseli, që vijnë herë në formë thashethemesh, e herë dhe me deklarata zyrtare.

Madje dhe atëherë kur këto kancelari bëjnë “pushim” dhe nuk merren me Sali Berishën e shpallur “non grata” nga SHBA dhe Ilir Metën e abandonuar dhe kandidat për këtë “çmim të madh”, janë vetë drejtuesit e paneleve televizive që i përhapin këto lajme, si një thashathemnajë që lëviz pastaj “sindikatë” në të gjitha mediat e portalet shqiptare, për t’u kthyer në “burim” dhe për t’i besuar si të vërteta dhe ai që i shpiku. Kaq duhet. Dhe Ilir Meta e Sali Berisha dalin nga “koordinatat” apo “binarët” e një njeriu dhe politikani normal.

E filloi Presidenti i vendit duke recituar poezi, apo duke evokuar kohën e para “popullit të 2 marsit” kur përplasej me Fatos Nanon e merrte ministrat në telefon me pizhama dhe i bënte telef për punët e pakryera, porositë e pasjella për të apo dhe probleme të tjera, që e hallakasnin asaj kohe, pasi ishte në një moshë tepër të re, pavarësisht se ishte në krye të qeverisë shqiptare.

Me një fjalë Meta kujton me nostalgji kohën kur ishte kryeministër aty rrotull të 30-tave, dhe në acarim e sipër kërcënon tani se do japë përgjigjen e merituar për të gjithë kundërshtarët e sotëm, që janë tashmë dyshja Rama-Basha, duke u zotuar se bashkë me “popullin e 2 marsit” do t’ju tregojë vendin.

Teksa shfletojmë kronikën e asaj dite ka “mistere”, nuk është larg, pasi nuk janë mbushur ende 2 vite nga ajo ditë kur Ilir Meta mblodhi në bulevardin “dëshmorët e Kombit” njerëz nga PD, LSI dhe miqtë të tij të tavolinës, alpinizmit apo plazhit dhe sulmoi kryeministrin Edi Rama, ambasadoren e SHBA Yuri Kim, vetë Amerikën, të shoqëruar me tundjen dhe puthjen e flamurit shqiptar dhe amerikan. Aq sa detyroi dhe ambasadoren Kim që të thotë: Stop përdorimit të flamurit të SHBA.

Askush nuk e di ende se çfarë përfaqëson “populli i 2 marsit”, njëherësh askush ende nuk ka hyrë në kokën e Ilir Metës, për të zberthyer “kodin biologjik” të tij, e për të marrë vesh se çfarë kërkon të thotë me kërcënimin e tij përmes “popullit të 2 marsit”.

E vërteta është se pas këtij tubimi, Edi Rama fitoi sërish zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 duke hyrë në histori si i vetmi kryeministër që fiton tre mandate rresht bashkë me partinë e tij PS, ndërsa po përgatitet rëndshëm për të fituar zgjedhjet në 6 bashki më 6 mars dhe zgjedhjet e përgjithshme vendore pas një viti.

Ndërsa Ilir Meta vijon të këndojë këngën “Ina, Ina”, të postojë foto me mallkuesin më të madh korçar Ilir Vrenozi, të recitojë poezitë e Naim Frashërit, apo të poetëve të huaj për Skënderbeun, të puthë mace e qen, dhe të presë me krenari të “ligjshme” 1 shkurtin, kur me shpresë të Zotit do të jenë shëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga Omicroni për të marrë vendimin e shkarkimit ose jo të tij.

Dhe meqë jemi tek Kushtetuesja, Meta i kërcet dhe një presion trupës gjykuese të saj pasi kërkoi procedim disiplinor ndaj gjykatëses Fiona Papajorgji, me argumentin se paska gjykuar jo drejt ankimimin për zgjedhjet e 30 qershorit të para tre viteve tashmë.

Dhe teksa ndjek të gjitha “luhatjet” e humorit të Ilir Metës, të gërshetuara me akuzat konkrete herë ndaj ambasadës së SHBA, herë ndaj Rama-Bashës e herë ndaj Papajorgjit të Kushtetueses, gjendet dhe “filli” që të çon tek shkaku i destabilizimit emocional të Ilir Metës, i shprehur në të gjitha daljet publike, në emisione apo dhe në rrjetet sociale.

Me sa duket ka dëgjuar ndonjë “haber” Meta se do të shkarkohet nga posti i lartë i Presidentit, shkarkim që mund të pasohet dhe me ndonjë vënie para drejtësisë për shkak të akuzave të shumta në drejtim të tij, për kohën që ka qënë në qeverisje, 90 përqind prej të cilave janë artikuluar nga miku i tij dhe “pika e dobët” e tij, Sali Berisha.

Me sa duket diçka ka dëgjuar se po përgatitet diçka kundër tij, apo dhe i kanë futur “xixat” të “paudhët” e mediave dhe politikës që lajme duan, dhe me një Metë të dalë nga “koordinatat” normale, lajmi dhe gallata janë të garantuara.

Pasi “destabiliteti” shoqërohet dhe me ndonjë pije të fortë se qejfi i ka të gjitha, qoftë dhe në fund të herës nën ritmin e këngës “Ina, Ina”, që ka tash sa vite që e këndon Meta për Ramën, por me fitoret e njëpasnjëshme të kryeministrit aktual, me sa duket i është kthyer në bumerang vetë Presidentit.

Ndërsa Sali Berisha e ka me Lulzim Bashën më shumë se sa me të tjerët, duke përfshirë dhe Edi  Ramën, të cilin e përdor si “emërtesë” për të treguar se ka marrë peng “Lul Bravën”.

Berisha duket më i “koaliduar” teksa godet vetëm në një objektiv, për të marrë postin e kryetarit të PD, të cilin sipas tij e ka vjedhur padrejtësisht “nxënësi” dhe “biri” i tij politik Lulzim Basha.

Një natë më parë ish kryeministri demokrat e lider historik i PD shënoi dhe kulmin e aktivizimit të tij mediatik, njerëzor e politik, i shtyrë ndoshta nga ndonjë “haber” i fundit i ardhur nga qendrat e kancelarive botërore Uashingtoni dhe Brukseli, që ashtu si Ilir Metën e kanë nxjerrë nga “binarët” e një njeriu dhe politikani normal.

Është me të vërtetë e dhimbshme teksa sheh një plak 77 vjeçar, që i bie kryq e tërthor Shqipërisë duke deklaruar të pabesueshmen se është e ardhmja e vendit, duke grishur popullin demokrat që ta mbështesë për të marrë drejtimin e PD, që sulmon Amerikën, por dhe kujton takimet me përfaqësues të lartë të qeverisë së saj, që sipas tij i kishin kërkuar dëbimin e Bashës këtu e vite më parë, i kishin propozuar dhe një emër të ri për kryetar PD-je, por që “fatalisht” mbajti Bashën. Dhe vetëm një sekondë më vonë sulmon Rusinë, merr në mbrojtje Ukrainën dhe akuzon qeverinë shqiptare se përse nuk dërgon armë e municion në Kiev për popullin vëlla ukrainas.

Ndoshta i kujtohen fishekët e skaduar të “Gërdecit” e të Forcave të Armatosura Shqiptare të kohës kur ishte kryeministër dhe lëvizeshin nga djali i tij Shkëlzen, që dërgoheshin me shumicë tek populli vëlla afgan, megjithëse ishin fishekë kinezë të vjetër dhe të dalë jashtë përdorimit, duke kontribuar ndjeshëm në humbjen e forcave qeveritare në atë kohë përballë talebanëve të armatosur mirë e bukur dhe me fishekë sagllam.

Ndërkohë që një natë më parë Berisha shënoi hopin e madh, ku u ngrit në emsionin televiziv dhe tregoi me këmbë e duar se si duhej bërë politika, sondazhi, ekonomia, revolucioni paqësor për largimin e Lulit dhe ardhjen e tij sërish kryeministër për t’u hakmarrë ndaj Ramës dhe Sorosit që e shpallen sipas tij “non grata” në SHBA.

Një mishmash idesh, kërcënimesh, copëza kujtimesh si për të treguar se deri ku të katandis halli, sa ngre dhe një pensionist, gati për t’u bërë stërgjysh, për të vepruar si një “plak sarhosh” në ekranet televizive, në mëngjes, drekë, darkë dhe gjatë gjithë ditëve të javës.

E theksojmë dhe njëherë, nëse dëshiron të matësh nivelin e forcës së “haberit” që vjen nga Uashingtoni dhe Brukseli, mjafton të shikoni sjelljen e Metës dhe të Berishës dhe e keni të garantuar përgjigjen. Nëse do dalin nga “binarët” normalë njerëzorë dhe politikë, lajmi për ta është kërcënues, i rëndë dhe paralajmëron pasoja të rënda për të dy. Por dhe paralajmëron ecuri pozitive për Shqipërinë!

Përdorini o shqiptarë si “barometër njerëzor” Ilir Metën e Sali Berishën për të parë mbështetjen e aleatëve për mbarëvajtjen e vendit, dhe për t’u bindur se vetëm “sistemimi” i tyre aty ku e kanë vendin, do të sillte prosperitet për Shqipërinë, përmes disa liderëve të tjerë të rinj. Kuptohet dhe pa Bashën, që është “nënprodukt” politik alla-Berisha e bashkëfajtor me të për 16 vite me radhë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sing: 30/01/2022 02:51

    Like kokemadhi e injoranti dhe salqeni te dale kan qene gjithmone nga binaret. Kan 30 vjet qe vjedhin e shkaterrojne Shqiperine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD-së/ Tek  Zogu i Zi policia krijon një rrugë për të lehtësuar trafikun e makinave që vijnë nga ish-sheshi Shqiponja

Protesta e PD-së/ Tek Zogu i Zi policia krijon një rrugë për të lehtësuar trafikun e makinave që vijnë nga ish-sheshi Shqiponja