Çfarë i bashkon grupet ultranacionaliste serbe dhe rumune?

Çfarë i bashkon grupet ultranacionaliste serbe dhe rumune?

Tifozët rumunë me pankartë me mbishkrimin "Kosova është Serbi"

Nga "mbështetja" në stadium dhe brohoritja "Kosova është Serbi" e deri te tubimet e përbashkëta ku lartësojnë liderët fashistë të së kaluarës.

Postimet në rrjetet sociale tregojnë për këtë bashkëpunim shumëvjeçar të grupeve ultranacionaliste nga Serbia dhe Rumania.

Radio Evropa e Lirë (REL) ka identifikuar disa organizata rumune dhe serbe që bashkëpunojnë në mbrojtjen e vlerave "kombëtare" dhe "ortodokse".

Në të njëjtën kohë, ata marrin pjesë në ngjarje të lidhura me neofashizmin dhe dërgojnë mesazhe urrejtjeje ndaj popullatës LGBT.

Disa prej tyre në Serbi morën pjesë në aksione kundër popullatës rome dhe OJQ-ve për të drejtat e njeriut.

Thirrje pro-serbe nga ultranacionalistët rumunë

“UEFA është mafia”, “Kosova është Serbi” shkruan ndër të tjera në një postim të publikuar në shtator në faqen në Instagram të grupit ultranacionalist rumun, Kamarazi (Camarazii).

Postimi u shoqërua me një foto të dy burrave të maskuar që mbanin në dorë një kanavacë me mbishkrimin në anglisht "UEFA mafia. Nuk ka respekt".

Shkak për këtë njoftim është bërë ndeshja ndërmjet përfaqësueses së Rumanisë dhe përfaqësueses së Kosovës, e zhvilluar më 12 shtator në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë.

Tifozët e kombëtares rumune të futbollit, mes të cilëve edhe anëtarë të organizatës Kamarazi, gjatë ndeshjes kanë shpalosur një pankartë ku shkruan “Kosova është Serbi” dhe për këtë arsye loja u ndërpre.

Më 20 shtator, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) gjobiti Federatën Rumune të Futbollit për këtë thirrje pro-serbe, duke urdhëruar që Rumania të luajë ndeshjen e radhës kualifikuese për Kampionatin Evropian në një stadium bosh.

Siç shihet edhe në postimet e tjera të grupit Kamarazi në Instagram, kjo nuk është hera e parë që ky grup rumun dërgon mesazhe mbështetjeje për nacionalistët serbë.

Anëtarët e saj, siç shihet në një postim në Instagram në qershor, kanë vizituar Beogradin.

Në foton nga Instagram-i shihet se anëtarët e këtij grupi mbajnë një pankartë para tempullit të Shën Savës në Beograd, ku shkruhet në anglisht “Vendet e trilluara, është futboll i rremë për ne, ata nuk kanë rëndësi për ne”.

Njoftimi i referohet ndeshjes që kombëtarja e Rumanisë ka luajtur me përfaqësuesen e Kosovës në Prishtinë në qershor, ku ka pasur edhe incidente. Tifozët rumunë më pas u larguan nga stadiumi pasi brohoritën "Kosova është Serbi".

Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli në vitin 2008. Serbia dhe Kosova po zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 100 vende dhe shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian. Rumania është ndër pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në njoftim thuhet se Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por se “UEFA e ka detyruar kombëtaren rumune të luajë ndeshjen në Prishtinë”.

Kush është Kamarazi?

Ky grup ultranacionalist rumun ka qenë aktiv në Instagram që nga nëntori 2019.
Ata e prezantojnë veten në Facebook si "Blloku nacionalist", i cili supozohet se është një grup i të gjitha fraksioneve ekstremiste në Rumani.

Kamarazi publikon postime kundër feminizmit dhe komunitetit LGBT në rrjetet sociale. Në një nga postimet thuhet se "feminizmi ekziston për të demonizuar burrat, për t'i bërë gratë të shëmtuara dhe për të shkatërruar familjen".

Në pankartat që shfaqin në ndeshjet e futbollit, ata e identifikojnë veten si ndjekës të së ashtuquajturës Lëvizja Legjionare në Rumani.

Një nga pankartat që ata vendosën dy muaj më parë shkruante "Asnjë hap prapa/Si në verën e 27-të", që aludon për Gardën e Hekurt nacional-fashiste rumune - Legjioni i Archangel Michael.

Më 24 qershor 1927, Kornelija Zelea Codreana themeloi Legjionin e Archangel Michael si një organizatë paraushtarake, terroriste, nacional-fashiste që financohej dhe drejtohej me mbështetjen e njësisë naziste SS.

Organizata Kamarazi nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it deri në publikimin e këtij teksti.

Bashkëpunimi ndërmjet Kamarazit dhe Aksionit serb

Organizata ultra e djathtë në Serbi Aksioni serb njoftoi në shtator në faqen e saj për ndeshjen ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht se u janë “mirënjohës vëllezërve dhe shokëve rumunë për këtë qëndrim”.

Bashkëpunimi ndërmjet anëtarëve të Kamarazit dhe Aksionit serb, gjykuar nga publikimet, vazhdon prej vitesh.

Një anëtar i Kamarazit, i cili u prezantua si Georgije, përgjegjës për "marrëdhëniet e jashtme" në atë organizatë, dha një intervistë për podcastin e Aksionit serb në YouTube më 2020.

Në atë intervistë ai thekson se “kamarazët” janë përfaqësues të “nacionalizmit modern” që do të ishte tërheqës për “adoleshentët, njerëzit në universitete, në shkolla, në stadiume”.

“Elementi që lidh nacionalistët rumunë dhe serbë është sigurisht nacionalizmi ortodoks. Në Rumani, sipas mendimit tonë, nuk mund të jesh nacionalist i vërtetë nëse nuk je afër kishës, nëse nuk shkon në kishë, nëse nuk e respektoni atë që përfaqëson kisha”, tha ai.

Dy vjet më parë, në vitin 2018, përfaqësues të Aksionit serb, sipas faqes së tyre të internetit, ishin në Rumani për të nderuar Cornelius Zelea Codrean, udhëheqësin e Gardës nacional-fashiste të Hekurt - Legjioni i Archangel Michael.

Në një postim në faqen Aksionit serb, asokohe thuhej se “miqësia e vërtetë” e asaj organizate ishte manifestuar me lëvizjen Kamarazi.

“Një miqësi e tillë u vulos plotësisht këtë vit, në një datë kaq të rëndësishme, me pjesëmarrjen e delegacionit të Aksionit Serb në ceremoninë përkujtimore dhe konferencën me rastin e këtij përvjetori", thuhet në faqen e internetit.

Çfarë është “Aksioni serb”?

Në faqen e kësaj organizate thuhet se ata qëndrojnë për “mbijetesën e popullit serb dhe rikthimin e besimit ortodoks te serbët e sotëm”.

Në postimet në faqen e internetit, ata kundërshtojnë Paradën e Krenarisë në Beograd, duke përdorur terma nënçmues për popullatën LGBT.

Ata mbështesin edhe pushtimin rus të Ukrainës në postimet e tyre, por janë kritikë ndaj pretendimit se qëllimi i Rusisë është “denazifikimi” i Ukrainës, që zyrtarisht u deklarua si qëllimi i luftës nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Në fund të majit 2022, përfaqësues të këtij grupi vizituan organizatën militante ultra të djathtë “Legjioni Imperial” në Shën Petersburg, të cilën Departamenti i Shtetit e cilësoi si kërcënim global terrorist në vitin 2020, siç raporton REL-i.

Anëtarët e këtij grupi të paregjistruar morën pjesë edhe në protesta të shumta të ekstremit të djathtë dhe organizuan tubime përkujtimore në rrugë për bashkëpunëtorët e pushtuesve nga Lufta e Dytë Botërore.

Në fund të vitit 2015, ata sulmuan forumin në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Novi Sad, ku folën në mënyrë kritike për qeverinë kuislinge të Milan Nediqit, kryeministrit të Serbisë gjatë pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore.

Në fund të vitit 2014, ky grup la fletëpalosje me gjuhë urrejtjeje kundër popullatës rome në disa lagje të Beogradit pranë vendbanimeve rome ose ndërtesave ku familjet rome janë vendosur në kuadër të programit social.

Aksioni serb nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për bashkëpunimin me grupin Kamarazi deri në fund të punës për këtë tekst.

Me cilat organizata të tjera bashkëpunon Kamarazi?

Një burrë i quajtur Bogdan Aleku, i paraqitur si historian dhe anëtar i Kamarazit, ka mbajtur një ligjëratë në gusht në klubin e Beogradit 451, i cili udhëhiqet nga grupi i ekstremit të djathtë serb, Zentropa Srbija, është bërë e ditur në Instagram, faqja e Klubit 451.

Ligjërata u mbajt me temën "marrëdhëniet midis popullit serb dhe rumun gjatë historisë".

REL-i nuk ishte arriti të kontaktonte me Bogdan Alekon.

Zentropa Serbia në rrjetin social Instagram prezantohet si “komunitet i nacionalistëve revolucionarë serbë”.

Meqë ra fjala, Zentropa është një rrjet transnacional i organizatave ultra të djathtë.

Rreth 50 anëtarë të këtij grupi në Serbi u mblodhën në shkurt në qendër të Beogradit për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Milan Nediqit.

Disa organizata joqeveritare në Serbi më pas kërkuan që policia të ndalojë grumbullimin e neonazistëve dhe autoritetet në Serbi të dënojnë qartë tubimet "që lavdërojnë nazizmin dhe antisemitizmin".

Në korrik, anëtarët e kësaj organizate, sipas një postimi në Instagram, kanë bërë foto pranë monumentit të Dimitrij Lotiqit, me mesazhin “Nuk je i vdekur”.

Dimitrije Lotiq ishte një ideolog fashist që u vu në dispozicion të pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit nazist të Jugosllavisë. Anëtarët e formacioneve të Lotiqit, të quajtur Zbor, morën pjesë në pushkatimin masiv nazist të civilëve në Kralevë dhe Kragujevc.

Organizata me emrin "Zentropa" nuk është e regjistruar në Serbi, por shoqata Klubi 451 është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrave Ekonomik (APR) që nga viti 2021, dhe fusha e punës së tyre është "ruajtja e pasurisë së kulturës serbe dhe evropiane”.

Klubi 451 është i lidhur edhe me neo-nazistët.

Në tetor të vitit 2022, Radio Evropa e Lirë shkroi se në këtë klub u takuan ultra të djathtët italianë dhe serbë, dhe në këtë forum mund të shihni simbolin e kryqit kelt dhe sloganin "Krenaria e bardhë", shenjë dalluese e grupeve neo-naziste. Një bluzë me këto simbole është veshur nga një prej të pranishmëve në tribunë.

Përfaqësues i Klubit 451 në APR është Marko Gajinoviq.

Marko Gajinoviq ishte në mesin e grupit të ultra të djathtëve nga Serbia që vizituan festivalin vjetor të organizatës neofashiste italiane, CasaPound, në shtator.

Në vitin 2017, ai ishte pjesë e një grupi ekstremistësh të djathtë, të cilët ngjitën afishe me mesazhin "Mercenarët e Sorosit" në ambientet e Nismës joqeveritare të të rinjve për të drejtat e njeriut, duke aluduar për George Soros, themeluesin e Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera, merret me ballafaqimin me të kaluarën dhe paralajmëron kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës në Serbi.

Gajinoviq mori pjesë edhe në tubimet përkujtimore për nder të kuislingerit Milan Nediq.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në lidhje me bashkëpunimin me grupin Kamarazi te të dyja organizatat – Zentropa Serbia dhe Klub 451.

Në vend të një përgjigjeje specifike, Zentropa kritikoi punën e REL-it.

Ndërsa nga Klubi 451 nuk erdhi asnjë përgjigje.

"Grupi Ndërkombëtar Antidemokratik"

Historiani rumun, Kosmin Popa, tha për shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë se të gjitha këto grupe ekstreme kanë një të përbashkët se janë antidemokratike dhe fillimisht veprojnë në mënyrë margjinale.

“E vetmja gjë që arrijnë të gjitha këto lëvizje është të shkatërrojnë themelet demokratike, sepse, nëse një gjë është mjaft e qartë, është se ato janë antidemokratike, antiparlamentare, antisociale, antifeministe, anti-LGBT”, tha ai.

Sipas fjalëve të tij, këto "lëvizje politike ekstremiste" fillojnë si grupe margjinale që "politikisht dhe organizativisht" përfitojnë nga situatat e krizës në një ose një vend tjetër.

"Ato gradualisht forcohen derisa të vijnë në pushtet. Ekziston një rrezik i caktuar (për këtë), veçanërisht pasi mund të flasim për ndërkombëtarizimin e vërtetë të këtyre grupeve", thotë Popa.

Ai, gjithashtu, thekson se regjimet autoritare të vendeve të caktuara i përdorin këto grupe për të sfiduar sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike./REL

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille