Çfarë i shkruan Pater Anton
Arapit bajraktarët e Dukagjinit

TIRANE - Në prag të fillimit të kryengritjes, policisë zogiste i kanë rënë në dorë tri letra: një që i drejtohej Sadri Lukës së Thethit dhe meshkujve të tij nga disa të arratisur politikë në Podgoricë, në të cilën i tregohej dita se kur do të futeshin në Theth; letra e dytë, natyrisht më e rëndësishmja, mban datën 17.03.1926 dhe i drejtohej Pater Anton Harapit. Emri i dërguesit kishte pseudonimin “Toma” dhe në të pasqyrohej mënyra e koordinimit të veprimeve në Malësinë e Madhe, Dukagjin e Shkodër për rrëzimin e qeverisë.

“Po të bajmë me dije edhe ty se xhevapin e shpërndamë në malet që janë krye të Shkodrës, tuj u dhanë xhevapin për nji punë që dinë vetë. Epja xhevapin Shkodrës… Për me ja fillue të tanë përnjiheri… Në 5 sahati do kemi hy në Rrëzë të Veleçikut, kena me ra në Shkrel e kena me hy në Shalë, atëherë kena me dhanë xhevapin me ia nisë pushkën përnjëherë… (AQSH Fondi 346. Viti 1926. Dosja 6/1. fl.146); letra e tretë i drejtohej Mark Lukës në Malësi të Madhe.

Emëruesi i përbashkët i këtyre letrave është njoftimi nga ana e organizatorëve për fillimin e Kryengritjes dhe sigurimin e mbështetjes nga këto treva. Kjo letër mjaft komprometuese u dha shkas autoriteteve policore që Pader Anton Arapi të merrej në hetim, por nuk do të nxirrte asgjë në dritë për policinë, e cila në telegramin e datës 01.04.1926 njoftonte Ministrinë e Brendshme në Tiranë se; “Prej Pader Antonit nuk kemi kurrgja, ai gjindet nan vërejtje”.

Për shpërthimin e kryengritjes, jo vetëm kishte dijeni kupola më e lartë e klerit katolik të Shkodrës, por ishin direkt të interesuar dhe nxitës të saj (pasi Zogu në reformat që po ndërmerrte ishte për një shtet laicist të ndarë dhe të pavarur nga besimet fetare).

Dom Lora Caka ka të gjitha gjasat të ketë marrë bekimin e kësaj kupole, fijet e së cilës nuk dihet se ku të shpien më parë tek jugosllavet apo italianët, kurse Gjeloshi, Kiri, Miraka, Kosova me kompani ishin thjesht instrumente për arritjen e qëllimit nga padronët e vet, por gjithsesi naiviteti dhe aventura e tyre mbetet e pafalshme dhe historikisht e dënueshme.

Rol parësor në ngritjen në këmbë të fuqisë kryengritëse(60 % të paarmatosur e kanë luajtur bajraktarët e Dukagjinit veçanërisht Lush Prela dhe Lulash Gjeloshi, të pakënaqur nga politikat centralizuese të Zogut në dëm të pushtetit të bajraktarëve në tërësi. Kleri katolik dhe bajraktarët me pushtetin e tyre absolut mbi masat malësore janë nxitësit e drejtpërdrejtë të kryengritjes antizogiste të vitit 1926.

“Bijtë e Skënderbeut dhe Lekës ngrihuni!Pse lëkundeni në ndërmarrjen tuaj të lavdishme. Ngrihuni se Koço Tasi vetëm me 500 koçakë ka marrë Toskërinë, Prifti, Dodë Nikolla nga Malësia e Madhe po marshon drejt Shkodrës, Kolë Bina e Spiro Kosova kanë fluturuar e po marrin Pukën. Dom Frikacakëve u fle lepuri në bark. A ishit të parët ju që çliruat Shkodrën.

Ku është trimëria dhe shpirti luftarak i etërve tuaj. Një gjë të tillë e do edhe Zoti. Krishti është me ne. Asnjë nuk i del vrullit tuaj. Hajt pra përpara”. Këto kanë qenë  disa nga ligjëratat luftënxitëse të Dom Loro Cakës, i cili siç thotë kundërshtari i tij Patër Kamiljo Libardi, “u bë një  Antikrisht dhe duke përfituar nga virgjëria e besimit të malësorëve shkonte duke shqiptuar mbi ta betim pas betimi: ”Ka rënë ora e kryengritjes!”

ORGANIZIMI I KRYENGRITJES MË 4 GUSHT 1926
 
Më 4 gusht 1926, Komandanti i Zonës së Veriut, Fiqiri Dine, njoftonte Ministrinë e Brendshme se ish kapiten Raka me 40 vetë të armatosur kishte shkuar nga Podgorica në Kuç, në vendin e quajtur Bokoviç dhe se dyshohej se Jugosllavia po përgatiste akte diversioni kundër Shqipërisë. Po atë ditë njoftonte eprorët se Ndokë Gjeloshi, Lekë Marashi, Dodë Nikolla e Pjeter Haxhia, kishin kaluar kufirin e kishin hyrë në  Dukagjin ku gjendej edhe Lukë Leka (AQSH, F.142/9,V.1926. D,5, fleta 8-8/v.)

Më 11 nëntor Dom Loroja kalon kufirin, me  15 nëntor me disa shoqërues arriti në Dukagjin, ku u takua me Vas Kirin e Ndokë Gjeloshin. Natën e parë kanë fjetur tek Nikë Marashi prej Gimajve që ishte mik i ngushtë i togerit, i cili ka të fshehur 5 armë në shtëpinë e tij dhe një arkë municioni. Ndërsa natën e 17-18 nëntorit ata e kaluan duke bërë takim  me popull në Shalë e Shosh”.

Eksponentët kryesorë, të cilët takoi Gjeloshi dhe më pas ngritën Dukagjinin në këmbë ishin Mark Sadiku, Lush Prela, Babun Celi, Mark Milani, Lulash Gjeloshi, Ndokë Mirashi, Kolë Marku. Dihet se kryengritja shpërtheu me 19 nëntor, ku forcat  rebele të Shalës dhe Shoshit rrethuan qendrën e nënprefekturës së Dukagjinit në Kodër Shëngjergji. “Kryengritësit kanë marrë në komandë çka kanë gjetur, pushkë, fishekë e alltia”.

Por si fillim i kësaj lëvizje është marrë 20 nëntori, kur  autoritetet zyrtare të qeverisë Zogiste u dëbuan nga Dukagjini, megjithëse qeveria ndiqte dhe gjurmonte vazhdimisht lëvizjet dhe veprimtarinë e të arratisurve politikë si brenda ashtu dhe jashtë kufirit shqiptar. Shpërthimi i kryengritjes ishte i papritur  dhe i zuri në befasi autoritetet qeveritare.

Fiqiri Dine është shprehur se rrjeti i gjerë i informatorëve zogistë nuk arriti të zbulonte asgjë deri ditën e shpërthimit të kryengritjes”. Qysh atë mbrëmje historike të 19 nëntorit, arritën të ngrihen në këmbë përnjëherë 200-300 veta të armatosur, të cilët rrethuan nënprefekturën dhe rrethkomandën e xhandarmërisë së Kodër Shëngjergjit.

Albert Mousset duke iu  referuar kësaj ngjarjeje thotë: “Kryengritësit e kishin njoftuar Prefektin e Shkodrës me anën e një letre se ata kishin hyrë në luftë jo kundër formës së regjimit por për të drejtat e tyre krahinore të shqiptarëve të veriut. Tri kanë qenë zonat  kryesore të kryengritjes: Dukagjini, Puka, Malësia e Madhe. Kryengritësit do të lëviznin në tri kolona: A-Dukagjin-Ura e Mesit-Shkodër; B-Pukë -Vau i Dejës-Shkodër; C-Postë e Hotit-Koplik-Shkodër.

Vijon në numrin e ardhshëm

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen