Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i ka propozuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta shoqërojë personalisht në Moskë për të zhvilluar negociata me presidentin rus, Vladimir Putin, duke i garantuar sigurinë gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në kryeqytetin rus.
Por propozimi është hedhur poshtë nga Zelensky, i cili iu përgjigj me ironi, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e kësaj oferte. Sipas presidentit ukrainas, për sa kohë lufta vazhdon, një takim mes tij dhe Putinit nuk mund të zhvillohet as në Moskë dhe as në Kiev.
“Propozon të më marrë me vete. Çfarë jam unë për të, një valixhe? Të më fusë në një avion dhe të fluturojmë? Kjo nuk është një bisedë serioze”, deklaroi ai.
Madje, presidenti ukrainas i propozoi me ironi Lukashenkos që të shoqëronte presidentin rus në Kiev, duke garantuar se edhe pala ukrainase mund të siguronte mbrojtjen e tyre.
“Ai mund ta marrë Putinin dhe të fluturojnë së bashku drejt Kievit. Edhe ne do t’ua garantojmë sigurinë këtu”, u shpreh ai.
“Jemi në luftë. Nuk mund të takohemi në Moskë apo në Kiev. Të gjithë e kuptojmë shumë mirë këtë. Kur dikush thotë diçka të tillë, thjesht nuk bëhet fjalë për një bisedë serioze. Ky person nuk na afron drejt përfundimit të luftës”, shtoi Zelensky.
Lajmi kryesor:
Garancitë e sigurisë për Ukrainën, SHBA përjashton trupat dhe bazat ushtarake, Zelensky: Nuk kemi ende përgjigje të qartë se si do të mbrohemi nga Rusia




