Disa orë pas fillimit të sulmit të tmerrshëm të Hamasit, Shtetet e Bashkuara filluan të dërgojnë anije luftarake dhe avionë në rajon për t'i ofruar Izraelit gjithçka që i nevojitej për t'u përgjigjur.
Një grup i dytë avionësh luftarakë amerikanë niset të premten nga baza Norfolk në shtetin e Virxhinias. Një numër i madh avionësh janë nisur drejt bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Po kështu forca të operacioneve speciale po ndihmojnë aktualisht ushtrinë izraelite me planifikimin e operacioneve, si dhe me informacione zbulimi. Ngarkesa e parë me municioneve shtesë tashmë ka mbërritur e një sasi tjetër pritet të mbërrijë së shpejti.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin mbërrin në Izrael të premten për t'u takuar me udhëheqësit izraelitë si dhe për të diskutuar se çfarë tjetër mund të ofrojë Uashingtoni.
Për momentin, rritja e pranisë ushtarake reflekton shqetësimin e Shteteve të Bashkuara se luftimet e përgjakshme mes Hamasit dhe Izraelit, mund të përshkallëzohen në një konflikt rajonal, më të rrezikshëm. Pra misioni parësor për anijet dhe avionë luftarakë është të krijojnë një prani force që do të pengonte Hezbollahun, Iranin apo grupe të tjera, të përfitojnë nga situata. Por trupat amerikane janë të afta për më shumë se kaq.
Çfarë armësh dhe kapacitetesh ofron ushtria amerikane?
Armë dhe forca për operacione speciale
Shtetet e Bashkuara i kanë siguruar Izraelit një komandë të vogël për operacione speciale dhe municione shumë të nevojshme. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi se kjo trupë speciale po ndihmonte Izraelin për të siguruar informacione zbulimi dhe planifikim të operacioneve. Po kështu ata po ofrojnë këshilla për Forcat izraelite të Mbrojtjes lidhur me përpjekjet për rikuperimin e pengjeve. Megjithatë, këto forca nuk janë ngarkuar të kryejnë operacione për shpëtimin e pengjeve, gjë që do t'i përfshinte ata drejpërdrejt në luftime në terren. Kjo është diçka që administrata Biden nuk e ka miratuar dhe sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë John Kirby, as izraelitët nuk e duan.
Shtetet e Bashkuara po mundësojnë që kompanitë e mbrojtjes amerikane të përshpejtojnë porositë në armë të bëra më parë nga ana e Izraelit. Në krye të tyre janë municionet për sistemin izraelit të mbrojtjes ajrore ‘Iron Dome’.
“Ne po dërgojmë ndihmë ushtarake shtesë, përfshirë municione dhe raketa interceptuese për sistemin “Iron Dome”, tha Presidenti Joe Biden të martën. "Po sigurohemi që Izraelit të mos i mbarojnë municionet kritike për të mbrojtur qytetet dhe popullin e tij".
Raketat e sistemit ‘Iron Dome’ godasin raketat që i afrohen qyteteve të Izraelit. Sipas kompanisë amerikane të prodhimit të armëve ‘Raytheon’, Izraeli ka 10 sisteme të tilla në vend. Duke filluar nga sulmi i shtatë tetorit, Hamasi ka gjuajtur më shumë se pesë mijë raketa drejt Izraelit, shumica e të cilave, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, janë interceptuar nga sistemet.
‘Raytheon’ prodhon pjesën më të madhe të komponentëve të raketave për sistemet ‘Iron Dome’ në Shtetet e Bashkuara, dhe ushtria ka dy sisteme në stokun e saj.
Municionet për sistemet ‘Iron Dome’ që Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Izraelit, ka të ngjarë të jenë më shumë sesa sasia që ka porositur Izraeli dhe do të jenë pjesë e paketave të vazhdueshme të ndihmës ushtarake. Ato do të përfshijnë gjithashtu bomba me diametër të vogël dhe të ashtuquajturat bomba “inteligjente” ajër-tokë, të cilat jo thjesht hidhen, por mund të orientohen drejt një objektivi për t’u goditur.
Anije dhe aeroplanë të marinës
Një nga shembujt më të dukshëm të përgjigjes amerikane ishte njoftimi të dielën nga Pentagoni për nisjen e aeroplanmbajtëses ‘Gerald R. Ford’ drejt Izraelit. Ajo sapo kishte përfunduar një stërvitje me marinën italiane, kur anija me ekuipazhin e saj prej rreth 5000 personash, u urdhërua të lundronte me shpejtësi drejt pjesës lindore të Mesdheut.
Transportuesi ofron një mori opsionesh. Ai shërben si një qendër kryesore e operacioneve komanduese dhe kontrolluese dhe mund të ofrojë informacione zbulimi. Prej tij mund të lëshohen aeroplanët e vëzhgimit ‘E2-Hawkeye’, që njihen për radarën e tyre në formë disku me diametër 7 metra. Avionët sigurojnë informacione të hershme paralajmëruese për lëshimin e raketave, monitorojnë dhe menaxhojnë hapësirën ajrore, jo vetëm duke zbuluar avionët e armikut, por edhe për të orientuar lëvizjet e mjeteve amerikane.
Aeroplanmbajtësja ‘Gerald R. Ford’ mbart avionë luftarakë F-18 që shërbejnë për goditjen e objektiva. Transportuesi ushtarak ka gjithashtu aftësi të mëdha për kryerjen e punëve humanitare. Në bordin e tij ndodhet dhe një spital me një njësi të kujdesit intensiv dhe shërbim urgjence, në përbërje të së cilit janë dhe rreth 40 infermierë, mjekë e kirurgë. Në bordin e tij ndodhen helikopterë që mund të përdoren për të transportuar furnizime të nevojshme apo edhe të plagosur, për të marrë ndihmë mjeksore.
Të premten, aeroplanmbajtësja ‘USS Dwight D. Eisenhower” do të lërë portin në bazën ‘Norfolk’ të shtetit amerikan të Virxhinias dhe do të lundrojë drejt Mesdheut, duke dyfishuar potencialin e reagimit të marinës izraelite.
Kjo aeroplanmbajtëse ishte planifikuar që më parë të vendosej në Mesdhe si pjesë e një rrotacioni të rregullt ndërsa ‘Gerald R. Ford’ ndodhej pranë fundit të misionit të saj. Por administrata Biden mund të vendosë t'i mbajë të dyja aeroplanmbajtëset atje, tha të mërkurën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Aeroplanë luftarakë të Forcave Ajrore
Pentagoni ka urdhëruar gjithashtu avionë luftarakë shtesë për të forcuar skuadriljet e avionëve A-10, F-15 dhe F-16 në bazat në të gjithë Lindjen e Mesme. Nëse do të jetë e nevojshme do të nisën edhe avionë të tjerë.
Sekretari i Forcave Ajrore Frank Kendall tha të martën gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli i Atlantik, se ushtria kishte urdhëruar edhe njësitë që po mbaronin misionin, të vazhdonin të qëndronin aty.
Forcat Ajrore amerikane kanë tashmë fuqi të konsiderueshme ajrore në rajon për të kryer operacione me dhe pa pilot, veçanërisht në Siri, ku javën e kaluar një avion F-16 i Forcave Ajrore u urdhërua të rrëzonte një dron turk, që përbënte kërcënim për forcat tokësore amerikane.
Zoti Kendall tha gjithashtu se avionët transportues C-17 të Forcave Ajrore kishin marrë personelin ushtarak amerikan që ndodhej në Izrael për një stërvitje ushtarake që nuk kishte filluar ende kur Hamasi nisi sulmet.
As Forcat Ajrore dhe as Komanda Qendrore amerikane nuk kanë bërë komente rreth asaj se çfarë misione shtesë ajrore mund të viheshin në dispozicion, si përgjigje ndaj konfliktit./Voa