Ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës ka dëshmuar Izet Haxhia, i marrë i pandehur për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari.  Ai ka përsëritur qëndrimin e fortë se vrasja e Hajdarit është urdhëruar nga drejtues të lartë të PD dhe se natën e vrasjes ai u nxor në pritë.

"Isha në arrest shtëpie në kohën kur njerëz të rëndësishëm me poste të larta në PD vinin pranë banesës time tek kafja e BATËS. Aty vinte edhe Halil Haklaj. E njihja që në kohën e gjimnazit. Ndërkohë që mbi 12 punonjës të shërbimit informativ më ndiqnin çdo lëvizje timen, madje kishin marrë dhe një banesë përballë pallatit ku unë banoja. Vëllai i Kastriot Islamit kishte njoftuar ish-kryeministrin në atë kohë Fatos Nano se unë takohesha me Halil Haklajn. Gjatë një vizite timen në Tropojë, Fatmir Haklaj, më thotë se Azem Hajdari do të kishte probleme nëse do të vinte në qytet. I njoftova njerëzit e afërt të Azemit për situatën në Tropojë dhe i thashë që ata nuk duhet ta lejojnë të shkojë, por ai gjithsesi vajti për fushatë në Tropojë në datën 4. Atë ditë ndaj Azemit ishin ngritur katër prita dhe një person mbeti i plagosur. Vëllai im, Ismeti, i ka marrë dhe në besë të tij grupi i PD i kryesuar nga Azemi kanë mundur të largohen nga Tropoja drejt Tiranës. Në korrik vjen Halil Haklaj. Ai ka punuar që prej viteve të shkuara në SHISH madje ka qenë i akuzuar dhe për transport armësh. Ai më tha se Fatmir Haklaj i kish kërkuar armë mitraloz, të cilat ai i kishte siguruar në qytetin e Gramshit. Unë s’pranova ta shoqëroj por me të shkoi im vëlla, Isamedini. Por doli më pas që kjo ishte një kurth i SHISH, i cili ishte bërë në bashkëpunim dhe me ish-ministrin e Brendshëm, i dorëhequr më pas, Neritan Cekën. Vëllai im u arrestua dhe gjyqi për të nuk caktohej nga gjykata",. ka thënë ai për disa ngjarje të fillim vitit 1998.

Sipas Izet Haxhisë 20 gusht të vitit 1998 Fatmir Haklaj ka marrë peng Taulant Dedën dhe kërkon si kusht caktimin e një date gjyqi për vëllanë tim, Isamedinin.

"Seanca e gjyqit u caktua në gjykatën e Durrësit, pas ndërhyrjes edhe të ish- shefit të shërbimit, Fatos Klosi. Muharrem Haklaj takohet me Azem Hajdarin në zyrën e tij në selinë blu më 1 shtator. Azemi i pati pranuar se vrasja e djalit të tij kish ardhur nga zyra e katit të dytë të selisë blu, duke aluduar atë të Sali Berishës. Pas bisedës me Muharrrem Haklaj m’u rrëfye për takimin me Azemin", ka thënë Haxhia.

Teksa tregon se më 11 shtator ora 17:00 është takuar me Fatmir Haklajn në Tiranë, Haxhia thotë se Haklaj rrëfen edhe ccfarë ndodhi paraditen e 12 shtatorit, ditën kur në darkë ndodhi edhe 'vrasja e shekullit'

"Po qëndroja në bilardon pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë. Vjen një makinë NISAN. Ishte Jaho Mulosmani dhe Halil Haklaj. Me morën duke më thënë se donin të më bënin një xhiro. Tek Prokuroria e Përgjithshme, Jaho ndalon dhe takon një të njohurin e tij që punonte në prokurori. Shkuam te Liqeni me makinën e Fatmir Metës, shefit të ri të komisariatit Tropojë. Atë ditë ishim unë, Fatmir Haklaj, Elezi, Naim Cangu, ndërsa Jaho Mulosmani gjatë kësaj kohe lëvizte me një person tjetër. Në atë vend vjen dhe Astrit Murdaku, shofer i makinës së blinduar TOYOTA.  Çohemi nga dreka dhe në ikje makinës ju vu një fenelinë policie. Agim Logu, Elez Haklaj, Halil Haklaj dhe unë ishim tek një furgon policie. U futëm tek kafe “Europa”, rreth orës 19:30. Halili u çua për 20 min nga tavolina dhe kërkoi të më mbante në kafe me çdo kusht. Më pas shkuam tek kafe “Roma”, shkoj me Halil Haklajn dhe në atë kohë dëgjova 4 breshëri të shkurtra kallashnikovi, 2 pistoleta dhe prapë një breshëri kallashnikovi. Halili po kërkonte në radio Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin. Fatmiri u përgjigj dhe na tha ta prisnim tek Nehat Kulla. Kur u takuam Fatmiri dhe Jaho mbanin Cangun në krah pasi ai kishte mbetur i plagosur dhe po jepte shpirt. Breshëritë e armëve ishin si shkëmbim zjarri. Halili çmontoi targat e makinës që kishin targa të Vlorës. Nehat Kulla me të birin e tij i drejtuan për tek spitali bashkë me të plagosurin. Pas 15 minutash më thanë se kishin vrarë Azem Hajdarin", ka thënë Izet Haxhia para togeva të zeza.

Haxhia tha se nuk e nxori ai në pritë Hajdarin.

“Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD-së. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, mësohet të jetë shprehur në gjyq Haxhia.