Ajo që dihet fare pak nga të gjithë, është fakti se çfarë bëhet me 5 ujgurët e strehuar në Shqipëri, që në vitin 2006. Në Shqipëri dihet se janë strehuar 5 ujgurë, zyrtarisht shtetas kinezë, të kapur nga forca amerikane në burgun e Afganistanit dhe të mbajtur në burg, si të dyshuar me lidhje me rrjetin terrorist Al Kaeda.

Ajo që dihet pak është se a janë integruar në Shqipëri dhe çfarë po bëjnë tani për të përgatitur të ardhmen. Dy janë martuar me vajza ujgure dhe janë ndërtuar jetën e tyre në Tiranë. Një tjetër studion në një universitet privat. I katërti ia ka dalë mbanë të shkojë në Suedi dhe të ketë një leje qëndrimi atje, ndërsa i pesti, duket se është me më shumë probleme, pasi ka familjen e tij në Ujguristan, gruan dhe fëmijët, të cilët për më shumë se 7 vjet nuk i ka takuar.

Shteti kinez nuk e lejon, pasi quhet si terrorist, pasi për fatin e tij të keq, ai ka jetuar dhe ka krijuar familjen në një rajon separatist që kërkon ndarjen nga Kina. Kështu, ujguri Abu Bakker Qasim u detyrua të ndërrojë emrin dhe nuk mund të shkojë në vendin e vet, pasi e çojnë në burg, sikundër edhe familjen e tij nuk e lejojnë të vijë në Shqipëri.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)